Ndërlidhjet

Ngecjet në reformat në drejtësi


Edhe pse ishte paralajmëruar, ende nuk ka nisur reforma në sistemin e drejtësisë, përmes së cilës do të bëhet një ristrukturim i strukturës gjyqësore të Kosovës. Ngecjet thuhet se janë pasojë dhe e vonesës në vendosjen e misionit të EULEX-it.


Sistemi i drejtësisë sërish është vënë në thelb të kritikave nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Në raportin e fundit të Human Rights Watch thuhet se sistemi i drejtësisë vazhdon të jetë institucioni me performancën më të dobët në Kosovë.

Zyrtarët përgjegjës për këtë fushë thonë se janë në proces të reformimit të këtij sistemi, pas së cilës reformë mbase do të ketë sundim të plotë të ligjit dhe vënie të drejtësisë. Sipas ministres së Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, një pako ligjesh, e cila ua hap rrugën reformave, së shpejti do të kalojë në Kuvend.

"Sa i përket reformave gjyqësore, ne jemi në përfundim të pakos prej katër ligjeve, që do t'u paraprijë reformave gjyqësore sa i përket organizimit të gjykatave në Republikën e Kosovës. Mirëpo, sa i përket çështjeve tjera, punëve që po kryhen, me to po merren organet që i menaxhojnë gjykatat dhe prokuroritë", tha ministrja Kelmendi.

Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial i Kosovës është organi që menaxhon gjykatat dhe prokuroritë. Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Halit Muharremi, njofton se po planifikohet ndryshimi i strukturës së gjyqësorit.

"Do të ndryshojë edhe fushë-kompetenca e gjykatave aktuale, qoftë në shtrirjen vertikale, qoftë në horizontale, sepse planifikohet që në të ardhmen të kemi tri nivele të gjyqësorit - gjykatat themelore, që janë të shkallës së parë; gjykatat e apelit, si gjykata ankimore, dhe gjykata supreme. Kjo paraqet një reformë të thellë të strukturës së gjyqësorit", shpjegon Muharremi.

Me këtë ndryshim, lëndët që nuk kanë natyrën e lëndëve gjyqësore do të kalojnë në administratë publike. Ndërsa, pritet që të zgjidhen më lehtë edhe rreth 200 mijë lëndë që ende presin në sirtarët e gjykatave të ndryshme gjithandej Kosovës.

Por, juristi Kujtim Kërveshi nuk sheh se reformat në drejtësi janë duke u zhvilluar me dinamikën e duhur.

"Nuk ka pasur zhvillim pozitiv që nga 2008-a e tutje, përveç një donacioni për fillimin e punës së rivlerësimit të gjyqësorit. Por, në aspektin përmbajtjesor asgjë nuk ka lëvizur për të mbarë. Në vitin e fundit po ballafaqohemi me një matricë juridike më të komplikueshme të mundshme, kur në Kosovë nuk dihet se kush për kënd është përgjegjës", pohon Kërveshi.

Ndryshe, në vonesën e zbatimit të reformës juridike, institucionet e Kosovës thonë se kanë ndikuar paqartësitë në shuarjen e administratës së UNMIK-ut dhe vendosjes së misionit evropian për polici dhe drejtësi.

Ky fakt përmendet edhe në raportin e Human Right Watch, në të cilin megjithatë kritikohen institucionet se nuk kanë bërë sa duhet në ndjekjen dhe dënimin e përgjegjësve për dhunë ndëretnike, të kriminelëve të luftës dhe atyre që merren me krimin e organizuar, derisa mbrojtja e dëshmitarëve dhe mungesa e sistemit të menaxhimit të të dhënave vlerësohen të jenë edhe më tej pika të dobëta të sistemit kosovar të drejtësisë.
XS
SM
MD
LG