Ndërlidhjet

“Kosova padi për gjenocidin e Serbisë?”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOSOVA SOT
Diplomacia perëndimore i ka cilësuar si të dështuara pretendimet e Qeverisë serbe që të anulojë pavarësinë e Kosovës përmes kërkesës në Asamblenë e OKB-së, e cila do t'i zhvillojë punimet në shtator të këtij viti. Serbia do të kërkojë interpretimin ligjor të shpalljes së pavarësisë. Për politikën zyrtare të Kosovës janë bërë të zakonshme pretendimet e tilla të Serbisë, për të cilën thonë se nuk kanë ndonjë bazë, qoftë morale apo juridike. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se idetë e tilla kanë për qëllim frenimin e njohjes së vazhdueshme të pavarësisë së Kosovës. Por, ai nuk ka përjashtuar mundësinë që institucionet e Kosovës t'i kundërpërgjigjen kësaj ofensive të vazhdueshme serbe me padi për gjenocidin e ushtruar në Kosovë. Ambasadori i Britanisë së Madhe në Serbi, Stefen Uordsuorth, ka deklaruar se Bashkimi Evropian nuk mund të kushtëzojë hyrjen e Serbisë në BE me njohjen e Kosovës, mirëpo ka shtuar se iniciativa e Beogradit për të kërkuar interpretimin ligjor të shpalljes së pavarësisë së Kosovës është mashtrim i rrezikshëm. "BE-ja nuk mund t'i vë kusht Serbisë, të cilin nuk e kërkon nga vendet e saj anëtare. Deri atëherë, kur disa shtete të BE-së - që ende nuk e kanë njohur Kosovën - nuk ndryshojnë pozicionin e tyre, BE-ja nuk mund të insistojë që Serbia të bëjë një gjë të tillë", ka thënë Uordsuorth për gazetën "Veçernje Novosti"...

EPOKA E RE
Hetimi i Organizatës Botërore rreth ndërhyrjes së trupave të Kombeve të Bashkuara dhe të NATO-s në ndërtesën e gjyqit në Mitrovicë më 17 mars, ka kritikuar përdorimin e forcës, njofton agjencia "Reuters". Ky është vlerësimi i bërë në një raport të brendshëm të Kombeve të Bashkuara, që në një brifing të mbyllur e ka prezantuar ndihmës-sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate për operacione paqësore, Edmond Malet. Agjencia "Reuters" citon ambasadorin rus, Vitali Çurkin, t'u ketë thënë gazetarëve pas brifingut të zakonshëm se hetimi i Kombeve të Bashkuara ka konkluduar se përdorimi i atëhershëm i forcës kundër serbëve të Kosovës ishte "absolutisht i paarsyeshëm". Por, diplomatët perëndimorë që ishin në ketë brifing kushtuar këtij hetimi, e kanë cilësuar atë ndryshe. Ata kanë konfirmuar se hetimi ka marrë qëndrim kritik për aksionin dhe se ishin injoruar këshillat nga selia e Kombeve të Bashkuara, por shtuan se dëshmitë treguan se trupat dhe policia kanë vepruar brenda mandatit të tyre. Zëdhënësja e Kombeve të Bashkuara ka thënë se ky raport ende nuk është bërë publik dhe se nuk e di se kur do të lëshohet në qarkullim...

ZËRI
Kryeministri i Kosovës ka autorizimet e PDK-së për emërimin e ministrit të Mbrojtjes, por kjo as dje nuk ka ndodhur, përkundër premtimit të dhënë para Kuvendit se ky emërim do të bëhet brenda javës së kaluar. Qeveria e Kosovës do të kompletohet shumë shpejt me Ministrinë e Mbrojtjes dhe organet tjera, thonë zyrtarë të lartë qeveritarë në Prishtinë. Por, nuk konfirmohet asgjë nëse emërimet do të pasojnë pushimet e kryeministrit Hashim Thaçi apo do të merren në ditën e caktuar, pasi që nuk preferohet të flitet për afate kohore, përderisa opozita e kritikon kryeministrin dhe qeverinë për papërgjegjësi dhe neglizhencë. Duke iu referuar deklaratave të bëra në Kuvend, të martën e kaluar, kur kryeministri Hashim Thaçi pati deklaruar se ai gjatë javës do ta bëjë emërimin e ministrit të Mbrojtjes, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se vendimi është në fazën finale dhe pritet te shpallet nga vetë kryeministri. "Po, tanimë mund të' themi se është marrë vendimi që t'i jepet kompetencë e plotë kryeministrit që të emërojë ministrin e Mbrojtjes dhe mendoj se kryeministri sa më shpejt që të jetë e mundur do ta bëjë publik vendimin e tij", tha Kuçi...

KOHA DITORE
Raundi i dytë i diplomacisë fluturuese për bisedimet rreth "çështjeve praktike" ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit pritet të fillojë në muajin e ardhshëm, kanë bërë të ditur burime diplomatike, të dielën. Sipas tyre, këto takime do të rifillojnë me një takim të shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zannier, me përfaqësuesit më të lartë politikë të autoriteteve të Beogradit. Tema kryesore të këtij takimi do të jenë gjashtë pikat që janë propozuar nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, në letrën e tij dërguar krerëve më të lartë të shtetit në Kosovë dhe Serbisë për rikonfigurimin e UNMIK-ut. "Shefi i UNMIK-ut pritet që takimin e radhës me autoritetet serbe ta ketë në muajin shtator, edhe pse data e saktë nuk është caktuar ende", ka thënë ky burim për gazetën në kushte anonimiteti. Gjatë kësaj periudhe pritet që të ketë takime dhe konsulta në nivel më të ulët të ekspertëve, në mënyrë që të negociohet për përafrimin e qëndrimeve në pikat e lartpërmendura dhe gjetjes së modaliteteve për këto bisedime - veçanërisht në fushën e drejtësisë dhe të gjyqësisë. Kreu i UNMIK-ut tashmë ka shkuar në pushime verore tri-javore, ndërsa për këtë periudhë, rolin e tij pritet që ta ushtrojë këshilltari kryesor politik i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Nicholas Haysom. Në pushtime verore aktualisht ndodhen edhe krerët më të lartë të Republikës së Kosovës...

BOTA SOT
Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë thënë se nuk kanë informata zyrtare lidhur me pohimet e mediave serbe, të cilat kanë raportuar për një incident të armatosur në mes të dy shqiptarëve dhe ushtrisë serbe në Taçevë të Kurshumlisë, në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Mediat serbe kanë raportuar për një incident të armatosur në mes të dy shqiptarëve dhe ushtrisë serbe, me ç'rast nuk ka pasur të lënduar. Sipas tyre, incidenti ka ndodhur mbrëmë pas orës 19.00, pasi që ushtria serbe ka ndjekur dy shqiptarë që kishin hyrë në një shtëpi të braktisur në territorin e komunës së Kurshumlisë. Sipas raportit të ushtrisë serbe, dy shqiptarë kishin gjuajtur me armë në drejtim të ushtarëve dhe kishin ikur ne drejtim të Besianës. Ndërkaq, zyrtarë të Policisë së Kosovës nuk e kanë konfirmuar rastin, me arsyetimin se nuk kanë informata zyrtare...

INFOPRESS
Ende pa u adaptuar mirë, shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanier, ka bërë një blof, e që ka nxitur menjëherë deklarata kundërshtuese. E papranueshme, e habitshme dhe pa kuptim është quajtur deklarata e Zanierit dhënë BBC-së. Shefi i UNMIK-ut ka paralajmëruar në një intervistë për këtë medium një ofertë për policinë, e cila do të krijonte policinë etnike serbe, me autonomi speciale në zinxhirin komandues, brenda Policisë së Kosovës. Sidoqoftë, shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanier, ka thënë se misioni evropian për drejtësi dhe polici, EULEX, duhet të përpiqet që të vendoset vetë në tërë territorin e Kosovës, duke i ofruar atij një ombrellë të Rezolutës 1244. Zanier ka bërë të ditur se do të përpiqet të shtrijë misionin edhe në pjesët e Republikës së Kosovës, të banuara me serbë. "BE duhet t'i tregojë Beogradit dhe serbeve të Kosovës në terren, se do të kenë një avantazh me vendosjen e misionit evropian", ka thënë Lamberto Zanier. Gjithashtu, ai ka përmendur edhe përgjegjësitë ekzekutive të rezervuara në Kosovë dhe, sipas tij, hapësira për përdorimin e tyre është kryesisht ne fushën e rendit dhe të ligjit...

EXPRESS
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka thënë të dielën se Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki-Moon, ka tejkaluar autorizimet e tij me aprovimin e njëanshëm të rikonfigurimit të UNMIK-ut. Ai ka shtuar se Beogradi nuk ka asgjë kundër zbarkimit të EULEX-it, por me kusht që të jetë autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Po ashtu, Boris Tadiq ka nënvizuar se Serbia do të shtyjë në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara një kërkesë për opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me pavarësinë e shpallur të Kosovës dhe njohjen e saj nga disa shtete...

XS
SM
MD
LG