Ndërlidhjet

Times: "Si ra Gjeorgjia në kurthin e armiqve?"


TIMES

Kur një fitore nuk është është e tillë? Nuk është fitore kur dëmton imazhin e vendit, tremb aleatët dhe të fut në një luftë që nuk mund të fitohet me një kundërshtar shumë më të fortë.

Ky është parashikimi i zymtë për Gjeorgjinë këtë fundjavë, pas asaj që u duk një fitore e shpejtë ushtarake kundër regjimit separatist në Osetinë e Jugut. Sulmet e Gjeorgjisë erdhën pas javë të tëra provokimesh në rritje dhe shenjave për një përforcim të gjerës rus në rajon.

Duke iu falenderuar ndihmës amerikane 18 mijë ushtarët e Gjeorgjisë janë më të trajnuarit dhe të armatosurit më mirë në gjithë Kaukazin. Por është një gjë të përballesh me rebelët në rajonin e vogël të Osetisë Jugore, popullsia e së cilës nuk i kalon të 70 mijë banorët, dhe tjetër gjë është që një vend me më pak se 5 milionë banorë si Gjeorgjia të përballet me Rusinë 142 milionëshe.

Kremlini po reagon ashpër dhe aeroplanët luftarakë rusë po qëllojnë caqe në Gjerogji. Forcat shtesë janë dërguar. Nga ana tjetër proaganda e fuqishme e Rusisë është hedhur në veprim. Nuk kanë munguar as sulmet virtuale, ato kundër faqeve të internetit të Gjeorgjisë.

Rusia e di se kjo luftë më shumë se në fushëbetejë do të fitohet nga ai që fiton luftën mediale. Rusia po e portretizon Gjeorgjinë si agresor, një vend i paparashikueshëm që kërkon të vendosë kontrollin e vet përmes mjeteve ushtarake dhe "pastrimit etnik". Një vend i paraqitur në mënyrë të tillë nuk mund të marrë mbështetjen e Perëndimit.

Duket se kjo strategji po funksionon. Udhëheqësit evropianë prej kohësh kanë qenë dyshues ndaj Mihail Sakashvilit, presidentit të Gjeorgjisë, i cili plot karizëm dhe i arsimuar në Shtetet e Bashkuara erdhi në pushtet pas revolucionuit të purpurtë në vitin 2005.

Atje ku mbështetësit e Sakashvilit shohin sharm dhe mendje, kundërshtarët e tij si kancelarja gjermane Angela Merkel sheh një udhëheqës kokëfortë.

Shumë nga kritikat ndaj Sakashvilit janë të gabuara. Gjeorgjia nuk është një vend i përkryer, por nuk është diktaturë dhe nuk është një vend ideologjik, si është Kremlini një përzierje e nostalgjisë sovjetike me shovinizmin e kohërave cariste.

Gjeorgjia ka një shoqëri civile aktive, një opozitë të artikuluar dhe synon të anëtarësohet në BE dhe në NATO. Por arsyet morale nuk janë të mjaftueshme për të mbështetur Gjeorgjinë kundër agresionit të Rusisë.

Në thelb të kësaj mbështetje është një interes jetik i Perëndimit. Kërcënimi më i madh që Kremlini paraqet për Evropën është monopoli i Kremlinit ndaj rrugëve të eksportit të energjisë drejt Perëndimit. Një nga rrugët që e thyejnë monopolin rus është transportuesi nga Azerbaxhiani i pasur me burime energjitike drejt Turqisë, përmes Gjeorgjisë. Nëse Gjeorgjia dështon, dështojnë dhe shpresat e Evropës për pavarësi energjitike nga Rusia.

Megjithë këtë Perëndimi është i ndarë dhe i shpërqëndruar.

Amerika do të zemërohet pa masë nëse konfirmohet i vërtetë informacioni se aeroplanët rusë kanë sulmuar caqet ku gjenden këshilltarët ushtarakë të Pentagonit në Gjeorgji. Në të njëjtën kohë një president në prag të largimit nuk do të rrezikojë Luftën e Tretë Botërore për Gjeorgjinë.

Aleatët e Gjerogjisë në Evropë janë vende të vogla ish komuniste si Lituania, të cilat lihen në hije nga fuqia e shteteve si Gjermania. Berlimi i çmon marrëdhëniet me Rusinë mbi gjithçka tjetër.

Duket se Rusia është gati të godasë fort, me shpresën që të dërrmojë të mbrojturin e Perëndimit.

Me pak fjalë duket sikur Gjeorgjia ka rënë në kurthin e armiqve të saj. Skenari ka qenë si vijon: Së pari kemi provokime të jashtëzakonshme, të cilat më në fund çojnë në një përgjigje ushtarake të fuqishme, që shoqërohet edhe me një poshtërim diplomatik të Gjeorgjisë. Ideja se Gjeorgjia e kërkoi luftën është e pabazë. Rikthimi i kontrollit të Tbilisit në Osetinë Jugore ka qenë përparësi kryesore e autoriteteve për vite të tëra. Por askush nuk ka menduar se kontrolli do të vendosej me rrugë ushtarake. Strategjia e Gjeorgjisë ka qenë për të përdorur të ashtëquajturën "forcë e butë", duke e vënë theksin tek përparimi i rajonit çfarë ishtë në kontrast me izolimin dhe prapambetjen e Osetisë së Jugut.

Tani strategjia është shkatërruar. Ashtu si janë gjërat aktualisht, Gjeorgjia nuk do të luftojë për të fituar kontrollin mbi Osetinë e Jugut, apo për të zmbrapsur agresionin, por për të mbijetuar. Është shumë e vështirë të shohësh ndonjë rezultat të mirë nga kjo situatë.

Gjeorgjia dështoi të arrinte një fitore të shpejtë, veçanërisht dështoi pasi nuk vuri nën kontroll tunelin Roki nën malet e Kaukazit që përdoret nga trafikanët e që tani është rruga nga vijnë tanket ruse, të cilave Gjerogjia nuk mund t'i bëjë ballë për shumë kohë.

Ka edhe më keq. Rajoni tjetër separatist, ai i Abkazisë mund të fillojë një sulm të ri kundër Gjeorgjisë.

Luftimet duhet të jenë alarmi i fundit për zgjim për Perëndimin. Gabimi i madh u bë në takimin e NATO-s në Bukuresht, kur Gjeorgjisë nuk iu ofrua një shteg i qartë anëtarësimi në Aleancë. Sakashvili na tërhoqi vërejtjen se Rusia do të përfitonte nga çdo mosmarrëveshje, dobësi apo pavendosmëri e Perëndimit. Dhe Rusia e bëri.
XS
SM
MD
LG