Ndërlidhjet

WP: “Si të trajtohet Rusia revizioniste?”


“Washington Post”

Ronald D. Asmus, ish-nënsekretar i Shtetit në administratën Clinton


Një nga sfidat në politikën e jashtme që e presin presidentin e zgjedhur Barack Obama, është nevoja për një strategji të re ndaj Rusisë.

Moska është partner dhe konkurrent. Ne duhet të punojmë me rusët në çështjet si luftimi i terrorizmit, por Moska sot është gjithashtu një fuqi nacionaliste revizioniste, që pëlqen t'i përmbysë vlerat e Perëndimit dhe ndikimin e tij në kufijtë me Evropën.

Rusia dëshiron ndryshime të mëdha në rregullat e sigurisë në Evropë dhe kjo dëshirë u nënvizua së fundi kur Moska i bëri shtypje Perëndimit të bjerë dakord me kartën e re të sigurisë evropiane të propozuar nga presidenti Dmitry Medvedev.

Rusia e sheh sistemin evropian të sigurisë si NATO-centrik dhe të favorshëm për Shtetet e Bashkuara. Ajo beson se Perëndimi i shfrytëzoi dobësitë e saj në vitet e 90-ta për të imponuar rregulla të padrejta.

Liderët rusë haptas shpresojnë t'i përçajnë Shtetet e Bashkuara nga Evropa dhe ta zvoglojnë aftësinë e Perëndimit për t'i mbrojtur vlerat perëndimore, të pengojnë zgjerimin e NATO-s dhe ta rilegjitimojnë sferën e ndikimit rus në shtetet fqinje.

Hendeku ndërmjet vlerave të Perëndimit e të Rusisë, dhe mënyra e leximit të historisë më të re, sot është më i madhi që nga kolapsi i komunizmit.

E para, Shtetet e Bashkuara asnjëherë nuk janë përpjekur të poshtërojnë Rusinë në vitet e 90-ta. Përkundrazi, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët kanë dhënë para dhe ndihma që nuk ishin dhënë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Sa i përket zgjerimit të NATO-s, duhet falënderuar Zotin që aleanca u zgjerua në Evropën Lindore dhe Qendrore. Imagjinoni si do të ishte stabiliteti i Evropës sot, po të mos kishte ndodhur kjo.

Që nga hyrja e vendeve të reja, NATO nuk ka kryer asnjë stërvitje ushtarake të drejtuar kundër Rusisë, prandaj nuk pinë ujë fjalët se Rusia është e rrethuar me kërcënimet nga Perëndimi.

Kështu, vijmë te problemi kryesor. Atë që ne e shohim si histori suksesi - Rusia e sheh si sistem të drejtuar kundër saj. Moska e sheh si ndërhyrje përkushtimin tonë për vlerat dhe normat që besojmë se janë themeli më i mirë për paqen dhe stabilitetin.

Rusia asnjëherë nuk u bashkua me përpjekjet tona për të krijuar një sistem të ri bashkëpunimi të sigurisë, i cili do t'i braktiste sferat e influencës dhe do të zgjeronte sigurinë në mbarë Evropën, përfshirë dhe Rusinë.

Rusia do që t'i çmontojë këto rregulla dhe t'i rikthehet sferës së influencës, koncepteve që ne u druhemi, pjesërisht për shkak se besojmë se ato kanë ndihmuar të shkaktohen aq shumë luftëra dhe shkatërrime në të kaluarën.
XS
SM
MD
LG