Ndërlidhjet

“Kosova me shanse minimale për anëtarësim në OKB”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
“Koha Ditore” shkruan se Kosova i ka gjasat shumë të vogla, që edhe në vitin e dytë të pavarësisë të bëhet anëtare e familjes së shteteve të lira në OKB, në sesionin e 64-të të Asamblesë së Përgjithshme, që mbahet në vjeshtë të këtij viti.


Derisa anëtarët kryesorë të Këshillit të Sigurimit nuk ndalin kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, analistët vlerësojnë se është vështirë që shpresat e shtetit të ri për t’u bërë anëtare e Kombeve të Bashkuara, do të mund të realizohen.

“Koha Ditore” shkruan se probabiliteti i anëtarësimit në OKB dhe në organizata të tjera ulet edhe më shumë, derisa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë opinionin e vet këshillëdhënës, i cili do të mund të zgjatet deri në dy vjet.

Qeveria, sipas gazetës, mban shpresa se nëse lëvizin shtetet e Konferencës Islamike, atëherë shanset mund të rriten. Partitë politike nga blloku opozitar thonë se ekzekutivi nuk ka lobuar sa duhet tek këto shtete, por është mbështetur te miqtë, shkruan “Koha Ditore”.

Pasojat e krizës globale financiare në Kosovë shtjellohen në një editorial të gazetës “Zëri”. I titulluar “Pse nuk flasim për krizën ekonomike në Kosovë”, editoriali kritikon mekanizmat përkatës që heshtin përballë kësaj goditjeje të madhe ekonomike dhe sociale. “Zëri” shkruan se kriza ekonomike nuk është më kërcënim, por realitet.

Gati 30 për qind e Trustit Pensional të Kosovës është humbur në vjeshtën e kaluar dhe dimrin e sivjetmë. Disa nga fabrikat më të suksesshme, si Ferronikeli, Llamkos, Ballkan, të cilat morën krah pas privatizimit, tani janë të mbyllura ose para mbylljes, shkruan gazeta.

Para nga bashkatdhetarët që jetojnë në perëndim ka gjithnjë e më pak, ndërsa shtetet e mëdha perëndimore, së paku në dy vjetët e ardhshëm, do të kenë gjithnjë e më pak vullnet që të preokupohen me situatën ekonomike e sociale në Kosovë.

“Zëri” paralajmëron se goditja nga kriza ekonomike mund të jetë aq e keqe dhe e rëndë, saqë nuk do të bëjë shumë punë, nesër apo pasnesër, nëse tatëpjeta e madhe ekonomike dhe sociale bëhet shkas për humbjen dhe fitimin e pushtetit.

Pushteti në një shoqëri të dërrmuar nga kriza ekonomike dhe sociale është barrë e madhe, e cila bluan perspektivën e stabilizimit të Kosovës, përfundon shkrimin “Zëri”.

Nga ana tjetër, shtypi i sotëm trajton edhe procesin e decentralizimit. “Express” citon ministrin e Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, të ketë thënë se komunat e reja mund t’i legjitimojë vetëm dalja e serbëve në zgjedhjet lokale. Sipas tij, ky proces është i vështirë.

Ndërsa, e njëjta gazetë citon politikanin serb, Oliver Ivanoviq, të ketë thënë se në këtë proces serbët nuk bashkëpunojnë me ICO-në dhe Qeverinë e Kosoëvs, por me Këshillin e Evropës. Sipas Ivanoviqit, vetëm drejtimi i këtij procesi nga Këshilli i Evropës do të siguronte neutralitet.
XS
SM
MD
LG