Ndërlidhjet

WSJ: "Kandidatët presidencialë"


"Wall Street Journal"

Është ky një moment vendimtar për historinë amerikane, shkruan në numrin e sotëm të së përditshmes amerikane WSJ, kandidati demokrat për president, senatori Barack Obama.

"Nesër ju mund t’i jepni vendit tonë ndryshimin për të cilin kemi nevojë", shkruan zoti Obama, duke e cilësuar kundërshtarin e tij, senatorin republikan, John McCain, si shërbyes të ndershëm për vendin, por i cili në tetë vjetët e fundit ka votuar për politikat e presidentit George Bush në 90 për qind të rasteve.

Senatori demokrat shkrimin e tij autorial e ka përqendruar më shumë tek kriza aktuale ekonomike, për të cilën ai akuzon senatorin McCain se nuk ka ofruar ndonjë zgjidhje që do ta dallonte atë nga presidenti Bush.

"Nëse diçka kemi mësuar nga kjo krizë ekonomike, atëherë ai mësim është se në të jemi të gjithë së bashku. Nga udhëheqsit e kompanive e deri tek ata që kanë aksione, nga financuesit e deri tek punonjësit nëpër fabrika, të gjithë ne kemi pjesë në suksesin e njëri-tjetrit, sepse aq më shumë që amerikanët të përparojnë, aq më shumë do të përparojë vendi ynë", shkruan zoti Obama, duke ngritur edhe çështjen e krijimit të vendeve të reja të punës, një sistem më të mirë shëndetësor dhe qasje më të përshtatshme për shkollim.

Duke folur ndërkaq për sigurinë e Shteteve të Bashkuara, kandidati presidencial, Barack Obama, ka premtuar se do t'i japë fund luftës në Irak, duke shkurtuar kështu edhe shpenzimet prej 10 miliardë dollarësh në muaj në Irak.

"Për hir të ekonomisë sonë, të ushtrisë sonë dhe stabilitetit afatgjatë në Irak, koha është që irakianët të zënë vendin e tyre. Do t'i jap fund edhe luftës kundër Bin Ladenit dhe terroristëve të Al Qaedas, duke ndërtuar partneritete të reja për të mposhtur kërcënimet e shekullit të 21-të dhe për të rivendosur parimet tona etike, në mënyrë që Amerika të mbetet shpresa e vetme dhe më e mira në botë".

Duke iu drejtuar votuesve amerikanë, senatori Obama kërkoi prej tyre që nesër, në ditën e votimeve, ata të shkruajnë kapitullin e ardhshëm të vendit.

"Kërkoj nga ju të besoni jo vetëm në aftësinë time për të sjellë ndryshime, por në aftësitë tuaja. Mund të zgjedhni shpresën përballë frikës, unitetin përballë ndarjes, zotimin për ndryshim përballë status-quos. Nëse më jepni votën, ne jo vetëm që do t'i fitojmë zgjedhjet, së bashku do ta ndryshojmë vendin tonë dhe do ta ndryshojmë botën", shkruan në fund Barack Obama për të përditshmen WSJ.

Në të njejtën gazetë shkruan edhe kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara, senatori John McCain, i cili kohën e zgjedhjeve e ka cilësuar si moment thelbësor.

"Vendi ynë është duke i luftuar dy luftëra, vuan nga kriza më e rëndë globale që prej Depresionit të Madh dhe përballet me një recesion të dhembshëm. Unë besoj në madhështinë e Amerikës", shkruan zoti McCain, duke kërkuar veprime të menjëhershme për të dalë nga kjo gjendje.

Duke u zotuar për një qasje të ndryshme nga administrata aktuale dhe nga planet që Barack Obama ka prezantuar, senatori McCain gjithashtu premtoi shtimin e vendeve të punës, përmirësimin e sistemit shëndetësor dhe të shkollimit.

Për planin e senatorit Obama, ndërkaq për krizën financiare, ai shkruan se herën e fundit që Amerika rriti taksat dhe kufizoi tregtinë, hyri në një periudhë të rëndë ekonomike që çoi deri tek Depresioni i Madh.

"Dhe, përderisa shumica e amerikanëve me të drejtë janë të shqetësuar për krizën ekonomike, një botë plot me sfida përballë sigurisë kombëtare e presin presidentin e ardhshëm", shkruan senatori McCain.

"Përparimet që trupat tona kanë bërë në 18 muajt e fundit në Irak mund të zhbëhen nëse tërheqim para kohe ushtarët prej andej, pavarësisht nga kushtet në terren. Edhe Afganistani është duke arritur pikën kulmore njësoj si Iraku më 2006", shkruan senatori McCain, duke ngritur domosdoshmërinë për të pasur një strategji të re dhe të zgjeruar në këtë drejtim.

"Kur të bëhem president, nuk do të ofroj takime të pakushtëzuara me diktatorë të rrezikshëm dhe nuk do heq dorë nga mjetet tona diplomatike që shërbejnë për interesat tona. Unë do ta mbyll qendrën e burgimit në Guantanamo Bay dhe do ta ndaloj torturën".

Edhe zoti McCain, në fund të shkrimit u është dtejtuar votuesve amerikanë, duke shprehur bindjen e tij se Amerika është një vend i jashtëzakonshëm, që kërkon lidership të jashtëzakonshëm.

"Pas vështirësive të tetë vjetëve të fundit, amerikanët janë të uritur për ndryshime dhe ata e meritojnë një gjë të këtillë. Karriera ime i është përkushtuar sigurisë dhe përparimit të Amerikës dhe çdo vendi tjetër që kërkon të jetojë në liri. Koha është që ta kthejmë vendin tonë dhe botën tonë në binarë të duhur", shkruan në fund John McCain për të përditshmen WSJ.
XS
SM
MD
LG