Ndërlidhjet

Serbët për dhe kundër integrimit të Mitrovicës


Mitrovica
Mitrovica

Për zgjidhjen e problemit të Mitrovicës nuk ka dallime vetëm në mes të shqiptarëve dhe serbëve, por edhe në mes të vetë serbëve. Derisa disa nga ta mbështesin integrimin, ka të tjerë që duan ndarjen e qytetit.


Derisa shqiptarët tashmë kanë pranuar propozimin e Martti Ahtisaarit për zgjidhjen e problemit të Mitrovicës, vetë serbët e Kosovës mbesin të ndarë në lidhje me këtë çështje. Disa duan integrimin, disa duan që të mos preket ai që e quajnë kufi natyror - lumi Ibër, që ndan qytetin në pjesën shqiptare dhe serbe.

Nënkryetarja e Këshillit Nacional Serb, Rada Trajkoviq, thotë se zgjidhjen e problemit të Mitrovicës duhet kërkuar në kuadër të zgjidhjes së statusit të veriut të Kosovës.

“Gjithsesi që për mua zgjidhja që nuk aludon në ndonjë ndarje, është zgjidhja më e mirë. Në këtë kuptim, do të doja që Mitrovica të zgjerohet në Komunën e Zveçanit“, thotë zonja Trajkoviq.

Por, Nebojsha Joviq, nga Këshilli Nacional Serb në Mitrovicë, mendon se aktualisht e vetmja mundësi e zgjidhjes është qyteti i ndarë.

Nebojsha Joviq
“Më së miri është që qytetarët në veri të Mitrovicës ta zhvillojnë qytetin sa më mirë, përkatësisht kushtet për jetë - ashtu të bëjnë edhe shqiptarët në jug të Mitrovicës. Besoj se do të vijë koha kur përfundimisht serbët do të mund të kthehen në jug të Mitrovicës, që të kthehen edhe shqiptarët në veri, dhe secili të kthehet në shtëpi të tij. Vetëm kështu mund t’i arrijmë qëllimet“,
shprehet Joviq.

Megjithatë, unifikimin e Mitrovicës, Joviq e sheh vetëm atëherë kur Kosova të mbetet pjesë e Serbisë. Ai konsideron se propozimet, siç është ai në pakon e Ahtisaarit, për një qytet unik me dy komuna dhe me një bord të përbashkët janë të papranueshme për serbët.

“Nëse e dimë që në fillim se në këtë bord do të jenë disa përfaqësues politikë të bashkësisë ndërkombëtare, përvoja jonë na mëson se kurdo që në krye të këtyre organeve janë ndërkombëtarët, ata gjithmonë janë të njëanshëm, gjithmonë në anën e shqiptarëve, dhe në shumicën e rasteve kanë punuar kundër interesave të popullit serb“, thotë Joviq.

Me një konstatim të tillë nuk pajtohet Rada Trajkoviq. Ajo thekson se duhet ndaluar fushatën se përfaqësuesit ndërkombëtarë janë të njëanshëm.

Unë mendoj se ne të gjithë duhet të ndalemi me rrëfimin dhe fushatën në të cilën komuniteti ndërkombëtar shihet si faktor që mban anë. Unë, megjithatë, mendoj se ka hapësirë që me bashkësinë ndërkombëtare të bëhet një zgjidhje, që çon kah diçka që është kompromis“, deklaroi Trajkoviq.

Rada Trajkoviq
Ajo konsideron se fillimi i zgjidhjes së statusit të Mitrovicës duhet të jetë edhe fillimi i bisedimeve me përfaqësuesit e të dyja palëve.

“Për mua, fillimi i zgjidhjes së kësaj çështjeje është diçka që nënkupton dialog, ose fillim të dialogut mes liderëve shqiptarë në jug të Mitrovicës me ata serbë të veriut, me qëllim që të gjendet zgjidhja më e mirë. Dhe, kjo në thelb do të ishte një zgjidhje kompromisi“, thekson Trajkoviq.

Por, Joviq insiston në ndarjen e qytetit. Ai konsideron se duhet të respektohet kufiri natyror në lumin Ibër, e, në të njëjtën kohë, banorët e Mitrovicës të vazhdojnë të jetojnë pranë njëri-tjetrit.

“Rreth 99 për qind e serbëve të Mitrovicës në këto momente konsiderojnë se më së miri është që jetojmë pranë njëri-tjetrit, që të respektojnë kufijtë natyrorë, që nuk do të thotë se nuk duhet gjetur mënyrë për bashkëpunim eventual, por që nuk do të dukej si zgjidhja e një qyteti unik“, thotë Joviq.

Mitrovica që nga qershori i vitit 1999 është e ndarë në pjesën jugore dhe veriore. Përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar kanë dalë disa herë me propozime të ndryshme se si të zgjidhet problemi i qytetit të ndarë, por, për shkak të jogatishmërisë së njërës apo palës tjetër, këto plane nuk janë jetësuar.

Ish-ndërmjetësi ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, ka propozuar që qyteti të organizohet në dy kuvende komunale për pjesën jugore dhe veriore dhe që në krye të qytetit të jetë një bord, i cili në fillim do të udhëhiqej nga ndërkombëtarët.

Ky propozim është pranuar nga institucionet e Kosovës dhe nga serbët në jug të lumit Ibër, por jo edhe nga serbët në veri të Ibrit dhe nga shteti serb.
XS
SM
MD
LG