Ndërlidhjet

Mbahet Konferenca e Donatorëve për Kosovën


Bruksel - Komisionari për zgjerim i BE-së, Olli Rehn, dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencë për media, 11 korrik 2008.
Bruksel - Komisionari për zgjerim i BE-së, Olli Rehn, dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencë për media, 11 korrik 2008.

Në selinë e Komisionit Evropian në Bruksel ka filluar Konferenca e Donatorëve për Kosovën, në të cilën, sipas fjalëve të komisionarit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, Olli Rehn, pritet të mblidhen rreth 1 miliard euro.

Në këtë konferencë, të organizuar nga Komision Evropian, në të cilën Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve e paraqet edhe Qeveria e Kosovës, marrin pjesë të gjitha vendet anëtare të BE-së, vendet tjera si dhe institucionet tjera ndërkombëtare.

Komisioni Evropian premtoi se do të japë 500 milionë euro ndihmë për Kosovën. Duke folur për rëndësinë e kësaj ndihme, komisionari i zgjerimit, Olli Rehn tha:

“Jam krenar se me premtimin e 500 milionë eurove, BE-ja sot qartas demonstron se sentenca ‘Kosova është tërësisht çështje evropiane’, nuk është vetëm formulë diplomatike, por dëshmi konkrete e përkushtimit tonë për Kosovën”.

Por, komisionari Rehn ishte i kujdesshëm që të të thotë edhe se Qeveria e Kosovës duhet të jetë e kujdesshme në mënyrën e shpenzimit të këtyre mjeteve.

“Këto premtime për buxhetin e Kosovës dhe ndihmën financiare në përgjithësi nga komuniteti ndërkombëtar dhe nga Bashkimi Evropian do të duhej të përdoren për të mirën e gjithë popullit të Kosovës, përfshirë të gjitha komunitetet, përfshirë edhe komunitetin serb në Kosovë", tha Olli Rehn.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërkaq tha se pret që donatorët të jenë të vetëdijshëm dhe zemërgjerë dhe të shohin se Kosova është një rast për ta dhe për investime.

Zoti Thaçi u zotua se Qeveria e Kosovës do të jetë shumë e kujdesshme dhe do të ketë tolerancë zero ndaj keqpërdorimeve dhe korrupsionit në përdorimin e këtyre mjeteve.

Se çfarë paraqet për Kosovën kjo Konferencë e donatorëve dhe premtimet, Thaçi u shpreh:

"Konferenca e Donatorëve paraqet fillimin e një faze të zhvillimit për Kosovën. Ne do të punojmë me partnerët tanë, Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe me NATO-n, për ta fituar ardhmërinë për Kosovën".

Konferenca e Donatorëve po vazhdon, ndërsa pritet që në të edhe vendet anëtare të BE-së dhe shtetet tjera të ofrojnë donacione edhe individuale.

Siç dihet, Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë kanë premtuar se do të japin rreth 400 milionë dollarë, ndërsa individualisht edhe Gjermania ka përmendur shifrën prej 100 milionë eurosh, Britania e Madhe 23 milionë paund dhe kështu me radhë

XS
SM
MD
LG