Ndërlidhjet

Prolongimi i marrëdhënieve me Kosovën


Shkup
Shkup

Ministria e Jashtme e Maqedonisë mbetet në vlerësimin e saj të mëparshëm se marrëdhëniet diplomatike me Republikën e Kosovës do të vendosen në momentin më të përshtatshëm. Sipas analistëve, prolongimi i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kosovën mund të shkaktojë reagime negative tek shqiptarët e Maqedonisë.


Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka qëndrim të ri rreth vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kosovën. Sipas saj, ato do të vendosen kur dy ministritë homologe do të vlerësojnë se është momenti më i përshtatshëm, por nuk mund të përcaktohet data e saktë se kur do të ndodhë një gjë e tillë.

Analistët politikë thonë se shkaku kryesor se pse Maqedonia nuk ka vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën, 7 muaj pas njohjes së pavarësisë së saj, është balancimi i raporteve me Prishtinën dhe Beogradin.

“Mosvendosja e marrëdhënieve diplomatike është tentim për balancim dhe për t'i kënaqur deri diku dëshirat dhe synimet e Prishtinës dhe Beogradit. Domethënë, u njoh Kosova si shtet, megjithatë duhet të pritet rreth vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, por edhe të shihet se sa shtete do ta njohin Kosovën”, thotë analisti politik Ilija Talev.

Ndërkaq, analisti Albert Musliu konsideron se vendi duhet që sa më shpejt ta përfundojë këtë proces dhe pajtohet me vlerësimet se prolongimi bëhet në favor të zbutjes së marrëdhënieve me Serbinë.

“Kosova nuk insiston shumë që marrëdhëniet diplomatike të ngrihen në nivel të ambasadorëve, edhe pse kemi disa iniciativa, më shumë nga ana e intelektualëve dhe mediave sesa nga Qeveria e Kosovës. Nga ana tjetër, Maqedonia nuk insiston shumë që Kosova ta pranojë me emrin kushtetues, edhe pse edhe në Maqedoni kemi pasur disa vërejtje nga intelektualë dhe analistë të ndryshëm që të ndodhë kjo. Mendoj se është një formë e balancimit, me qëllim të zbutjes së marrëdhënieve diplomatike me Serbinë”, tha Musliu.

Ai mendon se prolongimi i mëtejshëm i vendosjes së raporteve diplomatike me Kosovën mund të shkaktojë reagime negative tek popuallata shqiptare në Maqedoni.

Pamje në Prishtinë
“Shqiptarët në Maqedoni me aklamcion janë deklaruar se janë për pavarësinë e Kosovës ose për marrëdhënie të mira me Kosovën. Uroj që marrëdhëniet diplomatike me Serbinë të mos vendosen në dëm të marrëdhënieve me Kosovën, sepse sigurisht që kjo do të ishte tragjike për Maqedoninë”, deklaroi analisti Musliu.

Aktualisht në Kosovë funksionon Zyra e Maqedonisë për lidhje, të cilën e drejton Stojan Karajanov. Nga ana tjetër, Lubisha Georgievski është emëruar zyrtarisht ambasador i Maqedonisë në Beograd, pasi për shkak të njohjes së Kosovës nga Maqedonia, në shenjë proteste, Beogradi dëboi ambasadorin e mëparshëm të Shkupit në Serbi, Aleksandar Vasilevski.
XS
SM
MD
LG