Ndërlidhjet

"Mbyllen dyert e BE-së për Ballkanin?"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
Integrimi i vendeve të Ballkanit në BE është një nga temat që dominon në numrat e sotëm të gazetave të Prishtinës.

E përditshmja “Zëri” shkruan se është vënë në mëdyshje agjenda e Selanikut për shtrirjen e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor.

Duke cituar burime diplomatike në Prishtinë dhe në Bruksel, kjo gazetë shkruan se Franca dhe Gjermania janë të mendimit që zgjerimi i BE-së në të ardhmen e afërt mund ta përfshijë edhe Kroacinë, si shtetin e 28-të të BE-së, dhe pastaj me një kujdes më të madh duhet parë cili do të jetë fati i shteteve tjera të Ballkanit.

“Zëri” vë në pah se deri më tani, me gjithë dështimet e njëpasnjëshme për fuqizimin e rolit të BE-së, asnjëherë nuk është vënë në mëdyshje agjenda e Selanikut, që ka synim integrimin e Ballkanit.

Tani, kjo gazetë shkruan se BE-ja në vend të pranimit, mund të krijojë lehtësira për vendet e rajonit, si lëvizja e lirë, por nga kjo duket se do të goditet më së shumti Kosova, meqë nuk është e përfshirë në negociatat për lehtësim dhe liberalizim të vizave.

Po në këtë temë, në ballinën e saj, “Koha Ditore” shkruan se BE-ja dëshiron raporte kontraktuale me Kosovën, megjithëse problemi i mosnjohjes së Kosovës nga 5 vendet anëtare po shkakton probleme në këtë drejtim.

Kjo gazetë shkruan se Bashkimi Evropian është duke i kryer pjesët e veta të detyrave në Kosovë, ndërkohë që kërkon rrugë për të ndihmuar edhe më shumë Kosovën.

Gazeta citon Komisarin e Zgjerimit, Olli Rehn, të ketë thënë se në vjeshtë Komisioni Evropian do të paraqesë një studim fizibiliteti për të gjetur rrugë se si të ndihmohet Kosova në rrugën e saj drejt realizimit të perspektivës evropiane.

Një tjetër temë që shtrohet në gazetat e sotme është ajo e përballjes së Kosovës me Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kur kanë mbetur pak më shumë se dy javë deri në afatin e fundit kur duhet dorëzuar argumentet në GJND, sipas gazetës “Express”, deklarata e Kosovës për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë është në fazën përfundimtare.

Kjo e përditshme citon ministrin e Jashtëm, Skënder Hyseni, të ketë thënë se “deklarata ka qindra faqe, qindra anekse, të cilat do të ofrojnë material të bollshëm dokumentues të të gjitha natyrave, për të paraqitur në mënyrën më të denjë të mundshme rastin e Kosovës para kësaj gjykate”.

Tutje, gazeta shkruan se edhe një nunër jo i vogël i shteteve aleate do t’i deponojnë deklaratat me shkrim në favor të Kosovës.

Në këtë kuadër, e përditshmja “Lajm” shkruan se misioni i përhershëm i Shqipërisë në OKB ka vënë në top-agjendë Kosovën, si dhe mbrojtjen e pavarësisë së saj para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Në një intervistë për “Lajm”, ambasadori i këtij misioni, Adrian Neritani, ka thënë se për një sy realist dhe profesional, përpjekjet e Serbisë për të sfiduar pavarësinë e Kosovës në GJND janë një rezultat i dështuar për shtetin serb.

Nuk është mahi e 1 prillit, por që nga sot tarifat e reja të energjisë elektrike do të jenë 2.5% më të larta, shkruan në editorialin e saj e përditshmja “Kosova sot”.

Korporata Energjetike e Kosovës ka kërkuar që rritja të bëhet në shkallën prej 11.5 për qind, megjithatë kjo është hedhur poshtë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, e cila në mbledhjen e saj të fundit ka propozuar që ngritja e përgjithshme e tarifave të jetë 2.5 për qind.

Por, mosmiratimi i propozimit 11.5 për qind, sipas “Kosova sot”, nuk është kurrfarë ngushëllimi për konsumatorët, të cilët tash 10 vjet po e paguajnë edhe terrin, ndërsa tani kur po ashpërsohen problemet sociale, do të paguajnë 2.5 % më shumë.

Për këtë mëkat social të ripërsëritur, sot do të ishte i motivuar çdo lloj reagimi qytetar. Mirëpo, duket se errësira ka shtuar heshtjen dhe ka kalitur durimin, shkruan e përditshmja “Kosova sot”.
XS
SM
MD
LG