Ndërlidhjet

S'mund të ketë bisedime pa agjendë


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë
Analistët për çështje politike në Kosovë konsiderojnë se tash ka ardhur koha për fillimin e bisedimeve teknike në mes të Prishtinës dhe Beogradit.



Analisti Shkëlzen Maliqi thotë se edhe pse po flitet shumë për mundësinë e fillimit të këtyre bisedimeve, ende nuk dihet saktë se për çka do të bisedohet.

"Ajo, çka për momentin është e paqartë, është korniza se për çka do të bisedohet. Pala serbe insiston qe të bisedojë për gjashtëpikëshin, kurse institucionet e Kosovës janë të gatshme të bisedojnë vetëm për ato çështje teknike", tha Maliqi.

Ai konsideron se me Beogradin zyrtar mund të bisedohet vetëm për doganat, policinë, drejtësinë, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare serbe dhe administrimin e vijës kufitare me Beogradin zyrtar.

"Nëse insistohet të bisedohet edhe për tema të tjera që çojnë potencialisht drejt copëtimit të Kosovës, ashtu siç kërkon Beogradi, mendoj se do të ketë rezistencë nga institucionet e Kosovës", thekson Maliqi.

Nga ana tjetër, analisti Ilir Deda thotë se nëse institucionet e Kosovës kanë ndërmend të hyjnë në bisedime teknike me Beogradin, duhet të ketë një agjendë konkrete se për çka do të bisedohet.

“Bisedimet në mes të Prishtinës dhe Beogradit nuk duhet të jenë në bazë të agjendës së bashkësisë ndërkombëtare, por duhet të jenë në bazë të agjendës së përbashkët. Ky është një moment i duhur që Qeveria e Kosovës të dalë me agjendën e saj, se cilat çështje dëshiron t’i diskutojë me Beogradin dhe në cilat çështje mendon se Beogradi mund ta ndihmojë Kosovën në rrumbullakim të shtetësisë, si p.sh. largimi i strukturave paralele, zbardhja e fatit të të zhdukurve", tha Deda.

Ende nuk dihet agjenda e këtyre bisedimeve. Por, nuk dihet as kush do t'i organizojë apo kush do t’i ndërmjetësojë ato. Analisti Maliqi mendon se bisedimet mund të udhëhiqen nga shtetet e Quint-it, me disa përfaqësues të misioneve ndërkombëtare në Kosovë.

"Sa e pashë unë, ideja është që Quint-i të jetë në njëfarë dore bartës i bisedimeve, së bashku me nga një përfaqësues të EULEX-it, të UNMIK-ut. Kështu që po kërkohet një lloj formule kompromisi, e cila do të mundësonte që këto biseda të fillojnë të japin ndonjë rezultat të vogël dhe të zbutet në njëfarë mënyre qëndrimi i Serbisë për praninë dhe rolin e EULEX-it në Kosovë", u shpreh Maliqi.

Por, për ndërmjetësimin e bisedimeve të mundshme, zoti Deda mendon se organizatat ndërkombëtare, si ICO-ja dhe UNMIK-u, nuk duhet të jenë pjesë e tyre.

"Asnjë nga organizatat ndërkombëtare prezente në Kosovë nuk duhet t’i ndërmjetësojë këto bisedime, as UNMIK-u, as EULEX-i, as ICO-ja. Nëse do të ketë bisedime ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, atëherë ndërmjetësues mund të jenë vetëm shtetet e Quint-it", tha Deda.

Sido që të jetë, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë theksuar se bisedimet nuk mund të zhvillohen mbi temat që shkelin Kushtetutën e Kosovës apo çfarëdo çështjesh që mund ta cenojë sovranitetin e shtetit.
XS
SM
MD
LG