Ndërlidhjet

Serbët: Më 2009 politika të mos jetë prioritet


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë
Stabiliteti i Kosovës, instalimi i komunikimit dhe afrimi i serbëve me shqiptarët - janë qëllimet kryesore për të cilat duhet të angazhohen edhe Prishtina, edhe Beogradi, vlerësojnë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.

Nënkryetarja e Këshillit Nacional Serb, Rada Trajkoviq, vlerëson se pas një viti relativisht të qetë, siç ishte 2008-a, pala shqiptare dhe serbe në vitin 2009 duhet të ndërmarrin një hap përpara kah pajtimi, pa marrë parasysh se nuk do të heqin dorë nga pozicionet diametralisht të kundërta politike.

"Serbia nuk ka kapacitet të integrojë territorin e Kosovës në asnjë kuptim, siç nuk ka Kosova kapacitet që ta bëjë projektin e pavarësisë realitet. Në këtë kuptim, pres që duke marrë parasysh përvojën e 2008-ës, ku megjithatë nuk ka pasur dhunë, nuk ka pasur eksod, në vitin 2009 të bëjmë edhe ndonjë hap përpara”.

“Këtu, para së gjithash, mendoj në udhëheqësit e Beogradit dhe Prishtinës, që duke mbrojtur pozicionet e tyre të nisin komunikimin dhe atë në mënyrë transparente, në mënyrë që të mundësohet një relaksim i raporteve mes shqiptarëve dhe serbëve, që të lehtësohet jeta", thotë Rada Trajkoviq.

Liderët e serbëve të Kosovës më 17 shkurt të vitit të kaluar u përballen me shpalljen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Kuvendit të Kosovës. Këtë vendim e quajtën akt, i cili shkeli të drejtën ndërkombëtare. Kjo çoi në tensionet ndëretnike dhe ndërprerjen e çfarëdo lloj dialogu. Pjesa veriore ishte në qendër të vëmendjes. Por, tani situata, sipas politikanëve, po qetësohet.

Kreu i Këshillit Nacional serb për Mitrovicën veriore, Nebojsha Joviq, është i kënaqur që në vitin e ri kanë hyrë pa probleme të sigurisë, edhe pse pozicionet kanë mbetur të njëjta. Joviq beson në vazhdimin e bisedimeve.

"Shpresoj se ky vit do të jetë thelbësor. Aspekti i sigurisë ka qenë në rregull deri tani dhe shpresoj se kështu do të vazhdojë. Sa i përket çështjeve politike, mendoj se do të lëvizë diçka nëse nisin bisedimet direkte dhe nëse kjo bëhet nga vetë Prishtina e Beogradi, përderisa bashkësia ndërkombëtare do të ndihmojë dialogun, por jo të mbajë anën e ndonjërës palë. Për hir të normalizimit të gjendjes në Kosovë, janë të pashmangshme bisedimet Prishtinë-Beograd",
tha Joviq.

Me kërkesë të Qeverisë serbe, shumica e serbëve bojkotojnë institucionet e Kosovës. Por, ata që marrin pjesë në punën e Kuvendit dhe të Qeverisë, presin që këto institucione edhe në praktikë t’i zgjidhin problemet e të gjithë qytetarëve, pra edhe të serbëve të Kosovës.

Bojan Stojanoviq, shef i Grupit Parlamentar të Partisë së Pavarur Liberale në Parlamentin e Kosovës, është optimist.

"Ajo që do të bëjmë në vitin 2009, është përmirësimi i kushteve për komunitetin serb -natyrisht që jo në dëm të asnjërës bashkësi tjetër. Do të mundohemi që të instalojmë një sistem të ri vlerash, sepse është vështirë që të punosh për popullin tënd dhe në këtë moment një pjesë e madhe e popullit tënd këtë nuk e njeh. Shpresojmë se me punën tonë dhe me angazhimet në terren, duke u marrë me çështje praktike, do të tregojmë dhe do ta marrim atë pozicion që edhe na takon, sepse po punojmë për të ardhmen", thotë Stojanoviq.

Trajkoviq pret që në vitin e ri çështjet politike dhe statusi të mos jenë në krye të agjendës së komunitetit serb dhe shqiptar.

"Duhet lënë kohës, që ndonjë elitë e re politike serbe dhe shqiptare me të vërtetë të vendosë, ndoshta në njohjen e pavarësisë, apo në heqjen dorë nga pavarësia e Kosovës dhe do kërkojë ndonjë lidhje institucionale me Beogradin. Statusi të mos jetë në krye të agjendës as të njerës e as të tjetres elitë", ka deklaruar Trajkoviq.
XS
SM
MD
LG