Ndërlidhjet

Humbjet ekonomike dhe politike


Qeveria e Kosovës, e cila tani ka deklaruar se nuk do vendosë masën e reciprocitetit për produktet e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, ka ngjallur shqetësime të shumta tek ekspertët për çështje ekonomike dhe përfaqësues të organeve të pavarura ekonomike në Kosovë.

Ata vlerësojnë se që nga 3 dhjetori i vitit të kaluar, kur produkteve kosovare, këto dy shtete u vunë embargo, ekonomia kosovare është duke u dëmtuar. Shumë prej bizneseve kosovare, sipas tyre, janë duke përdorur rrugë të tjera alternative për eksportin e mallrave të tyre me një kosto mjaft të lartë.

Përfaqësuesi i Institutit për Hulumtime dhe Zhvillime “Riinvset”, Alban Zogaj, thotë se Kosova urgjentisht do të duhej të aprovojë masën e reciprocitetit.

“Moseksportimi i mallrave tona në këto vende e dërgon vendin në humbje të mëdha ekonomike. Ne kemi një eksport shumë të vogël, i cili është rreth 10 për qind e totalit të importeve. Kemi një deficit të madh tregtar dhe kjo po shkakton humbje të mëdha ekonomike”,
thotë Zogaj.

Ai vlerëson se sikur Kosova ta vendosë këtë masë të reciprocitetit, atëherë ato që do të dëmtoheshin më shumë, do të ishin Serbia dhe Bosnja, e jo Kosova, pasi që këto dy vende, në veçanti Serbia, është ndër importuesit më të mëdhenj në Kosovë.

“Ka pasur mundësi të merret dhe gjithashtu ka mundësi të merret një vendim i tillë. Normalisht që do të ketë pasojë politike, sepse komuniteti ndërkombëtar nuk është i interesuar që Kosova të fillojë me këto masa”, thekson Zogaj.

Sipas të dhënave të Odës Ekonomike të Kosovës, eksporti i Kosovës në tregun e Serbisë është më pak se 5 milionë euro, ndërsa importi është rreth 500 milionë euro.

Eksperti për çështje ekonomike, Shpend Ahmeti, thotë se ndonëse nuk është humbje e madhe ekonomike për Kosovën, sepse prodhuesit kosovarë eksportojnë shumë pak mallra në këto dy vende, mirëpo Kosova, me mosaplikimin e kësaj mase, është duke humbur shumë politikisht.

“Në qoftë se e kemi shpallur pavarësinë e Kosovës dhe nëse e respektojmë Kushtetutën tonë, atëherë institucionet tona janë përgjegjëse për politikat çka ndodh në kufi dhe për këtë, nuk mund të arsyetohen në asnjë mënyrë se pse nuk pa pasur masë reciproke”, vlerëson Ahmeti.

Zoti Ahmeti, duke u shprehur mjaft kritik ndaj krerëve të institucioneve të Kosovës, mosmarrjen e këtij vendimi e quan të tepruar. “Deri më tani, kjo bllokadë është dashur të bëhet dhe në ndërkohë të diskutohet për zgjidhjen e problemit në mes të palëve”.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj, thotë se nëse Qeveria e Kosovës nuk do të ndërmarrë një hap të tillë, atëherë bizneset do të vetorganizohen dhe do të ndërmarrin veprime të njëanshme.

“Parimi i raporteve ekonomike - reciproke duhet të rregullohet. Nëse rregullohet në mënyrë diplomatike dhe politike, do të ishte shumë më mirë. Nëse nuk rregullohet në këtë mënyrë, atëherë bizneset do ta sugjerojnë Qeverinë që të marrë masa të bllokadës në kufi”, thotë Beqaj.

Eksporti i Kosovës në Serbi është shumë i ultë krahas importit. Gjatë vitit 2007, Serbia kishte eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej 220 milionë eurosh, ndërsa kishte importuar vetëm 9.5 milionë euro. Në vitin 2008, eksporti serb në Kosovë ka rënë në 148 milionë euro dhe po ashtu ka shënuar rënie edhe importi, ku deri në muajin nëntor, 2008, ka qenë 7.5 milionë euro.
XS
SM
MD
LG