Ndërlidhjet

Vetëvrasjet në rritje



Në një konferencë ndërkombëtare shkencore me temën “Drejt parandalimit efektiv të vetëvrasjes dhe vetë-lëndimit në mesin e të rinjve kosovarë”, organizuar nga Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me Fondacionin “Together” nga Republika e Sllovenisë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është zotuar se Qeveria që ai udhëheq, do të bëjë përpjekje të vazhdueshme për krijimin e kushteve sa më të mira të jetesës konform standardeve ndërkombëtare për të gjithë të rinjtë.

“Më lejoni të shpreh përkushtimin e thellë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për forcimin e një sistemi profesional kombëtar, me qëllim të përpilimit dhe zbatimit të programeve gjithëpërfshirëse, që do të kenë pikë synimi parandalimin e kësaj dukurie tejet shqetësuese dhe negative në shoqërinë kosovare".

"Qeveria e Republikës së Kosovës po bën përpjekje të vazhdueshme që të punojë në ngritjen e një niveli të jetesës më të mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, e me theks të veçantë për të rinjtë kosovarë”,
tha Thaçi.

Se numri i e të vetëvrarëve në Kosovë po rritet, e konfirmojnë edhe zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë. Ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, thotë se Kosova ka nevojë për më shumë institucione të shëndetit mendor.

“Porosia është që ne duhet të jemi shumë më të njerëzishëm ndaj njëri-tjetrit. Duhet të jemi shumë më të kujdesshëm në zhvillimin institucional të shëndetit mendor”, u shpreh Gashi.

Konferenca është fokusuar edhe në përvojat e vendeve perëndimore pёr parandalimin e vetëvrasjes tek tё rinjtë.

Një përvojë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ka sjellë Karyn Posner Mullen, drejtoreshë e Zyrës për marrëdhënie me publikun në Ambasadën Amerikane në Prishtinë. Zonja Mullen ka treguar se kur ishte njëvjeçare, nëna e saj kishte bërë vetëvrasje.
Nuk është turp të kërkosh ndihmë nëse je në depresion apo ke probleme me substanca të ndryshme dhe këtë duhet ta dijë dhe rinia...

“Pas secilit person qëndron një familje dhe pas secilës familje ka gjithashtu miq. Kjo është një foto e imja bashkë me nënën time, në vitin 1951, kur unë isha njëvjeçare dhe ajo i kishte 25. Pas 25 vjetësh, ajo bëri vetëvrasje, pra në vitin 1976. Çdo vetëvrasje ka një ndikim shumë të madh; nëna ime nuk i pa arritjet e mia dhe ato të motrës sime – ajo nuk mundi të jetë mikja dhe këshillëdhënësja jonë dhe nuk mundi të jetë nëna jonë".

"Nuk është turp të kërkosh ndihmë nëse je në depresion apo ke probleme me substanca të ndryshme dhe këtë duhet ta dijë dhe rinia”,
tha Mullen.

Ndërkaq, ekspertë të shëndetit mendor thonë se vetëvrasja, sikurse edhe format tjera të dhunës, mund të parandalohet. Ferid Agani, neuro-psikiatër, konsideron se vetëvrasjet në Kosovë janë bërë një fakt shqetësues.

“Natyrisht që është shqetësues, posaçërisht kur kemi parasysh se jemi një shoqëri, e cila para 30 vjetësh nuk e ka njohur këtë dukuri në përmasat e tilla signifikante. Pra, kemi të bëjmë me një ndryshim evident brenda shoqërisë sonë... Natyrisht që është brengosëse dhe shqetësuese dhe për këtë arsye i kemi dhënë një rëndësi që nga fillimi, sepse është momenti i fundit dhe shumë adekuat tani që të merremi me parandalimin”, tha Agani.
Ndryshe, rajonet më të prekura nga vetëvrasjet janë kryesisht ato që kanë nivel të lartë të papunësisë dhe varfërisë. Mosha e atyre që bëjnë vetëvrasje raportohet të jetë nga 18 deri në 30 vjeç.
XS
SM
MD
LG