Ndërlidhjet

“Komiteti i OKB-së miraton iniciativën e Serbisë”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOHA DITORE
Serbisë i është lejuar që në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të përfshihet kërkesa e saj për gjykimin e pavarësimit të Kosovës. Komiteti i Përgjithshëm i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ka dhënë dritën jeshile të mërkurën në Nju Jork, që burrështetasit e vendeve anëtare të këtij trupi, të dëgjojnë argumentet e Serbisë për pavarësimin e Kosovës. Jozyrtarisht mësohet se gjatë javës së ardhshme ka shumë mundësi që një gjë e tillë të ndodhë, mirëpo kjo çështje nuk është saktësuar në agjendën e nxjerrë të mërkurën nga ky komitet. Në argumentimin e saj, Serbia do të duhet të bindë shtetet e botës se pavarësimi i Kosovës ka qenë jolegal, dhe se për këtë çështje duhet kërkuar mendim juridik nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND). Me këtë vendim të Komitetit të Përgjithshëm, Serbia ka kaluar barrierën e parë në Kombet e Bashkuara për të nxjerrë në gjykim pavarësimin e Kosovës, ç'gjë është cilësuar nga shumë vëzhgues ndërkombëtarë si një sfidë për njohje të reja të pavarësisë së Kosovës...

KOSOVA SOT
Shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni, ka deklaruar të mërkurën se e kupton shqetësimin e qytetarëve për vonesë të njohjes së Kosovës nga vende të ndryshme të botës, sidomos të atyre nga Konferenca Islamike dhe Liga Arabe, por ka pohuar se ka lëvizje pozitive në këtë plan. Ai ka theksuar se çfarëdo vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës nuk do të prodhojë veprime juridike, por gjithsesi mund të shkaktojë dëme anësore, të cilat duhet të përpiqemi t'i evitojmë. Duke folur për krijimin e misioneve diplomatike, ministri Hyseni ka pohuar se është përgatitur Projektligji për Shërbimin Diplomatik të Kosovës, i cili i është dorëzuar Qeverisë dhe së shpejti pritet të shqyrtohet në Kuvend. Për mungesë të këtij ligji nuk janë zgjedhur ambasadorët e Kosovës, por të ngarkuarit me punë, të përkohshëm, ka thënë Hyseni, i cili ka premtuar se në të ardhmen Komisioni do të ketë rastin të debatojë për tre emra për çdo vend ambasadori. Hyseni ka elaboruar gjithë procedurën e krijimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, afatet e ngushta kohore për funksionalizimin e ministrisë, si dhe pengesat ligjore dhe financiare për një aktivitet më të dendur diplomatik, në funksion të nxitjes së njohjes së shtetit të Kosovës nga sa më shumë shtete, anëtare të OKB-së...

EXPRESS

Kryesia e Lidhjes Demokratike e Kosovës ka miratuar të mërkurën një sërë dokumentesh, të cilat do të shërbejnë si pikënisje për procesin e reformimit të kësaj partie. Zyrtarët e LDK-së, pas mbledhjes, nuk kanë qenë në gjendje të thonë se çka saktësisht përmbajnë këto dokumente, mirëpo janë shprehur se përmes tyre definohet kahja e procesit të reformimit. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se është miratuar një pako dokumentesh të rëndësishme. "Ne presim që shumë shpejt të definojmë çështjen e miratimit të këtyre vendimeve në Këshillin e Përgjithshëm dhe në Kuvendin e Punës të LDK-së, i cili është rrugë njëkahëshe", ka thënë ai. Mirëpo, Haziri nuk ka qenë në gjendje të thotë se kur do të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm dhe Kuvendi i Punës. Sipas tij, ende nuk është biseduar për data. Nënkryetari i parë i LDK-së, Eqrem Kryeziu, ka sqaruar se dokumentet kanë për qëllim veprimin në planin operativ dhe atë politik. Ndër tjera, sipas tij, është marrë vendimi për marrjen e vendimeve për grupet për zhvillimin e strategjisë së reformimit të partisë, rifreskimin e degëve, funksionimin e Këshillit të Përgjithshëm, hartimin e programeve të partisë...

LAJM
Ka filluar procesi i anëtarësimit të plotë i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN). Kryeministri Hashim Thaçi tashmë e ka emëruar edhe menaxherin e shtetit për bartjen e procesit të anëtarësimit të Kosovës në FMN. Ai është profesor doktor Driton Qehaja, njëherësh edhe këshilltar i kryeministrit për ekonomi. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi konfirmoi të mërkurën për "Lajm" se kryeministri Thaçi e ka emëruar këshilltarin e tij Driton Qehaja si përfaqësues për menaxhimin e procesit për anëtarësimin e Kosovës në FMN. "Delegacionet e FMN-së, që kanë qëndruar në Kosovë disa ditë, kanë biseduar me ne dhe kemi vendosur që ta kemi një person kontaktues që e përfaqëson Kosovën në këtë proces të anëtarësimit. Driton Qehaja, së bashku me disa ekspertë të tjerë që do t'i zgjedhë, do ta përgatisin komplet procesin dhe dokumentacionin e nevojshëm për anëtarësimin e plotë të Kosovës në FMN". Kuçi tha se konsultat tanimë kanë filluar dhe procesi për anëtarësim zgjat gjashtë muaj. "Ne besojmë se muaji mars i vitit të ardhshëm do ta gjejë Kosovën shtet anëtar të FMN-së", tha ai. Kosova ka aplikuar formalisht për anëtarësim në FMN dhe Bankën Botërore më 10 korrik të këtij viti...

ZËRI
Kriza parlamentare maqedonase do të zgjidhet duke njohur pavarësinë e Kosovës më 22 shtator, kanë konfirmuar për gazetën "Danas" burime nga partitë parlamentare shqiptare, me të cilat Nikola Gruevski të mërkurën ka pasur takime joformale, gjatë të cilave ka rënë dakord për njohjen e pavarësisë së Kosovës për shkak të stabilitetit të brendshëm. Burime të "Danas"-it në Shkup theksojnë se vendimtare për këtë ka qenë fakti se "dëgjueshmërinë" ndaj kabinetit të Gruevskit e ka anuluar Ymer Sylejmani, krah i këputur i Partisë Demokratike të Shqiptarëve, i cili ka qenë zëvendës i kryeministrit në qeverinë paraprake, në të cilën ka qenë PDSH-ja, kryetar i së cilës është Menduh Thaçi. Është krejtësisht e sigurt se daljen nga kriza qeveria në Shkup do ta arrijë me njohjen e Kosovës. Kjo do të ndodhë më 22 shtator dhe kjo do t'i kontribuojë stabilizimit në Shkup, por edhe pakësimit të tensioneve brenda partive parlamentare, në radhë të parë partive shqiptare, ka thënë për "Danas"-in burimi që ka insistuar të mbetet anonim. Po ky burim ka saktësuar se Bashkimi Evropian dhe SHBA janë të pakënaqura me faktin se vendet në rajonin e Ballkanit Perëndimor ende nuk e kanë njohur Kosovën dhe se ato për këtë arsye do të kenë edhe një presion shtesë politik...

EPOKA E RE
Qeveria e Malit të Zi do të deklarohet në lidhje me statusin e Kosovës pasi që Kombet e Bashkuara të vendosin nëse do ta pranojnë kërkesën e Serbisë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ta vlerësojë ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka shkruar të mërkurën gazeta podgoricase "Vijesti". "Nëse Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të debatojë në lidhje me këtë dhe nëse e refuzon kërkesën e Serbisë, Qeveria e Malit të Zi do ta njohë pavarësinë e Kosovës në një perspektivë të afërt", ka bërë të ditur burimi i kësaj gazete, i afërt me qeverinë. Në rast se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pranon që për këtë çështje të përfshihet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, qeveria, sipas të gjitha gjasave, do ta presë vendimin e kësaj gjykate, shkruan gazeta. Partitë në koalicionin qeverisës në Mal të Zi i kanë propozuar parlamentit që ta miratojë rezolutën për integrimin sa më të shpejtë të Malit të Zi në Bashkimin Evropian dhe në NATO, në të cilën përmendet edhe Kosova. Siç kanë vlerësuar analistët, debati parlamentar për këtë rezolutë do të ishte uverturë për njohjen e pavarësisë së Kosovës...

INFOPRESS
Vazhdohet të mos dihet se kur do të dihen emrat e tre zëvendësministrave, poste këto që që tre muaj janë bosh në Qeverinë e Kosovës. Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës të mërkurën ka mbajtur mbledhje, por nuk e ka diskutuar fare këtë çështje. Zyrtarë të LDK-së kanë thënë ndërkaq se kjo çështje më shumë është nën kompetencë të presidentit Fatmir Sejdiu dhe kryeministrit Hashim Thaçi. Ndërkohë, zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës kanë thënë se shumë shpejt do të dihet për emrat e zv/ministrave e posaçërisht i postit që u takon atyre. LDK duhet që të propozojë dy emra, një për postin e zv/ministrit të Tregtisë dhe Industrisë dhe një për zv/ministër të Ministrisë së Forcës së Sigurisë. PDK, ndërkaq, duhet që të gjejë një emër për zv/ministër të Punëve të Jashtme. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi. Haziri, ka thënë të mërkurën për gazetën se në mbledhjen e rregullt të kryesisë së kësaj partie nuk është diskutuar fare kjo çështje. Ai ka deklaruar se tashmë kjo çështje nuk është tërësisht punë e kryesisë së LDK-së, por më shumë i takon presidentit dhe kryeministrit. "Kemi pasur mbledhje, por nuk kemi diskutuar për këtë. Kemi diskutuar për çështje të tjera që kanë të bëjnë më LDK-në. Postet e zv/ministrave nuk janë edhe shumë çështje e kryesisë, por kjo ka mbetur të zgjidhet mes presidentit dhe kryeministrit", ka thënë Haziri...

BOTA SOT
Franca do të angazhohet për mbështetjen e Kosovës edhe në fushë të kulturës, shkencës e arsimit, përveç asaj politike, që e ka dhënë deri më tash dhe po e vazhdon, ka deklaruar ambasadorja e Republikës së Francës në Kosovë, znj. Delphine Borione, gjatë pritjes së bërë nga presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu. Ambasadorja Borione i solli letrat kredenciale të nënshkruara nga presidenti Nicolas Sarkozy. "Republika e Francës, bashkë me vendet e tjera të Bashkimit Evropian dhe me SHBA-të, ka qenë e rreshtuar fuqishëm në kompozicion e drejtë mbështetës për Kosovën", tha presidenti Sejdiu, duke ritheksuar falënderimin e qytetarëve dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës për ndihmën që ka dhënë Franca për vendin tonë. Po ashtu, presidenti Sejdiu e çmoi lart rolin që ka diplomacia franceze dhe veçmas presidenti Sarkozy dhe ministri i Punëve të Jashtme i Francës, Bernard Kuuchner, për mbështetjen e gjithanshme të Republikës së Kosovës nga vendet e Bashkimit Evropian, ku aktualisht Franca ka presidencën e radhës...
XS
SM
MD
LG