Ndërlidhjet

EULEX (s’) hap hetime për 'Shtëpinë e Verdhë'


Pjesëtarë të EULEX-it
Pjesëtarë të EULEX-it

EULEX nuk pohon e as mohon mundësinë e rihapjes së hetimeve për rastin e Burrelit, ku pretendohet se është kryer trafikim organesh. Shefi i drejtësisë në EULEX thotë se prokurorët do të hapin çdo rast që ka bazë dhe lidhet me krimet e rënda.

Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) nuk ka përjashtuar mundësinë e hapjes së hetimeve mbi pretendimet për trafikimin e organeve të serbëve të rrëmbyer, të kryera kinse në Burrel të Shqipërisë. Këto pretendime u bënë së pari në librin e ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte.

Shefi i komponentit të drejtësisë në EULEX, Alberto Preduca, nuk ka saktësuar nëse EULEX-i ka marrë dosjet dhe nëse do të nisë apo jo hetimet mbi të ashtuquajturën “Shtëpinë e Verdhë”.

“Ajo që mund të them është se krimet e luftës janë në kompetencë të EULEX-it. Me krimet e luftës merret Zyra e Prokurorit Special, që udhëhiqet nga prokurorë të EULEX-it, kështu që kurdo që të kemi informata dhe bazë për të hapur një rast, rasti do të hapet nga prokurorët e EULEX-it”, tha Preduca, duke shtuar se dosjet, çfarëdo që të jenë ato, janë në duar të prokurorëve dhe çdo hetim është konfidencial.

Prokuroria për Krime Lufte e Serbisë, në një njoftim në faqen e saj zyrtare të internetit, shkruan se UNMIK-u i ka dorëzuar prokurorit për krime lufte të Serbisë, Vladimir Vukçeviq, dokumente që lidhen me pretendimet për trafikim organesh në konfliktin e 1999-ës.

Në një letër të dërguar Vukçeviqit, zyrtari përgjegjës i UNMIK-ut e njofton atë se hetimet mbi trafikimin e organeve tani i janë transferuar EULEX-it.

Alberto Preduca nuk ka dhënë detaje nëse kjo çështje është diskutuar në takimin e prokurorëve të EULEX-it me ata serbë, të mbajtur para pak javësh.

“Ajo që mund të konfirmoj është se prokurorët tanë e marrin seriozisht çdo çështje që lidhet me krime të rënda, të cilat bien në kompetenca të tyre. Dhe, e marrin me seriozitet nevojën e bashkëpunimit me çfarëdo autoriteti që mund t’i ndihmojë ata në përmbushjen e mandatit të tyre. Përtej kësaj nuk mund të them asgjë tjetër”, pohon Preduca.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e institucioneve kosovare nuk i frikësohen ndonjë hetimi të ri. Por, thonë se çdo hapje e kësaj dosjeje, është e kotë, sepse në Shqipëri nuk ka ndodhur trafikim organesh. Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, shpjegon:

“Po tash ato hetime janë bërë tri herë dhe kanë dhënë rezultate negative për Serbinë dhe pozitive për ne, sepse nuk ka ekzistuar një dhunë e tillë. Sido që të jetë, tani në raportin e progresit është theksuar se duhet të merret Komisioni Evropian me këtë hetim të rastit dhe le të hetohet rasti, pse jo”.

“Nëse insistohet nga ne që ta hetojmë, ne mund ta hetojmë edhe vetë, por këtë e ka hetuar Tribunali i Hagës më 1999, 2000, 2002; edhe Qeveria e Shqipërisë ka hetuar dhe nuk ka gjetur asgjë dhe është e pamundur të gjendet diçka, të ndodhë diçka e tillë, sidomos në rrethanat e tilla çfarë prezantohen në librin e ish-prokurores”, thotë ministrja Kelmendi.

Kelmendin nuk e pengon fare hapja eventuale e dosjes nga prokurorët e EULEX-it.

“Le t’i hapin! Ne jemi të sigurt se krime të tilla nuk kanë ndodhur, nuk është ajo asgjë për ne, nuk do të jetë shqetësuese, sepse e dimë se nuk kanë ndodhur”, tha Kelmendi.

Kohë më parë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se pohimet e ish-kryeprokurores së Hagës, Carla del Ponte, për trafikimin e organeve të të rrëmbyerve serbë të Kosovës, janë "frustruese, qëllimkëqija dhe tendencioze", të cilat, sipas tij, synojnë dëmtimin e imazhit të Kosovës.
XS
SM
MD
LG