Ndërlidhjet

Pa kompromis nuk zgjidhet kontesti me Greqinë


Negociatat për zgjidhjen e kontestit me Greqinë do të vazhdojnë vetëm pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale dhe lokale në Maqedoni.

Ndërkaq, njëri nga favoritët për t’u bërë president i Maqedonisë, kandidati i VMRO-DPMNE-së, Gjorgji Ivanov, thotë për Radion Evropa e Lirë se pret vendosjen e kontakteve në nivelin më të lartë të mundshëm me Greqinë, që kjo çështje të mbyllet në të mirën e të dyja vendeve, por edhe në të mirën e rajonit në përgjithësi.

“Pres që në të ardhmen ndoshta do të gjejmë mirëkuptim të përbashkët me strukturat në Greqi, me politikanët e atjeshëm, e ndoshta edhe me kreun më të lartë, që të gjejmë gjuhë të përbashkët, të lëshojmë sinjale pozitive si dy shtete fqinje, për vizione të përbashkëta për rajonin, pasi problemi nga tangon si neve, ashtu edhe Greqinë. Pra, konstetin me emrin ta zgjidhin me ide më të freskëta dhe me një bashkëpunim më të mirë për arritjen e një zgjidhjeje të pranushme”, tha kandidati për president shteti, Gjorgji Ivanov.

Ndërkohë që eksperti për politikë të jashtme dhe ish-ambasador, Mahi Nesimi, duke komentuar zhvillimet e fundit rreth çështjes së emrit, thotë se nuk pret ndodnjë zgjidhje konkrete edhe pas përfundimit të zgjedhjeve, pasi problemi, sipas tij, kërkon kompromise të mëdha, të cilat Qeveria duhet ta kuptojë se është e detyruar t’i pranojë.

“Qeveria e Maqedonisë është e detyruar që me urgjencë, me një azhuritet më të madh t'i qaset këtij problemi dhe të vijë deri te kompromisi. Edhe nëse fiton në zgjedhje kandidati i VMRO-DPMNE-së, atëherë për vetë Qeverinë dhe këtë parti do të jetë edhe një obligim më i madh, pasi në këtë rast nuk do të ketë më mundësi që dikujt tjetër t'ia përshkruajë mosaktivitetin apo mossuksesin e zgjidhjes së problemit me emrit. Kjo më nuk mund të zhargitet meqë edhe Evropa është lodhur me çështjen e Maqedonisë”, tha Mahi Nesimi.

Veç partive politike, dallime për çështjen e emrit apo rreth nevojës për arritjen e kompromisit, vërehen edhe në mesin e vetë qytetarëve. Shqiptarët dhe maqedonasit kanë qëndrime diamtralisht të kundërta.

Një anketë e zhvilluar nga Brima Gallup bën të ditur se mbi 90 për qind e shqiptarëve kërkojnë arritjen e kompromisit, sikur kjo të kushtëzohet edhe me ndërrimin e emrit. Por, për të njëjtën çështje pajtohen vetëm tre për qind e maqedonasve. Mbi 95 për qind e tyre kundërshtojnë ndërrimin e emrit.

“Kjo çështje është shumë e ndjeshme që në një periudhë parazgjedhore të analizohet”, thotë kandidati për president, Gjorgji Ivanov, i pyetur të komentojë këto rezultate të anketës. Sipas tij, kjo çështje më së miri do të ishte të analizohet pas zgjedhjeve.

Ndërkohë, duke komentuar këto pozicione të shqiptarëve dhe maqedonasve, eksperti për politikë të jashtme, Mahi Nesimi, thekson:

“Përcaktimi i qytetarëve shqiptarë është më racional, është më afër asaj që është preokupim dhe strategjisë së zhvillimit të mëtutjeshëm të Maqedonisë dhe integrimit të saj në strukturat euro-altantike. Kurse, sa i përkët maqedonasve, unë lirisht mund të them se ato janë fare të painformuar se çka mund të ndodhë - nuk do të vijë fare te kompromisi”, tha Mahi Nesimi.
XS
SM
MD
LG