Ndërlidhjet

Opozita ndodhet në fazën e konsolidimit


Branko Cërvenkovski
Branko Cërvenkovski

Pas mbarimit të mandatit të tij presidencial, Branko Cërvenkovski do të rikthehet në krye të Lidhjes Social-demokrate. Në ndërkohë partinë do ta udhëheqë kryetari i Komunës së Strumicës, Zoran Zaev. Por, analisti Dane Talevski thotë se cilido që të jetë lideri i ri LSDM-së, nuk do të mund të ndikojë në bashkimin e opozitës. Ndërsa, analisti Xhelal Neziri thotë se edhe partia shqiptare në opozitë, PDSH, është përfshirë në një krizë të madhe pas paralajmërimeve se nënkryetari i kësaj partie, Imer Selmani, mund të formojë subjekt të ri politik.

Presidenti Branko Cërvenkovski kthehet në postin e liderit të Lidhjes Social-demokrate të opozitës. Këtë vendim e ka marrë Këshilli ekzekutiv i kësaj partie, sipas të cilit, nënkryetari Zoran Zaev emërohet ushtrues detyre i kryetarit të partisë deri në skadimin e mandatit të presidentit Branko Cërvenkovski, për të cilin është rezervuar posti i kryetarit pas kthimit të tij në radhët e partisë.

Ish-lideri i LSDM-së, Vllado Buçkovski, tha se është më se e sigurt se Cërvenkovski do të marrë kryesimin e partisë në maj të vitit të ardhshëm, por nuk përjashtohet mundësia që anëtarësia, e jo organet partiake, në të ardhmen të zgjedhë kryetarin e partisë.

"Atmosfera shkon në atë drejtim. Unë jam i bindur se edhe sikur të pranohen ndryshimet statutare, sipas të cilave kryetari do të zgjedhej në zgjedhje të drejtpërdrejta, me mbështetje maksimale, presidenti i shtetit, Branko Cërvenkovski, në maj do të mund të zgjedhet lider i partisë", tha Buçkovski.

Por, analisti politik, Dane Talevski, deklaroi se lideri i ri i LSDM-së, qoftë ai edhe Branko Cërvenkovski, nuk është faktor i mjaftueshëm për konsolidimin e opozitës. Sipas tij, LSDM-ja ka nevojë për reforma të shumta në programin partiak.

"Lideri i ri duhet të ketë mbështetje të fuqishme brenda në parti dhe për këtë qëllim ata që kanë qenë deri më tani në kryesi, duhet që t’i lënë anash interesat e tyre personale. Përveç kësaj, LSDM duhet të ofrojë ptatformë dhe program, i cili do të tërheqë më shumë qytetarë, meqë pushteti aktual ka mbështetje të fortë tek popullata",
tha Talevski.

Ndërsa, analisti politik, Xhelal Neziri, tha se PDSH-ja është përfshirë nga një krizë e madhe, meqë paralajmërohet se nga gjiri i kësaj do të formohet një subjekt i ri politik, që do të drejtohet nga nënkryetari i kësaj partie, Imer Selmani.

"Paralajmërimi i Imer Selmanit si një figurë e kapshme për elektoratin se do të formojë një parti të re politike, është një goditje e fortë për partinë e tij të deritanishme, por, në të njejtën kohë, është një freski e skenës politike shqiptare në Maqedoni", tha Neziri, për të konstatuar se subjekti i ri politik mund ta zë vendin e Partisë Demokratike Shqiptare në skenën politike shqiptare.
XS
SM
MD
LG