Ndërlidhjet

Gjeorgjia padit Rusinë në Hagë


Selia e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë
Selia e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dje në Hagë ka filluar shqyrtimin e kërkesës së Gjeorgjisë, se shtetasit e saj i janë nënshtruar dhunës sistematike, evakuimit të dhunshëm dhe diskriminimeve të tjera nga trupat ruse, mercenarët dhe forcat separatiste në Osetinë Jugore dhe në Abkhazi, për më tepër se një dekadë. Kjo gjykatë e Kombeve të Bashkuara, këtë çështje do ta shqyrtojë edhe sot dhe nesër, ndërsa vendimi pritet të merret brenda një muaji.

Gjeorgjia po i kërkon Gjykatës së Kombeve të Bashkuara që t'ia ruajë të drejtën për mbrojtjen e gjeorgjianëve etnikë nga ajo që e quan politikë të kahmotshme ruse të diskriminimit në Osetinë Jugore dhe Abkhazi.

Të tilla akte të diskriminimit racor, Gjeorgjia deklaron se kanë rezultuar me vrasje të shumta të civilëve, me terrorizëm dhe eksod masiv të popullatës civile nga territori gjeorgjian.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me seli në Hagë, do të shqyrtojë kërkesën e Tbilisit që të ndëmerren masa për të ndaluar aktet e dhunës kundër gjeorgjianëve etnikë brenda territorit gjeorgjian, pas luftës së shkurtër që shpërtheu mes Rusisë dhe Gjeorgjisë në muajin e kaluar.

Tina Burjaliani, zëvendësministre e parë e Drejtësisë së Gjeorgjisë, iu ka adresuar gykatës në sesionin e hapjes.

"Gjeorgjia ende jeton nën hijen e fqinjit të fuqishëm, që kërkon të minojë pavarësinë e saj përmes politikës 'përçaj e sundo', një politikë që ia hoqi maskën fabrikës delikate e multietnike dhe i solli vuajtje të mëdha viktimave të saj", tha Burjaliani.

Rusia ka thënë se ka intervenuar ushtarakisht për të penguar, siç thuhet, gjenocidin mbi minoritetin e Osetisë Jugore, pasi që Gjeorgjia u përpoq ta rimerrte kontrollin në rajonin separatist më 7 gusht.

Pas veprimeve të Rusisë, luftimet u zgjeruan edhe në rajonin tjetër separatist, Abkhazi, dhe si rrjedhojë, Moska njohu pavarësinë e të dy republikave të vetëshpallura.

Ministri gjeorgjian i Drejtësisë, Nika Gvaramia, i tha përmes telefonit Radios Evropa e Lirë, se përmes seancave dëgjimore në Gjykatën e Hagës, duan të dëshmojnë krimet e kryera nga rusët.

"Kërkesa jonë është që të dëshmohet spastrimi etnik që është kryer nga ana ruse që nga vitti 1990 e deri më sot. Ky spastrim etnik u krye në Osetinë Jugore dhe në Abkhazi",
tha Gvaramia, duke shtuar se veprimet ruse kundër gjeorgjianëve po vazhdojnë ende.

"Ne konsiderojmë se kjo është çështje urgjente, pasi që tani spastrimi etnik është duke vazhduar, jo vetëm në fshatrat e zonës së konfliktit, por po ashtu në fshatrat përreth Gorit, Karelit - fshatra gjeorgjiane në kufi me zonën e konfliktit, sikurse edhe ne rajonin e Galit, në Abkhazinë e Epërme".

"Popullata gjeorgjiane është duke u deportuar nga këto vende. Natyrisht, Federata Ruse duhet të mbajë përgjegjësi për këtë, sepse ata tashmë kanë kontroll efektiv mbi atë pjesë", tha Gvaramia.

Gjeorgjia, në akuzën kundër Rusisë, thotë se që nga viti 1991, veprimet e Rusisë në lidhje me Osetinë Jugore dhe Abkhazinë kanë rezultuar me largimin e detyruar të 400 mijë qytetarëve gjeorgjianë.

Pavarësisht një marrëveshjeje të armëpushmit, që u kërkon trupave ruse të tërhiqen në pjesët ku ishin para 7 gushtit, Moska po e ruan një prani ushtarake në atë që e quan 'zonë të sigurisë', e cila gjendet në territorin gjeorgjian.

Të shtunën, Bashkimi Evropian njoftoi se do të dërgojë vëzhgues, për të monitoruar tërheqjen e Rusisë nga territori gjeorgjian.
XS
SM
MD
LG