Ndërlidhjet

“Qeveria kërkon 1.4 miliard euro më 11 korrik”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
BOTA SOT
Pak ditë para fillimi të Konferencës së Donatorëve për Kosovën, e cila do të mbahet në Bruksel më 11 korrik, Qeveria e Kosovës është e përgatitur për të thithur sa më shumë mjete. Sektorët që do të paraqiten para donatorëve ndërkombëtarë janë ai i transportit dhe infrastruktura, energjia, arsimi, shëndetësia dhe shumë sektorë tjerë që janë jetikë për jetën e qytetarëve. "Nëse dëshirojmë të kemi një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, nevojiten 1.44 miliardë euro për 3 vjetët e ardhshëm për t'i tejkaluar sfidat. Qeveria e Kosovës nga kjo konferencë pret më shumë përkrahje financiare, ngase për të ecur Kosova më shpejt drejt integrimit ekomomik dhe politik në Unionin Evropian dhe strukturat tjera euro-atlantike, nevojitet një përkrahje e fuqishme financiare", tha ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala. Sipas tij, shuma prej 1.44 miliardë eurosh është realiste, por se a do të realizohet kjo shifër nuk varet nga ne, por nga donatorët. "Jam optimist se prioritetet e Qeverisë do të respektohen nga donatorët, ngase ato janë bërë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare", tha Shala...

ZËRI
Për herë të parë prejse ka marrë postin e drejtuesit të UNMIK-ut, Lamberto Zanier do të shkojë sot në pjesën veriore të Kosovës për të biseduar me liderët e serbëve të asaj pjese rreth zhvillimeve të muajve të fundit. Burime nga UNMIK-u konfirmojnë këtë vizitë, e cila thuhet se do t'i paraprijë një vizite në Beograd, menjëherë pas themelimit të Qeverisë së re të Serbisë. Një zyrtar i UNMIK-ut nuk ka mundur të flasë për emrat e politikanëve me të cilët do të takohet sot Zanier në veri, por ai nuk ka përjashtuar mundësinë që ndonjëri prej tyre të jetë në krye të komunave të veriut në bazë të rezultatit të zgjedhjeve lokale serbe të 11 majit, të mbajtura ilegalisht edhe brenda Kosovës. "Të gjithë bashkëbiseduesit e z. Zanier, të martën, në pjesën veriore, do të jenë përfaqësues të partive politike që përfaqësojnë serbët dhe ai do t'i takojë ata në këtë kapacitet. Në asnjë kapacitet tjetër", ka thënë ky zyrtar. UNMIK-u i kishte shpallur të pavlefshme zgjedhjet lokale të Serbisë në Kosovë dhe kishte premtuar se nuk do të bashkëpunojë në asnjë mënyrë me ata që kanë dalë nga këto zgjedhje...

INFOPRESS
Samiti “Kroacia 2008” ishte mjaft i suksesshëm për Kosovën, ngase edhe njëherë është konfirmuar mbështetja për zhvillimin dhe përparimet e bëra në Kosovë. Kështu ka thënë kryeministri Hashim Thaçi, me t’u kthyer nga Dubrovniku, ku ka marrë pjesë në samitin “Kroacia 2008” me temën “Siguria, zhvillimi dhe prosperiteti: Zgjerimi i BE-së dhe NATO-s dhe Evropa Juglindore. Në samit është diskutuar edhe për bashkëpunimin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s me vendet e Evropës Juglindore, në kuadër të përpjekjeve për afrim me strukturat euroatlantike. “Unë kam prezantuar vizionin e shtetit të pavarur, sovran dhe demokratik të Kosovës, për ndërtimin e qeverisjes së mirë, për zhvillimin ekonomik, për sundimin e ligjit, luftën e pakompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, respektimin afirmativ ndaj komuniteteve, para së gjithash të serbëve, përgatitjet që i kemi bërë për Konferencën e Donatorëve, kështu që presim hap pas hapi, por me suksese të theksuara”, tha kryeministri Thaçi...

EXPRESS
Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj duket se kanë gjetur mënyrën më të mirë për t’i ikur takimit. Që të dy publikisht janë duke shfaqur gatishmërinë për t’u takuar, mirëpo asnjëri nuk do që ta bëjë hapin e parë. Haradinaj ka deklaruar të hënën se do të takohej me Thaçin, nëse ky i fundit e vlerëson të nevojshme, ndërkohë që selami i fundit nga kampi i kryeministrit është se kërkesa për takim duhet të dorëzohet në sportel të Qeverisë. Kreu i AAK-së ka thënë se nuk ka bërë asnjëherë kërkesë për ta takuar Thaçin. “nëse kryeministri e vlerëson të nevojshme, mundemi me u taku. Unë kam shprehur gatishmërinë, por kërkesë nuk ka ndodhur”, ka thënë Haradinaj në një konferencë për media. Dy rivalët kanë filluar të përplasen menjëherë pas kthimit të Haradinajt nga Haga, kur ky i fundit kishte nisur kritikat e para ndaj Qeverisë... Haradinaj, të hënën, ndërkaq ka kritikuar kryeministrin për qeverisje autokratike. Sidoqoftë, kryetari i AAK-së ka zgjedhur një mënyrë tjetër për të komunikuar me Thaçin. Ai ka treguar të hënën se kohë më parë i ka dërguar letër edhe presidentit, edhe kryeministrit, ku ka shpalosur një plan se si të veprohet me gjendjen në veri. Ka paralajmëruar se letra të tilla do dërgojë edhe në të ardhmen...

KOSOVA SOT
Ministri i shtetit gjerman për Evropën, Gynter Gloser, ka dhënë një ide interesante, e cila mund të jetë një formë e mbështetjes për Prishtinën zyrtare në përpjekjet për të siguruar njohje të reja të shtetit të Kosovës. Kushtëzimi i vendeve të rajonit që aspirojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian me njohjen e Republikës kosovare është një hap që duhet të ndërmerret nga Brukseli, sepse do t;i detyronte vendet, si Maqedoninë, Malin e Zi, Bosnjën apo Serbinë (nëse e do BE-në) ta njihnin pavarësinë e Kosovës. Integrimi evropian i rajonit nuk mund të kuptohet si një depërtim individual, duke izoluar dikë, si shtetin kosovar, dhe duke lënë të tjerët të përparojnë. Realisht, standardet evropiane janë vështirësisht të arritshme, të paktën për dhjetëra vjet, nga vendet e lartpërmendura, përfshirë edhe Shqipërinë, por Brukseli e sheh një zgjerim në grup, kurdo që të parashikohet një gjë e tillë. Gjykuar nga ky këndvështrim, një kushtëzim si ai që e propozoi ministri gjerman gjatë vizitës së tij në Prishtinë, është i mirëseardhur dhe mund të ketë efekte konkrete...

LAJM
Qeveria e Kosovës ua vazhdoi mandatin, të shtunën e kaluar, kryetarëve të pesë komunave me shumicë serbe, përfshirë Shtërpcën, por i zgjedhuri i 11 majit në këtë komunë, Zvonko Mihajloviq, edhe të hënën e ka vazhduar punën në ndërtesën e Kuvendit Komunal, i papenguar nga askush. Radikali Mihajloviq, që ka dalë si rezultat i zgjedhjeve jolegjitime, e ka nisur javën e dytë të punës, pasi e ka larguar me dhunë të mërkurën e kaluar kryetarin e deritanishëm, Stanko Jakovleviq. Ky i fundit tha të hënën për "Lajm" se shumë shpejt do të kthehet në vendin e punës si kryetar i Komunës së Shtërpcës. "Do të kthehem, por pasi t'i largojnë personat që i kanë uzurpuar dhunshëm zyrat e komunës. Pres që shumë shpejt këtë ta bëjnë policia e Kosovës dhe KFOR-i", tha Jakovleviq. Duke shfrytëzuar mungesën e një vendimi politik nga Nju Jorku dhe hamendjen e institucioneve vendore për të reaguar, udhëheqësit ilegalë serbë ua mësynë ndërtesave zyrtare në disa komuna me shumicë serbe. Përpos Jakovleviqit, nën presionin e Beogradit nga detyra janë larguar edhe kryetarët e komunave në Zveçan e Zubin Potok... Presidenti Fatmir Sejdiu tha për "Lajm" se personat ilegalë duhet ta lëshojnë hapësirën komunale, por nuk tregoi se çfarë masash do të ndërmarrin për largimin e tyre. "Do të shohim...", tha ai...

KOHA DITORE
Mungesa e njohjes më kuantitative të shtetit të Kosovës duket se ka shtyrë përfaqësues të shoqërisë civile kosovare të mblidhen në një projekt lobimi, që përfshin edhe emra në zë nga skena politike ndërkombëtare. Nën ombrellën e Zyrës Kosovare të Fondit për Shoqëri të Hapur, KFOS, të filantropit dhe financierit te njohur amerikan, George Soros, dhe në konsultim me ish-ndërmjetësit për Kosovën, Martti Ahtisaari, Albert Rohan dhe Wolfgang Ischinger, është nisur një projekt që ka bërë bashkë Veton Surroin, Blerim Shalën, Luan Shllakun, Muhamet Mustafën dhe të tjerë, në përpjekjen për të ndihmuar procesin e ngecur të njohjes ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe ngritjes së imazhit të saj. Shenjën e parë të aktivitetit të shtuar të shoqërisë civile në lobim, kosovarët pritet ta shohin këtë fundjavë, kur një delegacion nga Kosova do të udhëtojë për në Aman të Jordanisë. Siç shpjegon Luan Shllaku nga KFOS-i, e tëra është nisur në prill, kur në një takim që ai dhe kryetari i tanishëm i bordit të KFOS-it, publicisti Blerim Shala, kanë marrë "dritën e gjelbër" nga fondacioni i Sorosit për projektin e promovimit të "një agjende proaktive për përmirësimin e pozitës së saj ndërkombëtare të Kosovës"...

EPOKA E RE
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Shefer, është angazhuar të hënën për mbajtjen e takimeve të rregullta të Këshillit Veri-atlantik të NATO-s dhe Këshillit për Politikë dhe Siguri të Bashkimit Evropian, ku do të bëhej fjalë për operacionet në rajon, ku këto organizata marrin pjesë bashkërisht, siç është Kosova. Takimet e rregullta NATO-BE deri tani kanë qenë të kufizuara në Bosnjë e Hercegovinë, për shkak të bllokimit reciprok - Turqia si anëtare e NATO-s dhe Qiproja si anëtare e BE-së, të cilat nuk kanë dashur që të shkëmbejnë informacione të besueshme mbi operacionet e tjera. Shefer, të hënën, ka propozuar që ky hendek të tejkalohet dhe se janë duke u mbajtur diskutime të rregullta edhe për çështjen e Kosovës dhe Afganistanin. "Nëse ushtarët dhe policët tanë u ekspozohen rreziqeve në terren, konsideroj se u kemi borxh që së paku rregullisht të bisedojmë për ta dhe që t'ua afrojmë nga nivelet më të larta sa më mirë orientimet e koordinuara strategjike", ka theksuar sekretari i përgjithshëm i NATO-s. "Nëse nuk e bëjmë këtë, kjo do të ishte sikur të distancoheshim nga përgjegjësia", ka thënë Shefer...
XS
SM
MD
LG