Ndërlidhjet

Kur do të funksionalizohet EULEX-i?


Prishtina
Prishtina

Funksionalizimi i plotë i misionit të ri të Bashkimit Evropian, EULEX-it, sipas analistëve kosovarë, është problem evropian dhe tregon për ndasitë që, megjithatë, edhe më tej ekzistojnë në këtë union, sa i përket Kosovës.

Në anën tjetër, disa nga përfaqësuesit e serbëve kanë nisur të ndryshojnë qëndrimin ndaj misionit të ri evropian. Ata thonë se nuk është me rëndësi se si do të quhet misioni, por thelbi qëndron në atë se sa do të ndikojë në përmirësimin e jetës së banorëve serbë.

Fundi i vjeshtës shihet nga zyrtarë të EULEX-it si koha kur ky mision do të jetë funksional. Por, analistët kosovarë janë skeptikë me dinamikën e vendosjes së këtij misioni. Lulzim Peci mendon se shtrirja e këtij misioni po vonohet si pasojë e mospajtimeve qe ka brenda vetes Unioni Evropian.

"Vonesa e shtirjes së EULEX-it është problem evropian për shkak të agjendave të ndryshme evropiane, duke filluar nga ato që nuk e kanë njohur Kosovën e deri te ato që e kanë njohur Kosovën, por që propozojnë që misioni i EULEX-it të mos jetë në veri, por të jetë UNMIK-u. Këto janë probleme që janë duke e vështirësuar vendosjen e misionit të EULEX-it në Kosovë dhe shtrirjen e tij në tërë Kosovën", shprehet Lulzim Peci.

Në takimin e fundit të Këshillit të Sigurimit, nga shumë vende anëtare u theksua nevoja që procesi i rikonfigurimit, rrjedhimisht bartja e kompetencave nga UNMIK-u te misioni i BE-së, të përshpejtohet. Zyrtarë të EULEX-it dhe të UNMIK-ut kanë pohuar kohë më parë se të dy këto misione janë duke pritur instruksione se si të veprohet më tutje nga Nju Jorku dhe Brukseli.

Por, Lulzim Peci thotë se edhe pas vendosjes së plotë të personelit të EULEX-it në Kosovë, nuk duhet pritur mrekulli në terren.

"Ne nuk duhet të presim çudira nga misioni i EULEX-it, sepse vonesa do të jetë vetëm një element ndihmues në vendosjen e rendit dhe të ligjit, por barra kryesore bie mbi institucionet e Kosovës. Nuk mund të presim mrekulli nga misioni i EULEX-it. Ai do vendoset dhe do ndihmojë, por nuk do ketë rol ekzekutiv siç ka pasur UNMIK-u", thotë Lulzim Peci.

Ndryshe, misioni i sundimit të ligjit i Bashkimit Evropian është thënë më parë se do ta ketë vështirë vendosjen në veri, meqë serbët fillimisht nuk e kanë pranuar vendosjen e tij pa pëlqimin e Këshillit të Sigurimit. Megjithatë, një ndryshim i këtij qëndrimi vërehet në mesin e disa përfaqësuesve serbë.

Nënkryetarja e Këshillit Nacional Serb për Kosovën qendrore, Rada Trajkoviq, duke pranuar misionin e BE-së, ka thënë se EULEX-i paraqet zgjidhjen më të mirë edhe për vetë serbët.

Ndërkohë, edhe Nenad Radosavleviq, i të njëjtit Këshill me seli në Leposaviq, pohon se një transformim i misionit të UNMIK-ut është dashur të bëhet kaherë.

"Misioni i UNMIK-ut në Kosovë ka qenë i pasuksesshëm dhe është dashur që të ndryshojë diçka, meqë nuk ka shkuar përmes Këshillit të Sigurimit dhe ka shkaktuar probleme, përndryshe prania e EULEX-it është e pashmangshme", pohon Radosavleviq, i cili nuk i jep rëndësi pjesës formale se nën ombrellën e kujt do të jetë ky mision, por asaj thelbësore se çka do të ofrojë në terren.

"Sa më përket mua, por edhe shumë njerëzve të tjerë, është e parëndësishme nëse do të jetë ky apo tjetri mision. Është me rëndësi se sa do të ndikojë në jetën e komunitetit serb, dhe nuk duhet kapur për çështje formale sikur kjo se si do të quhet ky mision", pohon Radosavleviq.

Misioni i Bashkimit Evropian, i koduar me emrin EULEX, do të mbikëqyrë fushën e policisë, drejtësisë dhe doganave në Kosovë. Është paraparë që ky mision të ketë 2200 pjesëtarë. Rreth katërqind nga ta tashmë gjenden në Kosovë.
XS
SM
MD
LG