Ndërlidhjet

Debat i ashpër Biden - Palin


Republikania Sarah Palin dhe demokrati Joseph Biden gjatë debatit të tyre televiziv, 2 tetor 2008.
Republikania Sarah Palin dhe demokrati Joseph Biden gjatë debatit të tyre televiziv, 2 tetor 2008.

Kandidatët për zëvendëspresident të SHBA-ve, republikania Sarah Palin dhe demokrati Joseph Biden, gjatë debatit të tyre televiziv, shkëmbyen akuza të ndërsjella. Ata shfaqën pikëpamjet e tyre dhe të kandidatëve për president për shumë çështje, por mbizotëruan ato për politikën e jashtme dhe krizën ekonomike.

Guvernatorja Sarah Palin iu drejtua senatorit Biden, duke thënë se ajo dhe kandidati republikan, McCain, do të sjellin ndryshime në Uashington.

“I respektoj vitet e juaja në Senatin amerikan, por mendoj se amerikanët kanë dëshirë për diçka të re dhe të ndryshme, që sjell energji dhe përkushtime të reja për reforma. Mendoj se për këtë arsye ne duhet ta dërgojmë senatorin McCain në Shtëpinë e Bardhë dhe unë jam e lumtur t'i bashkohem atij atje", tha Sarah Palin.

Senatori Biden e akuzoi zotin McCain se ka pozicione të njëjta sikur presidenti aktual, George Bush, për Irakun, Iranin, Afganistanin dhe Pakistanin. Senatori Biden tha se ai dhe Barack Obama do të sjellin ndryshime dhe ripërtëritje të pozicionit të respektit të Shteteve të Bashkuara në botë.

“Nuk kam dëgjuar se si politika e tij në Afganistan do të jetë e ndryshme nga ajo e George Bushit. Nuk kam dëgjuar se si politika e senatorit McCain për Pakistanin do të jetë e ndryshme nga ajo e George Bushit. Mund të ketë dallime, por, tash për tash, është e njëjtë me politikën e George Bushit. Ju e dini se ku na kanë sjellë këto politika. Unë dhe senatori Obama do të bëjmë ndryshme të rëndësishme, kështu që përsëri Amerika do të jetë vendi më i respektuar në botë”, tha senatori demokrat, Joseph Biden, në duelin e mbrëmshëm televiziv me republikanen Sarah Palin.

Njëra nga temat që u trajtua në debatin televiziv, që u mbajt në Sent Luis të shtetit Misuri, ishte edhe lufta në Irak.

Republikania Sarah Palin e kundërshtoi planin e kandidatit demokrat, Barack Obama, për tërheqjen e forcave amerikane nga Iraku, duke e vlerësuar këtë si "dorëzim".

Më tutje ajo theksoi:

“Ne do ta dimë se kur do të përfundojmë në Irak. Kjo do të ndodhë kur Qeveria e Irakut do ta qeverisë popullin e vet dhe kur forcat e sigurisë në Irak do ta sigurojnë popullin e vet. Kjo do të ndodhë po ashtu kur komandantët tanë në terren do të na thonë se këto kushte janë plotësuar. Kryeministri Maliki dhe presidenti Talabani, duke punuar me ne, do ta dinë se ne jemi gjithnjë e më afër te kjo pikë, se fitorja po dallohet në horizont”, tha republikania Sarah Palin.

Kandidati demokrat për zëvendëspresident, Joseph Biden, u përgjigj duke thënë se senatori McCain kishte qëndrime "jashtëzakonisht të gabuara" sa i përket Irakut. Ai pastaj e përshkroi planin e kandidatit demokrat Obama për kalimin e përgjegjësive tek irakianët dhe për tërheqjen graduale të trupave luftarake amerikane.

Senatori Biden theksoi se Shtetet e Bashkuara po shpenzonin 10 miliardë dollarë në muaj në Irak, ndërsa Qeveria irakiane ka një tepricë prej 80 miliardë dollarësh.

“Baracku thotë se është koha për ata që t'i shpenzojnë të hollat e veta, kur 400 mijë ushtarët që ne i kemi stërvitur të fillojnë ta marrin përgjegjësinë dhe gjatë tërheqjes graduale brenda 16 muajsh. Dallimi fundamental ndërmjet Obamës dhe zotit McCain është se ne do ta përfundojmë këtë luftë, ndërsa për senatorin John McCain nuk shihet përfundimi i saj”, tha Joseph Biden.

Sa i përket krizës aktuale ekonomike, zonja Palin e akuzoi qeverinë se nuk ka zbatuar mbikëqyrje të duhur në tregjet financiare dhe tha se senatori McCain do ta çrrënjosë korrupsionin në Wall Street, duke imponuar rregulla.

Senatori Joseph Biden e akuzoi republikanin McCain se është jashtë rrjedhave ekonomike në Shtetet e Bashkuara, duke e cituar një deklaratë të tij, pak para fillimit të krizës së fundit financiare, se themelet e ekonomisë amerikane janë të fuqishme.
XS
SM
MD
LG