Ndërlidhjet

Analistët: Maqedonia - në krizë të thellë politike


Maqedonia ndodhet në krizë të thellë politike si pasojë e veprimeve të fundit të presidentit Branko Cërvenkovski, për mosdekretimin e ligjeve dhe amnistimnin e një përfaqësuesi të lartë të opozitës maqedonase të akuzuar për korrupsion.

"Të gjitha këto veprime, përfshirë edhe ato të partive në pushtet për miratimin në procedurë të përshpejtuar dhe në mungesë të opozitës së shumë ligjeve, do të kenë pasoja të mëdha jo vetëm brenda vendit, por edhe në procesin e integrimit euroatlantik të Maqedonisë", vlerëson analisti politik, Albert Musliu.

Kriza e shfaqur politike mes pushtetit dhe opozitës duhet të zgjidhet vetëm përmes pushtetit gjyqësor, të cilit edhe i takon të vlerësojë se kush ka të drejtë, apo kush ka shkelur Kushtetutën dhe ligjet, thotë analisti politik, Albert Musliu, duke komentuar akuzat e partive në pushtet drejtuar presidentit Cërvenkovski për shpërdorim të detyrës në rastin e amnistimit të nënkryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, dhe mosdekretimin e ligjeve të miratuara nga Kuvendi.

“Sigurisht që kemi një tensionim të situatës politike. Por, si do të rregullohet kjo? Nëse shkohet në anën ligjore, duhet të presim vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese se kush ka të drejte apo kush ka bërë gabim, por sigurisht se nuk duhet t’i iket edhe përgjegjësisë, pasi këtu në Maqedoni, gjate 18 vjetëve të fundit, veprimet politike, qofshin ato të përgjegjshme apo të papërgjegjshme, kanë ngelur pa ndonjë ndëshkim politik apo edhe ligjor”.

“Pra, nëse dikush ka shkelur Kushtetutën, duhet të përgjigjet për atë, pasi është e pakuptueshme që një subjekt politik të sulmojë një subjekt tjetër politik, për shkelje të Kushtetutës dhe te mos merren masa ligjore”, tha Albert Musliu.

Sipas tij, me rëndësi për proceset demokratike në vend është që gjatë miratimit të ligjeve të ketë një debat më të gjerë publik. Hapat qe ka ndërmarrë presidenti arsyetohen nga ana e tij me përpjekjen për kthimin opozitës në Kuvend, por partitë në pushtet thonë se në rastin konkret më tepër bëhet fjalë për ndërhyrje të Cërvenkovskit në çështjet partiake, sesa në respektimin e kompetencave.

Analisti Musliu nuk ndërhyn në kundërthëniet mes dy institucioneve, por shton se mungesa e opozitës në Kuvend, nuk mund të pengojë shumicën parlamentare të miratojë ligjet, kjo në radhë të parë për shkak të numrave që ka, por, sipas tij, nuk është mirë për proceset demokratike që Kuvendi të funksionojë pa opozitë.

“Debati politik është vlera më e madhe e demokracisë, por debati politik nuk zhvillohet kur nuk kemi përfaqësues të opozitës. Nëse ka qenë i drejtë ose jo veprimi i opozitës për t’u larguar nga Kuvendi, është vlerësim që duhet të jepet nga ta. Por, çdo sjellje e ligjeve pa debate më të gjera, pamundëson realizimin më kualitativ të ligjeve”, shprehet zoti Musliu.

Iniciativa e presidentit Cërvenkovski, nga qarqe të ndryshme shihet edhe si përpjekje e tij për forcimin e pozitave si lider i ardhshëm i LSDM-së, kuptohet pas skadimit të mandatit të tij si president.

Në krizën më të re politike në vend kemi edhe afrimin e parë te kryetarit të PDSH-së, Menduh Thaçi, me presidentin Cërvenkovski, të cilët për gati 16 vjet kanë qenë edhe armiqtë më të mëdhenj politikë.

Analisti Musliu thotë se në politike gjithçka është e mundur.

“Nëse shkak i këtij bashkëbisedimi është ligji, atëherë mendoj se kjo është legjitime. Por, nëse ka mundur të tejkalohet ky animozitet ndërmjet dy personave të subjekteve politike shqiptaro-maqedonase, atëherë uroj që një bashkëpunim i këtillë të vendoset edhe mes vetë partive shqiptare, të cilat kanë edhe synime të njëjta politike në shumë sfera
”, deklaroi Albert Musliu.
XS
SM
MD
LG