Ndërlidhjet

Serbët (s’) i përgjigjen regjistrimit


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Frika nga bojkoti serb bën që të mos dihet data e regjistrimit të popullsisë në Kosovë. Ka serbë kosovarë që për arsye të ndryshme, thonë se do refuzojnë të regjistrohen, por ka edhe që e mbështesin këtë proces.


Institucionet e Kosovës ka disa herë që po e shtyjnë regjistrimin e popullsisë, përgatitjet për të cilin kanë nisur vite më parë.

Edhe kësaj here, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shërbimeve Publike, duket se është hezitimi serb për t’u regjistruar - ai që po shtyn këtë proces, i cili në Kosovë për herë të fundit është kryer në vitin 1981.

Nënkryetarja e Këshillit Nacional Serb, Rada Trajkoviq, thotë se regjistrimi i popullsisë nuk mund të pranohet, derisa të mos konfirmohet statusi i Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe derisa një numër i madh i serbëve gjendet ende jashtë Kosovës.

“Për ne, regjistrimi i popullsisë është i kontestuar, sepse institucionet që ende nuk kanë arritur legalitet në KS të OKB-së, në thelb në terren sillen si shtet. Në anën tjetër, për shkak të sigurisë së serbëve, nuk do të lejohej që në shtëpitë e tyre të hynin ata që nuk janë nga komuniteti i tyre”.

“Meqë ky regjistrim nënshkruhet nga institucionet e Prishtinës, mu për shkak të statusit të pazgjidhur institucional, serbët do të përjetojnë në një formë një spastrim legal etnik, i cili u krye që nga hyrja e forcave ndërkombëtare në këtë hapësirë”,
tha Rada Trajkoviq.

Përfaqësuesit e serbëve konsiderojnë se regjistrimi është i domosdoshëm, në mënyrë që të dihet se sa serbë jetojnë në Kosovë dhe sa janë të zhvendosur. Për Rada Trajkoviqin, më së miri është që të ketë një qasje rajonale ndaj këtij procesi, për shkak të lëvizjes së banorëve.

“Mendoj se një regjistrim relevant, i vetmi relevant në këtë hapësirë, do të ishte regjistrimi, i cili do të organizohej në nivel rajonal. Të gjithë e dimë se ekziston një rreth i banorëve shqiptarë në rajon dhe shumë njerëz nga jugu i Serbisë regjistrohen në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore”.

“Dhe, ato shifra, në një mënyrë, nuk do të paraqisnin shifrat reale të banorëve në Kosovë dhe për këtë arsye nuk do të duhej të ketë diçka si regjistrim të popullsisë”,
u shpreh Trajkoviq.

Megjithatë, shumë serbë konsiderojnë se regjistrimi është i domosdoshëm që të dihet se sa serbë jetojnë në Kosovë dhe sa janë të zhvendosur. Partia e Pavarur Liberale, e cila merr pjesë në punët e Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës, bën thirrje për regjistrim.

Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Bojan Stojanoviq, është i vetëdijshëm që regjistrimi është problem politik, për të cilin përgjegjësi mbajnë edhe institucionet.

“Mendoj se ka mjaft vrima në Ligjin për regjistrim dhe se duhet gjetur model adekuat se si të gjithë të ikurit dhe të zhvendosurit të regjistrohen. Qëndrimi i partisë sonë është se duhet të kryhet regjistrimi, në mënyrë që serbët të tregojnë se në ç’numër janë në Kosovë”.

“Mirëpo, është e mundshme që aktualisht nuk ka disponim të madh, por për këtë nuk është fajtor vetëm komuniteti serb, por edhe ata që duhet të realizojnë regjistrimin, sepse nuk kam parë se bëhet ndonjë fushatë në lidhje me këtë dhe njerëzit nuk kanë njohuri”,
tha Stojanoviq.

Sipas Stojanoviqit, regjistrimi i banorëve mund të kryhet me një bashkëpunim mes mekanizmave vendës dhe ndërkombëtarë, siç është UNHCR. Por, nëse serbët bojkotojnë regjistrimin, atëherë do të përballen me shifrat e mëhershme. Për këtë arsye, ai mendon se duhet marrë vendim politik.

“Duhet të mbahet një fushatë serioze edhe në komunitetin serb. Pajtohem se ky është vendim politik, sepse këtu edhe çështja më e thjeshtë teknike shndërrohet në politike, dhe ne nuk kemi zgjidhje tjetër”.

“Por, këto probleme që janë evidente, t’i zgjidhim, t’i thërrasim njerëzit për regjistrim, në mënyrë që të tregojnë se nuk janë vetëm 50 ose 60 mijë, por që serbët janë në numër më të madh në Kosovë”,
pohon Stojanoviq.

Ministria e Shërbimeve Publike thotë se i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme teknike dhe është e gatshme për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.

Por, vetë kreu i Komisionit Republikan për Regjistrimin e Popullsisë ka thënë, ditë më parë, se me gjithë përgatitjet, autoritetet ndërkombëtare që janë të përfshira në këtë proces, po i frikësohen bojkotit serb.
XS
SM
MD
LG