Ndërlidhjet

EULEX-i nën 1244-shin, zgjidhje e keqe


Analistët dhe juristët kosovarë konsiderojnë se për Kosovën do të jetë zgjidhja më e keqe e mundshme, nëse plani i Ban Ki Moonit merr dritën e gjelbër në Këshillin e Sigurimit, që do të thotë - EULEX-i të veprojë në bazë të Rezolutës 1244.

Nëse misioni i Bashkimit Evropian, i koduar me emrin EULEX, do të funksionojë në bazë të Rezolutës 1244, ajo do të jetë zgjidhja më e keqe e mundshme, mendojnë ekspertët juridikë dhe analistët politikë në Kosovë.

Eksperti ligjor, Riza Smaka, konsideron se raporti që Ban Ki Moon do të paraqesë para Këshillit të Sigurimit, përmban kundërthënie mes vete, pasi që implementimi i 6-pikëshit përjashton 4-pikëshin e Prishtinës dhe anasjelltas.

"Sikundër këto të implementoheshin, ato absolutisht nuk do të mund të aplikoheshin. Këto janë të papajtueshme. Kjo është një kotradiksion kontrovers, dhe më tepër është një kombinatorikë, lojë e fjalëve në stilin diplomatik, sepse janë të pakuptueshme", tha Smaka.

Ban Ki Moon në raportin e tij ka kërkuar që EULEX-i të funksionojë nën Rezolutën 1244, ndërkohë që në katërpikëshin e propozuar nga institucionet e Kosovës, kërkohet që EULEX-i ta respektojë Kushtetutën e Kosovës.

Smaka kërkon nga liderët e Kosovës që të jenë shumë të kujdesshëm në këtë, siç e quan, lojë fjalësh, pasi që më vonë, sipas tij, do të ketë pasoja shumë të mëdha për funksionimin e shtetit të Kosovës.

"Respektimi dhe përfillja janë dy nocione. Mund ta respektojë aspekti juridik formal. Ndërsa, përfillja është aspekti juridik material. Pra, e respekton Kushtetutën apo e përfill rezolutën, do të thotë vepron, funksionon, do të funksionojë sipas rezolutës, e kjo është zgjidhja më e keqe e mundshme dhe pasojat janë afatgjata dhe të thella", tha Smaka.

Zoti Smaka ka nënvizuar se nëse miratohet plani gjashtëpikësh nga Këshilli i Sigurimit, në terren vështirësitë e para do të paraqiten në relacionet Zyra Civile Ndërkombëtare - UNMIK - institucione të Kosovës.

"Unë druaj se këto janë të pashmangshme, të paevituara. Në ditët e para do të paraqiten ato divergjencat", theksoi Smaka.

Kurse, analisti politik, Shkëlzen Maliqi, thotë se vendosja e misionit EULEX në Kosovë është një kompromis dhe, sipas tij, Këshilli i Sigurimit sot do të aprovojë raportin e Ban Ki Moonit me dy qëndrime të Beogradit e të Prishtinës, të përfshira në të.

"Unë kështu e shikoj situatën, edhe pse pikat e Kosovës janë në aneks që kërkojnë respektimin e sovranitetit të Kosovës. Mendoj se kjo formulë është gjetur, që EULEX-i praktikisht ta fillojë instalimin e misionit dhe me fillimin e instalimit të misionit, UNMIK-u për katër muaj duhet të tërhiqet dhe shumicën e funksioneve do t'i marrë EULEX-i”.

“Sa i përket sovranitetit ose planit të Ahtisaarit, në të vërtetë edhe EULEX-i do të jetë në atë mision, sepse vetë misioni është propozuar nga pakoja e Ahtisaarit", tha Maliqi.

Maliqi konsideron se komuniteti ndërkombëtar, për të evituar dhunën, është i interesuar që në Kosovë të aplikojë modelin, ku një shtet ka dy lloje të administrimit.

"P.sh. Kina si tërësi i ka 3 sisteme. Ndoshta ka edhe ndonjë shembull tjetër. Kjo që bëhet këtu, është një eksperiment që bëhet, sepse bashkësia ndërkombëtare nuk do ta përdorë dhunën, sepse nuk dëshiron t'i fusë serbët në këtë moment me dhunë në një sistem unik të doganave, të sistemit policor e të tjera, por u jep shans që me një proces të ngadalshëm, ata të integrohen", tha Maliqi.

XS
SM
MD
LG