Ndërlidhjet

Pse zvarritet aktivizimi i mekanizmave të sigurisë?


Jofunksionalizimi i mekanizmave të sigurisë ka ngjallur kritika edhe në mes të vetë përfaqësuesve të partisë në pushtet. Por, qeveria thotë se çdo gjë është në kuadër të afateve të parapara.


Ka më se tre muaj që kur është emëruar drejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), por jo edhe hierarkia e saj udhëheqëse, duke bërë që kjo agjenci të mos jetë funksionale.

Ndërkohë, marrë parasysh gjendjen e brishtë të sigurisë në Kosovë, posaçërisht në veri, ekspertë të sigurisë tërheqin vërejtjen se ky mekanizëm do të duhej të ishte tashmë funksional.

Është kryeministri, që në konsultim me presidentin, duhet të emërojë zëvendësdrejtorin dhe inspektorin e përgjithshëm të AKI-së. Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, thotë se këto poste do të plotësohen në një të ardhme të afërt.

“Nuk ka asnjë problem, absolutisht. Kryeministri dhe presidenti vazhdojnë të kenë një koordinim të shkëlqyeshëm sa i përket AKI-së. Tashmë është ndarë edhe buxheti i mjaftueshëm. Për ne nuk ka pasur rëndësi të ngutemi dhe ta bëjmë dosido Agjencinë, por kemi dashur që ta krijojmë ashtu siç duhet dhe siç e parasheh ligji”,
thekson Krasniqi.

Krasniqi thotë se ende nuk janë shkelur afatet e përcaktuara me ligj. Por, i këtij mendimi nuk është kreu i Komisionit Parlamentar për Siguri, Rrustem Mustafa, i cili i takon partisë që e drejton kryeministri - PDK-së. Ai nuk justifikon vonesën e kompletimit të mekanizmave të sigurisë, përfshirë edhe AKI-në.
Është në dorë të Qeverisë. Qeveria po na jep informacion se ‘po kërkojnë njerëz të duhur në vendin e duhur’. Por, unë mendoj se vonesa është e pajustifikueshme...

“Mosfunksionalizimi i mekanizmave të sigurisë dhe të inteligjencës në vend është pasojë e zvarritjes së tepërme të orareve që po i bëjmë ne bashkë me Qeverinë. Është në dorë të Qeverisë. Qeveria po na jep informacion se ‘po kërkojnë njerëz të duhur në vendin e duhur’. Por, unë mendoj se vonesa është e pajustifikueshme”, tha Mustafa.

Qeveria e Kosovës, shtyrjen e emërimit të strukturës udhëheqëse të AKI-së e arsyeton me faktin se duan njerëz kompetentë dhe të duhur në shërbimin e sapoformuar informativ të Kosovës. Por, Rrustem Mustafa mendon se ka një arsye tjetër për këtë - mungesa e organizimit dhe menaxhimit.

“Shpresoj që ka kapacitete në vendin tonë edhe për inteligjencë, edhe për të tjerat, por sikur vështirë po ndodhin në afatin e paraparë, kur ende nuk po mundemi dhe nuk dimë të organizojmë si duhet dhe ndjejmë fajësi që deri më tash nuk i kemi vënë në funksion”, tha Mustafa.

Në anën tjetër, eksperti për çështje ushtarake, Ramadan Qehaja, thotë se vonesa si në formimin e FSK-së, ashtu edhe në kompletimin e shërbimit informativ, apo konstituimi shumë i vonshëm i Këshillit të Sigurisë së Kosovës, i ka bërë dëm Kosovës.
Ne është dashur që tash t’i kemi këto institucione të përforcuara, të konsoliduara dhe ta kryejnë detyrën e vet...

“Ne është dashur që tash t’i kemi këto institucione të përforcuara, të konsoliduara dhe ta kryejnë detyrën e vet. Por, kjo nuk ndodhi. Duket se jemi mësuar, të shprehem, të jemi konsumatorë të çështjeve të sigurisë, e kurrsesi të jemi zbatues me institucionet tona të sigurisë. Tash ka ardhur koha që ne vetë të kemi përgjegjësi në këtë drejtim”, u shpreh Qehaja.

Ndryshe, zyrtarë të Qeverisë nuk pranojnë se ka zvarritje në funksionalizimin e plotë të mekanizmave të sigurisë. Ata kujtojnë se nuk është bërë ende një vit nga fuqizimi i Kushtetutës së Kosovës. Megjithatë, siç thotë vetë deputeti Rrustem Mustafa, vonesa ka dhe ato janë të pajustifikueshme.

Tensionet e vazhdueshme në veri, prania e shërbimeve ilegale informative të huaja në vend, strukturat paralele serbe të sigurisë në veri - janë vetëm disa nga faktorët, që, sipas ekspertëve të sigurisë, minojnë sigurinë në vend.

Ata thonë se po të ishin funksionalë mekanizmat si Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe po të mblidhej më shpesh Këshilli i Sigurisë së Kosovës, do të rritej edhe niveli i sigurisë.
XS
SM
MD
LG