Ndërlidhjet

Deklarata Universale mbush 60 vjet


Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, 1948
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, 1948
Pas Luftës së Dytë Botërore, bashkësia ndërkombëtare, e cila ende po përballej me pasojat e krimeve të kryera nga nazistët gjermanë, vendosi të riafirmonte të drejtat e njeriut.



Një numër vendesh si Franca dhe Shtetet e Bashkuara i kishin kartat kombëtare të të drejtave të njeriut, dokumente këto që nuk kishin fuqi përtej kufijve shtetërorë të vendeve përkatëse.

Më 10 Dhjetor 1948, Kombet e Bashkuara me shumicë absolute miratuan Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, gjatë takimit të Asamblesë së Përgjithshme, të mbajtur në Paris.

Duke folur në prag të votimit për Deklaratën, Eleanor Roosevelt, kryetarja e grupit që hartoi dokumentin, i bëri një thirrje të ndjerë Asamblesë.

"Qëndrojmë sot këtu në vigjilje të një ngjarjeje të madhe si për Kombet e Bashkuara, edhe për njerëzimin. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut mund të kthehet në Magna Carta-n ndërkombëtare të të gjithë njerëzve, kudo që janë", tha Eleanor Roosevelt.

Dhe koha tregoi se kishte të drejtë.

Ashtu si Magna Carta, dokumenti ligjor i Anglisë së shekullit të 13-të, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut u bë një nga dokumentet themelore të demokracive të pas Luftës së Dytë Botërore.

Tek ajo u bazua hartimi i një numri të madh kushtetutash kombëtare dhe një morie marrëveshjesh ndërkombëtare.

Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut konsiston në 30 nene që sanksionojnë të drejtat themelore, siç janë e drejta e fjalës, besimit fetar, shtypit, grumbullimit, e drejta për arsimim, për punë dhe për të jetuar të lirë nga skllavëria.

Sipas librit të rekordeve, Guinness, është dokumenti më i përkthyer në botë.

Edhe pas 60 vjetësh, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut nuk ka humbur asgjë nga rëndësia e saj, thotë Steven Crawshaw, nga Human Rights Watch.

"Ka një listë bazë që shkon nga shtypja klasike deri tek mohimi arbitrar i të drejtës për banim, arsimim dhe kujdes shëndetësor. Pa Deklaratën Universale, sot do të ishim në një gjendje më të keqe. Mendoj se ekzistenca e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut ka një rëndësi të jashtëzakonshme për ne", thotë Crawshaw, nga Human Rights Watch.

Deklarata shërbeu si dokument nxitës dhe frymëzues për një numër organizmash ndërkombëtare.

"Baza e OSBE-së është Akti Final i Helsinkit i 1975-ës, të cilin e nënshkruan 35 vende. Por, Akti Final i Helsinkit u ngrit mbi një bazë solide, ku më e rëndësishmja në këtë themel qe Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut", thotë Martin Nesirsky, nga OSBE-ja.

Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut nuk është një dokument i detyrueshëm nga pikëpamja ligjore, por ajo përcakton kuptimin bazë të koncepteve si liritë themelore dhe të drejtat e njeriut, që parashihen në Kartën e Kombeve të Bashkuara, dokument ky detyrues për vendet anëtare.

"Edhe pse nuk është një dokument i detyrueshëm, vlerësohet se reflekton ligjin ndërkombëtar, që është i detyrueshëm për të gjitha vendet. Të gjitha marrëveshjet e të drejtave të njeriut që janë hartuar pas 1948-ës, si ato kundër diskriminimit të gruas, apo kundër diskriminimit racor, bazohen në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut",
thotë Bill Bowring, jurist i së drejtës ndërkombëtare.

Por, Deklarata ka dhe kritikë. Në mesin e tyre janë grupet që theksojnë se në këtë dokument nuk parashihet e drejta për të mos luftuar. Nga ana tjetër, fakti që nuk është dokument detyrues, bën që vende anëtare të OKB-së të mos e respektojnë.

Por, sipas Steven Crawshow, grupet e kritikëve vetëm sa e theksojnë autoritetin moral të Deklaratës.

"Ka gjithmonë njerëz që do të donin të rishkruanin parimet bazë për një mori arsyesh. Mendoj se është e jashtëzakonshme se si një deklaratë relativisht e thjeshtë, i ka mbijetuar kaq mirë provës së kohës", thotë Crawshow, nga Human Rights Watch.
XS
SM
MD
LG