Ndërlidhjet

“Tadiq kërkon zbatimin urgjent të 6-pikëshit”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EXPRESS
Që nga 3 dhjetori, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina ua kanë bërë “bllok” produkteve të Kosovës, për shkak të ndërrimit të vulës së doganave nga ato të UNMIK-ut në doganat e Kosovës. Po ashtu, mallrat me këtë vulë nuk lejohen të kalojnë as transit nëpër Serbi. Prodhuesit kosovarë rrezikojnë t’i humbin tregjet me këto vende, edhe pse të tria palët janë nënshkruese të marrëveshjes për tregti të lirë CEFTA... Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është njoftuar për pengesat që po u bëhen tregtarëve dhe ka kërkuar nga sekretariati i CEFTA-s që të marrë masa për zgjidhjen e këtij problemi. “Doganat e Kosovës, më 27 nëntor, i kanë informuar të gjitha palët për ndërrimin e vulave, mirëpo qendra në Serbi nuk i ka informuar me kohë doganierët e vet. Ne përmes doganës jemi informuar për këtë problem dhe zyrtari për CEFTA në Kosovë e ka adresuar çështjen në komisariatin e saj”, ka bërë të ditur këshilltari i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Fatos Sahiti...

ZËRI
Kryetari i Serbisë, Boris Tadiq, i është drejtuar sërish me një letër konfidenciale Ban Ki Moonit, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, në të cilën shpreh qëndrimet e Beogradit zyrtar pas lansimit të misionit të EULEX-it, më 9 dhjetor. Në këtë letër, të cilën e posedon gazeta “Zëri”, Boris Tadiq, kryetari i Serbisë, i cili përndryshe, së bashku me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, ka qenë mjaft i heshtur në përcjellje të veprimeve të para të Misionit të BE-së (dhe të shteteve të tjera që i janë bashkëngjitur atij), thekson që dëshiron edhe një herë ta qartësojë pozicionin e Serbisë për sa i përket modaliteteve të stacionimit të EULEX-it në Kosovë. Kështu, Tadiq përkujton që Serbia ka mbështetur raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, të datës 24 nëntor, dhe që Beogradi pret që EULEX-i të respektojë në plotësi Nenet 49 dhe 50 të këtij raporti, sipas të cilit EULEX-i i subordinohet UNMIK-ut dhe OKB-së, është “neutral ndaj statusit” (të Kosovës) dhe në plotësi respekton Rezolutën 1244 të KS të OKB-së...

KOSOVA SOT
I rekomanduar për miratim nga seanca plenare, i shqyrtuar një kohë të gjatë në Komisionin për legjislacion dhe kushtetutë, Ligji për presidentin e Kosovës është hequr dje nga procedura e miratimit në Parlament, me kërkesën e Grupit Parlamentar të PDK-së, mbështetjen e subjekteve politike opozitare dhe pa pëlqimin e partnerit në koalicion, LDK-së. Arsyetimi i përgjithshëm i shumicës kundërshtuese ishte se ky projektligj nuk është hartuar si duhet dhe ka nevojë të ketë edhe disa ndryshime të reja. Kërkesën e parë për tërheqje të këtij dokumenti nga rendi i ditës e bëri shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Ramë Buja, duke deklaruar se ka një marrëveshje paraprake edhe me shefat e grupeve të tjera parlamentare, sikur tha si, për t’u miratuar në pako edhe me disa ligje të tjera që kanë të bëjnë për figurat qendrore të institucioneve të Kosovës...

BOTA SOT
Mosemërimi i komandantit të FSK-së është kthyer në pengesë për kryerjen e vetë misionit të KFOR-it, i cili ka për obligim trajnimin e kësaj force, me shpresë për t’i dhënë një pjesë imazhi të NATO-s. Zyrtarë të KFOR-it thanë të enjten në Prishtinë, se janë në pritje të emërimit të komandantit të FSK-së. Zëdhënësi Adriano Graciani konfirmoi shtyrjen që po ndodh në procesin e konstituimit të organeve drejtuese të FSK-së. Për mosemërimin e komandantit të FSK-së, zëdhënësi Adriano Graciani tha se janë të sakta pohimet se po vonohet emërimi i kreut të FSK-së dhe se forcat e KFOR-it janë në pritje të emërimeve në kreun e FSK-së, në mënyrë që të fillojnë trajnimin e pjesëtarëve të FSK-së. Koloneli Graciani nuk përmendi afate kohore, por tha se vonesat në emërime nuk mund të kompensohen...

EPOKA E RE
Pas deklaratave nga Brukseli se në misionin EULEX mund të përfshihet edhe Rusia në qoftë se paraqet kërkesë për pjesëmarrje, zëdhënësja e këtij misioni, Karin Limdal, ka thënë për “Epokën e Re” se tash për tash nuk ka asnjë kërkesë të tillë nga ana ruse as në Prishtinë e as në Bruksel. Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Memli Krasniqi, është shprehur se çdo shtet që respekton Republikën e Kosovës si shtet sovran dhe Kushtetutën, është i mirëseardhur. Zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal, ka thënë se është çështje e vendeve të Bashkimit Evropian që të vendosin për mundësinë e pjesëmarrjes së Rusisë në këtë mision. “Vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë ato që vendosin për këtë çështje”, është shprehur zëdhënësja e EULEX-it...

LAJM
Institucionet e Kosovës dhe opozita kanë reaguar ndaj deklaratës së shefit të EULEX-it, Yves de Kermabon, se detyrë themelore e këtij misioni është zbatimi i sundimit të ligjit në Kosovë dhe jo zbatimi i planit të Ahtisaarit. Duke qenë se detyra e EULEX-it janë të përcaktuara në planin e Ahtisaarit dhe në Kushtetutën e Kosovës, duke pasur parasysh se nga ky plan kanë dalë mbi 40 ligje që automatikisht i kanë shfuqizuar rregulloret e UNMIK-ut dhe të gjitha ligjet që kanë qenë të aplikueshme në Kosovë, atëherë deklarata e Kermabonit, për autoritetet kosovare është absurde. Kjo për faktin se EULEX-i nuk mund të jetë mision i sundimit të ligjit dhe në të njëjtën kohë të mos e zbatojë planin e Ahtisaarit, nga i cili derivojnë ligjet e Kosovës, sipas të cilave duhet të sillet dhe të veprojë EULEX-i...

KOHA DITORE
Kuvendi i Kosovës, të enjten, i është shmangur debatit rreth shkeljes së sovranitetit shtetëror nga ana e Serbisë, përmes lëshimit në qarkullim të linjës hekurudhore Beograd-Zveçan, pa pëlqimin e autoriteteve vendëse. Kërkesën për të debatuar në mënyrë urgjente rreth kësaj çështjeje e ka bërë deputetja e AAK-së, Donika Kadaj Bujupi, ndërkohë që e njëjta kërkesë është mbështetur edhe nga deputetët e tjerë të bllokut opozitar. Kjo është hera e dytë që brenda tri ditësh që opozita e ngre të njëjtën çështje në Kuvend, por që në të dyja herët rezulton të jetë e pasuksesshme. Për herë të parë kërkesën për debat rreth cenimit të sovranitetit të shtetit e ka artikuluar në seancën e së martës shefi i Grupit Parlamentar të LDD-së, Lulëzim Zeneli. Mirëpo, si herën e parë, ashtu edhe herën e fundit, kryeparlamentari Jakup Krasniqi nuk e ka parë të arsyeshme që të hedhë në votim futjen e kësaj çështjeje si pikë të rendit të ditës së seancave plenare...

INFOPRESS
Kosova do të konsolidohet si një shtet multietnik dhe demokratik. Këtë koment e ka bërë të enjten në Prishtinë, ministri i Mbrojtjes i Portugalisë, Nuno Severiano Teixeira. Gjatë një takimi me presidentin e vendit Fatmir Sejdiu dhe ministrin e FSK-së, Fehmi Mujota, ministri portugez i Mbrojtjes ka ritheksuar edhe një herë qëndrimin e shtetit të tij karshi Kosovës. Në të njëjtën kohë, ai u ka premtuar përfaqësuesve të lartë të institucioneve të Kosovës vazhdimin e kontributit të Portugalisë në forcimin dhe ngritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës. “Portugalia do të përkushtohet që përmes trupave të saj, në kuadër të KFOR-it, të ndihmojë formimin e FSK-së, jo vetëm me pjesëmarrje në batalione, por edhe përmes mjeteve financiare...”, tha ministri Teixeira...
XS
SM
MD
LG