Ndërlidhjet

PDSH kërkon që në Maqedoni të zbatohet modeli i Kosovës


Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë

Partia Demokratike Shqiptare kërkon që përdorimi i gjuhës shqipe në Maqedoni të rregullohet ngjashëm me përdorimin e gjuhës serbe në Kosovë. Për këtë qëllim, PDSH-ja ka përgatitur një propozim të ri për zyrtarizimin e gjuhës shqipe, i cili u është dorëzuar përfaqësive diplomatike. BDI-ja, nga ana tjetër, thotë se PDSH-ja si parti opozitare ka të drejtë të propozojë një ligj të këtillë, por pyet PDSH-në se pse këtë nuk e bëri derisa ishte në pushtet.

Partia Demokratike Shqiptare u ka shpërndarë zyrave diplomatike në Shkup propozim-ligjin e saj për zyrtarizimin e gjuhës shqipe në tërë territorin e Maqedonisë.

Propozim-ligji, sipas përfaqësuesve të PDSH-së, mundëson përdorimin e barabartë të gjuhës shqipe me atë maqedonase, sipas modelit të Kosovës, ku serbët si popullsi prej rreth 8 për qind kanë gjuhën e tyre zyrtare në tërë territorin e Kosovës, krahas gjuhës shqipe.

PDSH-ja, e cila kundërshton ligjin e miratuar për gjuhët nga shumica aktuale parlamentare, konsideron se propozimi i saj zgjidh përfundimisht edhe përdorimin e shqipes në Kuvend, në atë mënyrë që edhe seancat parlamentare do të udhëhiqeshin në gjuhën shqipe, ndërsa parashihet që të drejtën e komunikimit në gjuhën amtare ta kenë edhe ministrat shqiptarë.

Po ashtu, me propozimin e PDSH-së mundësohet që edhe komandat udhëheqëse në ushtri dhe polici të zhvillohen në gjuhën shqipe, sikurse që garantohet përdorimi i gjuhës shqipe në gjyqësi dhe prokurori.

PDSH-ja njoftoi se bëri të ditur që propozim-ligji për zyrtarizimin e gjuhës shqipe, pas pushimeve, do t`i dorëzohet Kuvendit të Maqedonisë.

"Është e drejtë e PDSH-së si parti opozitare të propozojë ligje të përkryera, por do të ishte edhe më mirë që këtë ta kishte bërë derisa kjo parti ishte në pushtet".

Kështu komenton propozimin e PDSH-së, koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Tahir Hani.

“PDSH-ja luan rolin opozitar dhe kuptohet që kërkesat e tyre janë kërkesa më të mundshme progresive. Por, dihet që PDSH-ja ka pasur dy mandate qeveritare; njëherë nga viti 1998-2002 dhe së dyti nga viti 2006-2008, për mundësinë apo shansin që të avancojë përdorimin e gjuhës shqipe në nivelin e duhur”.

“Tani BDI-ja arrin të miratojë një ligj dhe gjuhën shqipe ta shndërrojë në kategori ligjore. Kuptohet se ky ligj nuk i përmbush në mënyrë të përsosur kërkesat e shqiptarëve në nivel të shtetit, por është vendosur një bazament i mjaftueshëm, i cili pastaj edhe mund të avancohet”, tha koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Tahir Hani, duke shtuar se ligjet nuk janë të paprekura.

Ato mund edhe të ndryshohen drejt përsosmërisë së tyre, andaj, sipas tij, kjo do të jetë një ndër objektivat e BDI-së në periudhën e ardhshme.

“Ne, tani për tani, kemi sjellë një ligj për gjuhën shqipe dhe shpresoj se është një bazë e mirë për përdorim zyrtar të saj. Por, roli i PDSH-së është një rol opozitar që nuk nënkupton se kërkesat e saj janë joreale, por ato nuk janë në korelacion me kohën dhe hapësirën apo me mundësinë që të mund të realizohen në një periudhë kohore në nivelin absolut
”, tha Tahir Hani.

Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe është miratuar dy herë, pasi herën e parë presidenti i Republikës, Branko Cërvenkovski, refuzoi ta dekretojë atë, për shkak të një marrëveshjeje që kishte arritur me PDSH-në për kthimin e saj në Kuvend.

Sipas ekspertëve për çështje juridike, tani presidenti është i obliguar të firmosë ligjin, në të kundërtën do të konstatohet se kreu i shtetit ka shkelur parimet kushtetuese.
XS
SM
MD
LG