Ndërlidhjet

NYT, WP, Times: "Presidenti Obama"


"New York Times", "Washington Post", "Times".

Është ky një nga ato momentet në histori, kur ia vlen të ndalesh dhe të pasqyrosh mbi faktet bazike: një amerikan me emrin Barack Hussein Obama është zgjedhur presidenti i 44-të i Shteteve të Bashkuara. Kështu nis shkrimi në numrin e sotëm të së përditshmes amerikane New Yorj Times.

Gazeta shkruan se fitorja e tij ka qenë vendimtare dhe bindëse, për faktin se ai ka prekur atë që nuk është në rregull me Amerikën: dështimin e plotë të qeverisë për të mbrojtur qytetarët e saj.

Zoti Obama do të ketë në duar një tarshëgimi të tmerrshme. Vendi është i mbërthyer në dy luftëra – një të pashmangshme në Afganistan dhe në një tjetër të pakuptimtë në Irak.

Fushata ka filluar me luftën si temë qendrore debatesh, por, në ditën e zgjedheve, amerikanët e gjetën veten të shqetësuar mbi të ardhmen e tyre dhe dështimin e qeverisë për të parandaluar kolapsin ekonomik, i cili është ushqyer nga lakmia dhe çrregullimi total.

Zoti Obama tani ka nevojë për mbështetjen e të gjithë amerikanëve, shkruan gazeta. John McCain ka bërë një koncesion elegant gjatë natës së mbrëmshme, duke i ftuar mbështetësit e tij jo vetëm që ta nderojnë votën, por të qëndrojnë prapa zotit Obama.

Sfidat e shumta të vendit janë përtej kapaciteteve të një njeriu apo një partie politike, shkruan në fund NYT.

E përditshmja tjetër amerikane, Washington Post, shkruan se fitorja e Barack Obamas është thelbësore për ndryshimet që ajo sjell, për ripozicionimet gjeografike që pasqyron dhe përparimet raciale. Mbi të gjitha, fitorja e zotit Obama është e rëndësishme për mundësitë që ofron për ta vënë vendin në një rrugë të re dhe më të mirë.

Zoti Obama nuk mund ta fshijë trashëgiminë e zotit Bush, por ai ka shansin ta përmirësojë imazhin e Amerikës në botë, duke u dhënë fund praktikave të dëmshme sikur që është tortura dhe paraburgimet e pafundme, gjëra të cilat kanë dëmtuar Amerikën në sytë e aleatëve.

Kur mbështetëm zotin Obama për president, ne nuk përmendëm racën, për arsyen e thjeshtë se raca nuk pati rol në vendimin tonë, shkruan WP. Megjithatë, amerikanët nuk mund të mos preken nga realiteti se kanë zgjedhur një president afrikano-amerikan.

Zoti Obama ka lindur në një kohë kur shumë shtete do të ndalonin martesën e prindërve të tij. Atëherë, e madje edhe para disa vitesh, vështirë se dikush do të kishte mundur ta parashikonte ditën e sotme, shkruan WP.

Barack Obama përmbush ëndrrën, është titulli i së përditshmes tjetër, Times, duke rikujtuar se 40 vjetë pas vrasjes së Martin Luter Kingut, Shtetet e Bashkuara zgjedhin një president afrikano-amerikan. Fitorja ishte e palëkundshme dhe çfarëdo që të pasojë, bota sot ka ndryshuar. Brohoritjet e turmave të gëzuar në Chicago do të ndihen gjithandej në botën e lirë, shkruan Times.

Me këtë nuk mund të zhvlerësohet as kandidati republikan, John McCain, për të cilin dihet se është njeri i guximshëm dhe njeri i mirë. Por, që nga dita e sotme, një fëmijë me ngjyrë i lindur në Amerikë, do të shikojë vendin e tij me sy krenarë, me ndjenjën se zyra më e lartë do të jetë e hapur për të.

Do të vijë koha së shpejti kur pyetje të vështira do të parashtrohen për presidentin Obama, shkruan gazeta, duke numëruar disa nga çështjet: A është pavarësia energjetike e mundshme? A mund të ketë reforma në shëndetësi në mes të një recesioni? Sa shpejt do të mund të tërhiqet ushtria amerikane ngë Iraku?

Megjithatë, thelbi i presidensës së Barack Obamës është privilegji për të pasur mundësi të shkruash këtë fjali: Një njeri me ngjyrë është zgjedhur në zyrën më të rëndësishme në vendin më të fuqishëm në botë dhe, për të huazuar një nga shprehjet e tij, erërat e mira po fryjnë drejt shpinës së tij, shkruan në fund Times.

XS
SM
MD
LG