Ndërlidhjet

(S’) ka ndarje të Kosovës


Plani gjashtëpikësh, i cili u mor për bazë nga Këshilli i Sigurimit, për të lejuar shtrirjen e EULEX-it në Kosovë, vazhdon të nxisë debate. Ish-kryeministri Agim Çeku ka thënë se OKB-ja po mundohet që Kosovën ta shndërrojë në shtet neutral të OKB-së. Ndërsa, disa përfaqësues të serbëve thonë se Kosova po shkon kah ndarja, gjë që hidhet poshtë nga analistë kosovarë.


Edhe sot janë drejtuar kritika në adresë të institucioneve të Kosovës, për shkak të miratimit të planit të Ban Ki Moonit nga ana e Këshillit të Sigurimit. Kritikat e sotme janë bërë edhe nga shqiptarët, edhe nga serbët.

Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, fajëson institucionet për mosparaqitje të planit të tyre dhe për mosbindjen e komunitetit ndërkombëtar se plani i Ahtisaarit është përgjigje ndaj të gjitha sfidave në Kosovë. Por, Çeku nuk ka lënë pa kritikuar as BE-në e OKB-në.

“Ky plan është pasojë e pazotësisë së Bashkimit Evropian, që ta disciplinojë Beogradin dhe t’i thotë që Kosova tashmë është e pavarur. Këshilli i Sigurimit gjithashtu, Kombet e Bashkuara, personalisht Ban Ki Moon e ka mbështetur pakon e Ahtisaarit. Ne e kemi mbështetur dhe ne po qëndrojmë prapa zotimeve tona, por OKB-ja nuk po qëndron prapa zotimeve të veta”.


“Ky është problemi dhe po i zgjat jetë 1244-shit, po i zgjat jetë UNMIK-ut dhe po e vë në siklet vetë UNMIK-un, por edhe të ardhmen, perspektivën e qartë të Kosovës. Kështu që thjesht, ai me këtë plan po e bën Kosovën - Kosova shtet neutral i OKB-së”, është shprehur Çeku.

Në debatin e mbajtur në Çagllavicë, mbi planin e Ban Ki Moonit për rikonfigurimin e UNMIK-ut, kryetari i Partisë Demokratike Serbe, Sllavisha Petkoviq, njëherësh edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, ka thënë se gjashtë pikat janë pasojë e mospunës së institucioneve të Kosovës për krijimin e një shoqërie multietnike. Ai thotë se ky plan çon në ndarjen e Kosovës.

“Nuk mund të them se ne serbët e Kosovës jemi tepër të kënaqur me këto 6 pika, por këto 6 pika janë konfirmim i gjendjes në Kosovë dhe i tërë asaj që ka ndodhur në këto 9 vjet, ku nuk ka pasur as dëshirë, as vullnet nga ana e institucioneve, që të niset një dialog normal. Gjashtë pikat e sqarojnë se kush do të ketë përgjegjësi në mjediset serbe e kush në ato shqiptare”.

“EULEX-i do të shtrihet në pjesët ku jetojnë shqiptarët, ndërsa te serbët do të mbetet UNMIK-u. Kjo neve na ngjason në një ndarje klasike”, pohon Petkoviq.

Por, i një mendjeje me Petkoviqin nuk është analisti kosovar, Halil Matoshi. Edhe pse nuk mbështet raportin e Ban Ki Moonit, Matoshi konsideron se ndarja e Kosovës është çështje e mbyllur dhe hapja e saj do të hapte Kutinë e Pandoras.

Me ndarjen e veriut të Kosovës, të jeni të bindur se do të humbasin më së shumti serbët në brendësi të Kosovës. Por, ky është një projekt shumë i madh ndërkombëtar dhe për bindjen time, nuk kanë llogari që për hir të Serbisë, t’i shkatërrojnë apo rrënojnë 3-4 shtete tjera”, tha Matoshi.

Vendosja dhe shtrirja e EULEX-it parashihet me pakon e Ahtisaarit dhe Kushtetutën e Kosovës. Por, për shkak të kundërshtimit serb, Ban Ki Moon, pas negociatave Beograd, OKB, BE, pati përpiluar gjashtë pikat, në të cilat, ndër të tjera, EULEX-i mbetet neutral karshi statusit dhe merr për bazë Rezolutën 1244.

Analisti Halil Matoshi mendon se këtu ka humbur hapin pala kosovare, në veçanti Kuvendi i Kosovës.

“Bindja ime është se Kuvendi është dashur të mblidhet me urgjncë që ta shpallë Rezolutën 1244 pa objekt në Kosovë pas 17 shkurtit dhe PSSP-në e shpall zyrtarisht person të padëshirueshëm tutje në vend”, tha Matoshi.

Ndryshe, Agim Çeku e sheh si të pafalshëm veprimin e komunitetit ndërkombëtar, për, siç ka thënë, trokitjen në derë të Beogradit për t’i kërkuar leje për shtrirjen e EULEX-it.

Serbët e Kosovës, në masë të madhe, vazhdojnë ta shikojnë Beogradin si kryeqytet të tyre dhe kundërshtojnë integrimin në shoqërinë kosovare.

Madje, Sllavisha Petkoviq tha se është financimi i Qeverisë serbe që i mban ende serbët në Kosovë, e jo angazhimi i institucioneve kosovare për t’i integruar ata. Por, pavarësisht kritikave të përfaqësuesve serbë, Kushtetuta e Kosovës dhe plani i Ahtisaarit ofrojnë të drejta të avancuara për komunitetet, posaçërisht për atë serb.

XS
SM
MD
LG