Ndërlidhjet

“Shtrirja e pjesshme e EULEX-it rrezikon me ndarje”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
INFOPRESS
Në kohën kur pavarësinë e Kosovës e kanë pranuar 51 shtete, ish-ndërmjetësi i Bashkimit Evropian për statusin e Kosovës, Wolfgang Ischinger, ende mendon se mund të hapen bisedime të reja mes Prishtinës dhe Beogradit. Madje, ai është shprehur i bindur se bisedimet për statusin e Kosovës do të ishin në favor të të dy palëve. Por, ndryshe mendojnë institucionet e Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Presidenca shprehen shkurt që mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ketë kurrfarë bisedimesh për statusin, përveçse për probleme që i preokupojnë të dyja vendet. Kosova mund të hyjë në dialog vetëm si shtet i pavarur dhe të bisedojë për gjithçka tjetër, por jo për statusin. “Çfarëdo propozimi për bisedime për statusin e Kosovës është joreal”, deklaron zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi...

EXPRESS
Kombet e Bashkuara kanë dërguar në Kosovë një nga pesë ekspertët më të mirë të saj për ndërmjetësim në çështje të ndërlikuara, detyra e të cilit është gjetja sa më e shpejtë e zgjidhjeve për gjashtë pikat e propozuara nga Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Moon, që kanë të bëjnë me vendbanimet me shumicë serbe. Andrew Ladley, nga Zelanda e Re, ka ardhur në mision javën e kaluar dhe tash është vënë në krye të ekipit të UNMIK-ut që është përfshirë në bisedime intensive më zyrtarë të Kosovës dhe Serbisë. “E ka dërguar OKB. Ai është një negociator me përvojë. Po bisedon me Prishtinën e Beogradin për gjashtë pikat...”, ka thënë për Express zëdhënësi i UNMIK-ut, Alex Ivanko. I pyetur nëse ka përparime në bisedime, ai tha se “është shumë vështirë të thuhet”...

KOHA DITORE
Fuqitë botërore ende nuk kanë nxjerrë një formulë të saktë se si do ta shtrijnë misionin e BE-së për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë (EULEX), nëse Beogradi nuk jep dritën jeshile për këtë punë. Burime të gazetës, nga njëri prej vendeve kyçe evropiane, thonë se zbarkimi i EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës, madje edhe në ato vise problematike, do të varet nga Serbia dhe vullneti i saj, sepse ndryshe do të ketë shtyrje të reja... Burime perëndimore të gazetës paralajmërojnë se edhe pse shtrirja e EULEX-it në tri të katërtat e territorit të Kosovës është fakt i kryer, pa pasur garanci për gjithë vendin, një zbarkim i tillë ka pak gjasa që të ndodhë. “Zbarkimi i EULEX-it në jug e jo në veri do të betonojë doktrinën e ndarjes së Kosovës. Andaj, do të jetë shumë e vështirë që të binden vendet që kanë njohur Kosovën se duhet vepruar kështu...”, thonë burime të gazetës...

BOTA SOT
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka përjashtuar të hënën çdo mundësi të ndikimit të Beogradit në vendosjen e EUELX-it në mbarë territorin e Kosovës. I pyetur nëse duhet të pyetet Beogradi për një gjë të tillë, Sejdiu ka thënë shkurt: “Asnjëherë”. Këtë përgjigje decidive e definitive, presidenti Sejdiu e ka bërë në një konferencë shtypi pas takimit që pati me zonjën Elisaberth Walaas, zëvendësministre e Punëve të Jashtme e Norvegjisë. Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, e falënderoi zonjën Walaas për vendimin e Mbretërisë së Norvegjisë për ngritjen e nivelit të përfaqësimit diplomatik të saj në Kosovë, në nivel ambasade...

ZËRI
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës deklaroi të hënën në Prishtinë, se kreu i Qeverisë, Hashim Thçi, ka keqinformuar qytetarët e vendit, duke keqinterpretuar dikë tjetër në vend të tij, lidhur me projektin për kthimin e juridiksionit në veriun e vendit. Këto komente, Ramush Haradinaj i bëri pasi kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në seancën e kaluar të Kuvendit të Kosovës, e quajti si ide individuale dhe të paqëndrueshme deklaratën e Haradinajt, që në përpjekje për të integruar veriun e Kosovës, t’u ndihmohet qytetarëve serbë me para. Haradinaj tha se kreu i Qeverisë është i thirrur të japë përgjigje për njerëzit e vendit, t’i japë planet e veta, “ndërkaq nuk është në praktikë që ai t’i komentojë planet e të tjerëve, e sidomos në demokraci, ku ka etikë, nuk ka të drejtë për t’i keqinterpretuar të tjerët, mos me thënë me gënjye”...

KOSOVA SOT
“Ambasadorët” e parë të shtetit të Kosovës kanë mbërritur në vendet pritëse, ndërsa të tjerët pritet t’i pasojnë së shpejti. Anomalia e parë është se ata e nisin punën si “të ngarkuar me punë” dhe jo bash si ambasadorë të mirëfilltë. Ky është fillimi i diplomacisë së shtetit tonë, me një emergjencë të kuptueshme për shkak të rrethanave. Pa ndonjë përvojë në profesionin e diplomatit, të përzgjedhurit e Thaçit dhe Sejdiut do ta nisin aktivitetin e tyre rëndom në ndonjë dhomë hoteli ose banesë me qira. Fundja, kjo s’është dramatike, sepse plot misione fillimisht mund të nisin kështu. Detajet e akomodimit të të ngarkuarve me punë të Republikës së Kosovës apo edhe vetë mungesa e shumë shprehive që duhet t’i kenë diplomatët që udhëheqin misione të tilla, gjithsesi nuk janë hendikepi kryesor në këtë fillesë të diplomacisë kosovare. Pengesa më e fortë është një mungesë tjetër, më e madhe dhe që rëndon mbi të gjithë. “Ambasadorët” kosovarë fillojnë punën pa pasur një strategji ku do ta mbështesnin punën e tyre dhe kjo është një e metë ë këtij procesi...

EPOKA E RE
Konsideron se Kosovës në realitet po i mungon shumë Lidhja Demokratike e Kosovës. “Po i mungon LDK-ja e vërtetë”. Mendon se skena politike e Kosovës është varfëruar tepër shumë me shkatërrimin e LDK-së si forcë politike. U ka përkujtuar kolegëve të shtëpisë së vjetër që, për të, kjo shtëpi, pas vdekjes së presidentit Rugova, nuk ekziston më. Ka thënë se në skenën politike ka mbetur një LDK me një frymë pseudo-rugoviane. I është kundërpërgjigjur Kryesisë së LDK-së, duke iu bërë thirrje anëtarëve të LDK-së, që në shpirt dhe në zemër kanë vizionin rugovian, frymën edhe konceptin e presidentit Rugova, të kthehen në LDD. “Mendoj se këta anëtarë të LDK-së mund ta gjejnë veten shumë më të qetë dhe të relaksuar në LDD, sesa në LDK”... Flet për Epokën e Re, nënkryetari i LDD-së, Adem Salihaj...

LAJM
Në Kosovë nuk ka statistika të qëndrueshme për papunësinë, rritjen ekonomike, për GDP-në, ndërsa të vetmet statistika të qëndrueshme janë ato të shpenzimeve qeveritare. Kjo u tha në një debat, i organizuar të hënën nga Instituti Riinvest , duke paraqitur edhe një herë një hulumtim socio-ekonomik, i zhvilluar nga ky institut para grupeve të interesit. Sipas këtij, mbetet i paqëndrueshëm paralajmërimi qeveritar se këtë vit do të ketë rritje ekonomike prej 6 për qind, sepse kjo rritje, sipas hulumtimit, edhe këtë vit do të jetë vetëm tre për qind. Pjesëmarrësit në këtë debat e kritikuan punën e qeverive të deritanishme të Kosovës dhe të Shtyllës së IV të UNMIK-ut, të cilat e kanë lënë vendin pa një strategji afatgjatë zhvillimore...
XS
SM
MD
LG