Ndërlidhjet

Ngecja në njohje


Flamuri i Republikës së Kosovës
Flamuri i Republikës së Kosovës

Ngecja në njohjen e shtetit të Kosovës për Ministrinë e Punëve të Jashtme nuk paraqet shqetësim, përderisa zyrtarë të saj paralajmërojnë njohje të reja, javët që vijnë. Analistët thonë se derisa Kosova të mos anëtarësohet në OKB, do ketë problem për t'i ushtruar funksionet si shtet i pavarur.


Numri i shteteve që kanë njohur shtetin e Kosovës vazhdon të mbetet 43. Sierra Leone është shteti i fundit që ka njohur Kosovën më 13 qershor dhe nga kjo datë nuk ka pasur ndonjë lëvizje në këtë drejtim.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Albana Beqiri, paralajmëron njohje të reja në javët që vijnë, por nuk saktëson sa njohje, apo nga cilat shtete do të vijnë ato.

“Ministria e Punëve të Jashtme nuk është e shqetësuar, sepse mendojmë se nuk ka vend për shqetësim. Priten njohje të reja në javët që vijnë; nuk është dinamika që do ta kishim dashur, por nuk do thotë që është stopuar numri i njohjeve”, tha Beqiri.

Në anën tjetër, Iliriana Islami, ligjëruese e së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë se njohja do të varet edhe nga vetë përmbushja e obligimeve që dalin nga pakoja e Ahtisaarit nga ana e Kosovës.

“Njohja është çështje diskrecionale e secilës qeveri, që a dëshiron ta pranojë një shtet të caktuar ose jo. Mirëpo, tash është çështja se ne si shtet i ri kemi shumë standarde për të përmbushur dhe që janë vënë nga bashkësia ndërkombëtare, prandaj dëshirohet të shihet realisht se sa shteti i ri po i përmbush këto standarde dhe në bazë të tyre do të analizohet çështja se kur do të jetë momenti i caktuar që një shtet dëshiron ta njohë shtetin e ri”,
tha Islami.

Ndryshe, Konferenca e Vendeve Islamike pati premtuar pas shpalljes së pavarësisë se do të njohë shtetin e ri të Kosovës, por deri tash ka mbetur vetëm premtimi. Zëdhënësja Albana Beqiri thotë se ka shenja se njohja do të vijë shpejt nga kjo organizatë, që në vete ka mbi 50 shtete.

“Shenjat janë që shumë shpejt, por nuk mund të spekulojmë me data. Besojmë shumë shpejt, sepse shenjat janë të tilla dhe ju keni parë se ministri ka marrë një turrë takimesh me ambasadorë të Vendeve Islamike”, tha Beqiri.

Për t’u bërë anëtare e OKB-së, Kosova duhet të njihet të paktën nga dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate. Iliriana Islami thotë se Kosova do ta ketë të vështirë funksionimin e saj si shtet pa u njohur nga OKB-ja.

“Gjithsesi se mosanëtarësimi në OKB pengon shumë. Për shembull, ta marrim rastin e Maqedonisë, e cila për shkak të emrit nuk është pranuar për disa vite rresht dhe kjo pothuajse e ka çuar Maqedoninë në kolaps të plotë”.


“Por, me pranimin e një shteti të caktuar në OKB, krijohen të gjitha strukturat që i mundësojnë zhvillim të mëtejmë shtetit të caktuar, në këtë rast Maqedonisë. Por, edhe për rastin tonë, nëse nisemi nga shembuj të tillë, sigurisht se do të na kishin ndihmuar shumë sikur të jemi të anëtarësuar në mekanizma të ndryshëm”, tha Islami.

Ndryshe, njëra nga partitë opozitare në Kosovë, Aleanca për Ardhmërinë e Kososvës, ka kërkuar ditë më parë që të formohet një këshill mbipartiak, që do të lobonte për njohjen e Kosovës. Por, Ministria e Punëve të Jashtme konsideron se një gjë e tillë nuk është e nevojshme, meqë Kosova ka institucionet e saj, të cilat po e bëjnë këtë gjë.
XS
SM
MD
LG