Ndërlidhjet

Prishtina skeptike për takimin e Zannierit në Beograd


Qeveria e Republikës së Kosovës
Qeveria e Republikës së Kosovës

Takimin e PSSP-së, Lamberto Zannier, me zyrtarët e Beogradit, pozita e opozita e shohin me skepticizëm. Sipas tyre, ndërprerja e financimit të strukturave paralele nga Qeveria serbe do ishte sinjali i parë se Beogradi do ndryshimin e qasjes ndaj Kosovës.

Bisedimet që i fillon sot Lamberto Zannier me qeveritarët serbë, pas më shumë se dy vjet ndërprerjeje të kontakteve mes UNMIK-ut e Beogradit, nuk ngjallin shpresa te Prishtina zyrtare se do sjellin ndonjë rezultat konkret në praktikë.

Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, këto takime do t’i shfrytëzojë, siç thuhet, për njohje dhe fillim të dialogut për çështjet praktike. Por, Beogradi ka njoftuar se ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiq, do të bisedojë me Zannierin edhe për rikonfigurimin e UNMIK-ut, gjë që hidhet poshtë nga zyrtarët e misionit të OKB-së.

Sidoqoftë, Prishtina zyrtare nuk pret që vizita e Zannierit në Beograd të jetë produktive. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi përsërit se me Beogradin nuk do të flitet për çështje politike, përderisa, sipas tij, Zannier e ka shumë të qartë këtë qëndrim të institucioneve.

“Besoj që zoti Zannier e di realitetin në Kosovë, e ka mandatin e plotë në kuadër të UNMIK-ut, por duhet ta dijë se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe mendoj se këtë qëndrim do ta ketë zoti Zannier. Por, fundi i fundit, duhet të them se Kosovën e obligojnë qëndrimet e institucioneve të Kosovës dhe ato të marra në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare”, tha Kuçi.

Në anën tjetër, Arben Qirezi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, konsideron se shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, do të duhej që në këtë vizitë t’i përfundonte, siç thotë ai, ato punë të lëna në gjysmë nga shefat paraardhës në këtë mision.

“Çështja kryesore, të cilën UNMIK-u njëherë për njëherë e ka lënë të hapur për EULEX-in, është çështja e veriut, prania e strukturave të reja ndërkombëtare në veri, si dhe strukturat paralele. Përfundimisht, Zannier do të duhej që të kërkonte nga Beogradi që t’i tërheqë strukturat e tij paralele dhe t’i ndërpresë përpjekjet për të instaluar një prani joligjore në Kosovë”, tha Qirezi.

Ndryshe, në planin për rikonfigurim të UNMIK-ut të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-moon, parashihet që Prishtina dhe Beogradi të bisedojnë për çështjet që lidhen me fushën e policisë, drejtësisë, doganave, trashëgimisë fetare dhe transportit.

Pas shpalljes së pavarësisë shumë nga serbët e Kosovës refuzojnë të punojnë në policinë, sistemin e drejtësisë dhe institucionet e tjera të Kosovës.

Megjithatë, shtrirja e EULEX-it në veriun e kontrolluar nga popullata me shumicë serbe, duket të jetë tema më problematike. Serbët, ashtu sikurse edhe Beogradi zyrtar, nuk e pranojnë misionin e BE-së, meqë nuk e ka bekimin e Këshillit të Sigurimit.

Nebojsha Joviq, nga Këshilli Nacional Serb në Mitrovicë, thotë se serbët e Kosovës presin që UNMIK-u në mënyrë të paanshme të punojë në zgjidhjen e problemeve, që prekin të dyja komunitetet.

“Mendoj se ky është edhe një rast që t’i thuhet Zannierit se kjo që po mendon ta bëjë, nuk është hap i menduar mirë, që kjo që Ban Ki-moon po angazhohet, nuk është hap i mençur. Secili rikonfigurim, secili ndryshim në terren është i mirëseardhur, sepse UNMIK-u ka treguar paaftësi tërë këto vite, por ndryshimet dhe rikonfigurimi duhet ta kenë bekimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, thotë Joviq.

Ndryshe, rikonfigurimi dhe bartja e kompetencave nga UNMIK-u te Bashkimi Evropian janë kërkuar nga presidenti amerikan, Geroge Bush, pas takimit që pati me liderët kosovarë.

Ndërkohë, shqetësime për veriun e pakontrolluar nga institucionet legjitime kanë ardhur edhe nga ndihmës-sekretari amerikan i shtetit, Daniel Fried, i cili ka thënë se rikonfigurimi i misionit të OKB-së në Kosovë, duhet të ndodhë, për të krijuar kushte për vendosjen e misionit të Bashkimit Evropian, në të cilin kanë rol edhe Shtetet e Bashkuara.
XS
SM
MD
LG