Ndërlidhjet

TOL: “Ballkani, në periferi të rendit të ri botëror”


Transitions OnLine & Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë

Administrata e re amerikane, sipas të gjitha gjasave, do të shohë nga Evropa që të jetë forcë drejtuese në Ballkan.

Në informacionet e mëngjesit që i jepen presidentit amerikan, Ballkani përmendet rrallë. Që kur Kosova shpalli pavarësinë, momenti që tha fjalën e fundit në procesin e gjatë të negociatave që pasuan bombardimet e NATO-s, Shtetet e Bashkuara e kanë parë punën e tyre në rajon si të realizuar. Dhe, me të drejtë.

Gjatë 12 vjetëve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë investuar më shumë në planin financiar, politik e ushtarak në Ballkan, se Bashkimi Evropian. Dhe, është ky i fundit që e ka Ballkanin në periferi të vet. Për fat të mirë, rajoni nuk ka prodhuar konflikte dhe jostabilitet së fundi.

Kur më 20 janar të 2009-ës Barack Obama do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë si president, çfarë do të ndryshojë për Ballkanin?

Ashtu siç pritej, udhëheqësit në rajon zyrtarisht e mirëpritën zgjedhjen e Obamës. Më entuziasti ishte presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili në mesazhin e urimit shkruante, mes të tjerash, se "shqiptarët dhe gjithë bota patën një natë pa gjumë, duke pritur rezultatet e zgjedhjeve". Dhe, kjo, sipas të gjitha gjasave, është e vërtetë.

Shqiptarët në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoni vazhdojnë të jenë më pro amerikanët në Ballkan, si dhe në mesin e popullsive myslimane në gjithë botën. Ata shpresojnë se politikat amerikane do të vazhdojnë në të njëjtin drejtim, ashtu si ato që siguruan jo vetëm pavarësinë e Kosovës, por edhe ftesën e Shqipërisë për anëtarësim në NATO.

Në Serbi, ku politikanët nuk kishin aleatë në administratën Bush, shpresojnë që raportet Beograd-Uashington do të përmirësohen me ardhjen në pushtet të presidentit të ri.

Por, nuk mund të priten ndryshime dramatike në këto raporte. Në mesin e ekspertëve për Ballkanin, në Shtetet e Bashkuara ekziston mendimi i përbashkët se çështja e Kosovës është e mbyllur dhe se rruga e Serbisë drejt BE-së kalon përmes Hagës.

Nënpresidenti Joe Biden është një nga zërat më të fuqishëm në këtë grup.

Në Shkup, maqedonasit dyshojnë për ndikimin pro grek në ekipin e Obamës. Në gusht të 2007-ës, si anëtar i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Obama nënshkroi një rezolutë jodetyruese, ku i bëhej thirrje Maqedonisë të kishte një qasje më konstruktive në bisedimet me Athinën lidhur me mosmarrëveshjet për emrin.

Rezoluta i jep përparësi Greqisë në bisedimet për emrin dhe kjo ka bërë që Obama të shihet si armiqësor nga opinioni maqedonas. Por, është e vështirë të besohet se presidenti i zgjedhur amerikan ka shkuar thellë në sagën greko-maqedonase.

Për Bosnjën e brishtë, zgjedhja e John McCainit, dikujt që ka qenë i përfshirë dhe i vendosur rreth Ballkanit, do të ishte më e pranueshme. McCain, i cili kishte qenë fillimisht kundërshtar i luftës në Bosnjë, në vitin 1996 u bë një nga mbështetësit kryesorë të rezolutës në mbështetje të misionit paqeruajtës amerikan atje.

Sot, Bosnja mund ta mirëpresë sinqerisht Obamën, pasi ai ka mundësinë ta bëjë Evropën që ta shndërrojë mbijetesën e Bosnjës në një përparësi serioze.

Ballkani dhe Evropa shpejt do ta kuptojnë se në dallim nga John McCain, presidenti i zgjedhur amerikan nuk do të jetë një president evropian. Ai nuk ka pika reference me Luftën e Ftohtë dhe nuk ka qenë aktiv në politikën e jashtme gjatë viteve të '90-ta, kur Evropa Lindore ishte në qendër të debatit për rendin e ri.

Por, këshilltarët e Obamës kanë qenë tepër të përfshirë në politikat e atyre viteve, kur administrata Clinton përpiqej të zgjidhte konfliktet në ish-Jugosllavi. Megjithatë, Obama dhe ekipi i tij e kanë kuptuar se që atëherë bota ka ndryshuar thellësisht.

Presidenti i zgjedhur, Obama, në platformën e të cilit nuk është përmendur Ballkani, nuk do të ndjekë politikën për diplomaci nga fuqitë e mëdha.

Ai e ka bërë të qartë se do të ishte i interesuar për problemet që në rrënjet e tyre, si p.sh., fakti që fshatarët indonezianë nuk kanë zgjidhje tjetër për të jetuar veçse të shesin pulat e tyre të infektuara me H5N1, apo shkollat fetare në Pakistan që mbjellin urrejtje në shpirtërat e nxënësve të tyre.

Në dallim nga paraardhësi i tij, Obama nuk ka ambicie për të shpërndarë demokracinë në botë, por do të arrijë disa qëllime specifike. Ai nuk do të përpiqet ta shndërrojë Afganistanin në një model të qeverisjes demokratike, por synon të ndalojë terroristët që vijnë prej atje.

Mozaiku i zhvillimeve në të cilat Ballkani fitoi rëndësi politike gjatë 20 vjetëve të fundit, është zhdukur. Amerika pret nga Evropa që të merret me problemet e periferisë së vet, duke e integruar periferinë dhe të luajë një rol më të pjekur në botë.

Përparësitë e Obamës do të jenë lufta ndaj përhapjes së armëve bërthamore dhe terrorizmit, ndryshimet klimatike dhe ulja e varshmërisë nga nafta.

Gjatë zgjedhjeve të 2008-ës, Shtetet e Bashkuara demonstruan se e kuptojnë se ka një mjedis të ri botëror, ku hegjemonia amerikane nuk do të jetë e mundur. Dhe, në këtë kuptim, Uashingtoni nuk mund të bëhet përgjegjës për gjithçka. Këtë duhet ta kuptojë dhe Ballkani.

Dhe, në mbyllje, për vendet ballkanike të bashkuara nga urrejtja e politikanëve dhe mosbesimi në politikë, ka edhe një përfundim të fundit nga zgjedhjet amerikane.

Amerikanët kanë treguar se edhe në kohë krizash të thella ekonomike, demokracia është në gjendje të prodhojë ndryshime rrënjësore, nëse kjo është dëshira e qytetarëve. Rezultati i këtij ndryshimi do të varet, padyshim, nga cilësia e udhëheqjes.
XS
SM
MD
LG