Ndërlidhjet

Kush është Barack Obama?


Barack Obama dhe gjyshërit e tij, Stanley dhe Madelyn Dunham
Barack Obama dhe gjyshërit e tij, Stanley dhe Madelyn Dunham

"Nuk ka Amerikë liberale dhe Amerikë konservatore. Ka Shtete të Bashkuara të Amerikës... Nuk ka Amerikë të zezë, Amerikë latine dhe Amerikë të aziatikëve, ka Shtete të Bashkuara të Amerikës", ka thënë Obama.




Presidenti i ri amerikan, Barack Hussein Obama, i cili do të inaugourohet më 20 janar, 2009, është senator 47 vjeçar që përfaqëson shtetin qendror të Illinoisit.

Presidenti i 44-të i Shteteve të Bashkuara ka lindur më 4 gusht, 1961, në Honolulu të Hawait, nga prindër që janë njohur gjatë studimeve në Universitetin e Hawait.

Nëna e tij, Ann Dunham, ishte një grua e bardhë nga Kansasi, ndërsa babai, Barack Obama i vjetri, ishte një zezak nga Kenia.

Kur Obama kishte dy vjet, prindërit e tij u divorcuan, ndërsa babai i tij shkoi të studjojë në Universitetin e Harvardit. Obama e pa të atin vetëm edhe një herë, kur ishte 10 vjeç. Nëna e tij u martua dhe u transferua në Indonezi, ku Obama ndoqi shkollën fillore. Divorci i saj i dytë bëri që Obama të kthehet në Hawai në moshën 10 vjeçare.

Si djalë i ri, Obama ishte i zgjuar, por gjysëm-motra e tij, Maya Soetero-Ng, thotë se ai "udhëhiqej nga ambiciet", në vend që të luajë basketboll apo të notojë në oqean.

Kur karriera e antropologjisë e dërgoi prapë të ëmën në Indonezi, Obama mbet në Hawai për të ndjekur shkollën e mesme dhe ishte nën përkujdesjen e gjyshërve nga nëna, Maleyn dhe Stenley. Ai e ka përshkruar gjyshen e vet si "gurthemel i jetës sime". Ajo vdiq më 2 nëntor, vetëm dy ditë para se ai të zgjedhet president.

Si adoleshent, interesimi i Obamës përfshinte golfin dhe letrat, këndimin në kor, por shumicën e kohës basketbollin.

Në memoaret e tij të titulluara "Guximi i Shpresës", Obama rikujton se basketbolli ishte vendstrehimi i tij, i adoleshentit me racë të përzier, i cili aty filloi të mendojë për identitetin.

Ai shkroi: "Të paktën në fushën e basketbollit mund të gjeja pjesëtarë nga të gjitha komunitetet. Ishte ky vendi ku krijova miqësitë më të ngushta, ku të jesh zezak nuk ishte disavantazh".

Obama i filloi studimet universitare në Kolegjin Occidental në Los Angeles, ku e bëri hapin e parë në politikë, duke folur në një tubim kundër aparthejdit.

Por, ai deshi më shumë se sa mund të ofronte një universitet i vogël, prandaj shkoi në New York dhe u regjistrua në Universitetin Columbia, ku diplomoi në shkencat politike. Ishin këto vite për të cilat ai pranoi se ka përdorur marihuanë dhe kokainë, droga të cilat i quajti "dështimi më i madh moral".

Gjatë kohës që ishte në New York, mësoi se babai, të cilin asnjëherë nuk mundi ta njohë me të vërtetë, ka vdekur në një aksident trafiku. Vizita e parë e Obamës në Kenia kishte për qëllim të vizitojë varrin e të atit.

Pas New Yorkut, Obama vendosi të punojë në Chicago si organizator i komunitetit, i cili i inkurajonte njerëzit të marrin pjesë në procesin politik për t'i përmirësuar jetët e tyre.

Ai nuk e njihte askënd në Chicago dhe puna i paguhej shumë pak. Për tre vjet, Obama punoi me udhëheqësit e kishës dhe banorët që përballeshin me humbjen e vendeve të punës.

Njeriu që e punësoi, Gerald Kellman, e kujton Obamën si njeri "shumë efikas në mbledhjen e njerëzve për të punuar bashkë dhe ndërtimin e aleancave". Vetë Obama i ka quajtur këto tre vjet si "edukimi më i madh që kishte marrë".

Gjatë verës punonte në një firmë ligjore në Chicago, ku u takua me gruan e tij të ardhshme, Michelle Robinson, e cila kishte diplomuar në Harward, dhe vinte nga një famlije punëtorësh në Chicago. Ata u martuan dhe kanë dy fëmijë, Malia,10 vjeçe, dhe Sasha, 7 vjeçe.

Më pas, Obama punoi si ligjërues në Universitetin e Chicagos, ndërsa karrierën politike e filloi më 1996 kur garoi për senatin e shtetit Illinois, ku u bë i njohur si liberal, që bashkëpunonte edhe me konservatorët.

Aty me sukses kaloi ligje për reforma etike, zgjeroi kujdesin shëndetësor për fëmijët e varfër dhe i ndryshoi ligjet për profilet racore, dënimin me vdekje dhe hetimin e të dyshuarve për vrasje.

Tetë vjet më pas, ambicja e Obamës u rrit dhe në vitin 2004 u fut në garë për në Senatin e Shteteve të Bashkuara. Gjatë fushatës, Obama tubonte demokratë të njohur, si ish-kandidatin presidencial, John Kerry, i cili i kërkoi të mbajë një fjalim në Konventën Kombëtare të Demokratëve.

"Nuk ka Amerikë liberale dhe Amerikë konservatore. Ka Shtete të Bashkuara të Amerikës... Nuk ka Amerikë të zezë, Amerikë latine dhe Amerikë të aziatikëve, ka Shtete të Bashkuara të Amerikës... Të ashtuquajturit ekspertë duan që ta ndajnë vendin tonë në shtete të kuqe dhe të kaltërta, të kuqet për republikanët, të kaltërtat për demokratët. Ka patriotë që e kundërshtojnë luftën në Irak dhe patriotë që e mbështesin luftën në Irak. Ne të gjithë jemi njësoj, të gjithë jemi betuar para flamurit se do t'i mbrojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës", tha Obama.

Fjalimi gjithmonë do të mbahet në mend si shkëlqim i yllit të Obamës. Disa muaj më vonë, ai i fitoi zgjedhjet për Senat me 70 % të votave, dhe pothuaj menjëherë filluan të qarkullojnë zëra se Obama do të duhej të konsiderojë të garojë për president.

Më 10 shkurt, 2007, Barack Obama qëndroi në shkallët e Kapitolit të Vjetër në Springfield, Illinois, dhe shpalli se do të garojë për president të Shteteve të Bashkuara.

Ishte vendi i njëjtë ku në vitin 1858, Abraham Lincoln, e mbajti fjalimin historik të quajtur: "Shtëpia e Ndarë nuk Mund të Qëndrojë".

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG