Ndërlidhjet

A po shkon Maqedonia drejt krizës etnike?


Analistët janë të ndarë në vlerësimet e tyre sa i përket zhvillimeve të fundit politike në Maqedoni. Analistët shqiptarë thonë se pas aksioneve të fundit policore në rajonet e banuara me shqiptarë, vendi mund të përfshihet nga kriza e re ndëretnike, ndërsa ata maqedonas përjashtojnë mundësinë që kriza të paraqitet sërish në relacionet midis shqiptarëve dhe maqedonasve, edhe pse pohojnë se shqiptarët kanë pakënaqësi ndaj sjelljes së pushtetit.

-----

Redaktori i Televizionit ALSAT-M, Sevdail Demiri, duke komentuar deklaratën e liderit të Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, se vendi shkon drejt krizës etnike, deklaroi për radion Evropa e lirë se shtimi i represionit shtetëror ditëve të fundit nëpër qindra familje shqiptare në Maqedoni, në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikon në afrimin e krizës mes komunitetit shqiptar dhe atij maqedonas:

“Gjithë kësaj turbulence në aspektin e sigurisë i ndihmon ndjeshëm edhe anashkalimi total në vendimmarrje i partisë shqiptare në pushtet BDI; sidomos janë në pyetje ndërhyrjet e paarsyeshme policore, të cilat edhe kur gabohet, bile nuk kërkohet as falje. Nëse kjo qeveri vazhdon edhe më tutje me këtë avaz, vendi do të shkojë drejt një krize të re etnike, fundi i së cilës mund të jetë shumë i dhimbshëm për Maqedoninë”, tha Demiri, duke shtuar se Qeveria duhet të jetë shumë e kujdesshme sidomos në këtë periudhë kur afrohen zgjedhjet, kur në mënyrë plotësuese nxehen gjakrat dhe dalin në shesh ambicie të shumta politike dhe me karakter etnik.

Ndërsa, drejtori i Qendrës për krijimin e politikave, Zhidas Daskallovski, përjashtoi mundësinë që vendi sërish të përfshihet nga kriza ndëretnike pas bastisjeve dhe arrestimeve të fundit të policisë në rajonet ku jetojnë shqiptarët.

“Është shumë vështirë, sipas meje, të ketë krizë të re ndëretnike. Mund të ketë dilema dhe bisedime të reja për disa çështje, por mund të ketë edhe mosmarrëveshje në koalicionin qeveritar - megjithatë jo edhe krizë ndëretnike”, tha Daskallovski, duke konstatuar se aksionet e fundit të policisë kanë krijuar pakënaqësi tek shqiptarët ndaj institucioneve të pushtetit, por nuk mund të reflektohen drejtpërsëdrejti në marrëdhëniet midis qytetarëve të zakonshëm shqiptarë dhe maqedonas.

Ndryshe, lideri i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, ka deklaruar se në Maqedoni nuk ekziston asnjë subjekt politik shqiptar që do t'i mbronte të drejtat e shqiptarëve, ndërsa Maqedonia gjendet para krizës politike, fundi i së cilës është kriza etnike.

XS
SM
MD
LG