Ndërlidhjet

“Parlamenti Evropian lyp llogari rreth UNMIK-ut”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare

Gazeta “Koha Ditore” shkruan në lidhje me një nismë në Parlamentin Evropian për të hetuar rastet e keqpërdorimeve me fondet evropiane gjatë kohës së UNMIK-ut në Kosovë. “Në veçanti jemi të interesuar rreth përcjelljes së fletarrestimeve ndërkombëtare të lëshuara ndaj stafit të OKB-së”, citon gazeta letrën e ligjvënësve evropianë.

Në anën tjetër, zyrtarët e UNMIK-ut i kanë thënë gazetës se rastet e dyshuara tashmë i janë përcjellë EULEX-it.

Sipas gjetjeve të parlamentarëve evropianë, as sugjerimet e dala nga hetimet e përbashkëta të OKB-së dhe BE-së lidhur me keqpërdorimin e dhjetëra miliona eurove, nuk janë zbatuar deri në fund, thuhet në artikull.

Kjo, sipas gazetës, ka zemëruar zyrtarët evropianë, të cilët i kanë rekomanduar Komisionit Evropian që të heqë dorë nga financimi i programeve të Kombeve të Bashkuara, të cilat nuk ofrojnë transparencë të mjaftueshme.

Thuhet po ashtu se janë hetuar rreth 50 raste të dyshimeve për keqpërdorime gjatë kohës së UNMIK-ut. Prej tyre, për 12 raste thuhet se është pritur të ketë kallëzime penale, derisa 27 të tjera i ishin përcjellë shefit të UNMIK-ut që të ndërmarrë masa konkrete.

Ndërsa në shkrim thuhet se rastet kanë mbetur të pazbardhura, lëndët i janë përcjellë edhe EULEX-it që të ballafaqohet me to. Rastet më të rënda thuhet se kanë të bëjnë me tenderë të caktuar, me fondet që ndërlidhen me Aeroportin e Prishtinës, si dhe paratë e destinuara për Korporatën Energjetike të Kosovës.

Zhvillimet në koalicionin qeverisës dhe raportet pozitë opozitë gjithashtu trajtohen në shtypin e sotëm. Gazeta “Express” shkruan se kryeministri ka lënë anash ndërrimin e ministrave. Kurse, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i ka thënë gazetës se nuk do të ketë lajme sensacionale nga Qeveria.
Sidoqoftë, gazeta shkruan se koalicioni duket më pak i fuqishëm seç ishte menduar. Aty citohet edhe deputeti opozitar, Naser Rugova, i cili paralajmëron se brenda ditësh mund të shohim një grup të ri parlamentar, të krijuar nga deputetë të pozitës dhe të tjerë.

Gazeta rikujton se në Qeveri disa herë ishte përmendur mundësia e ndërrimit të ministrave, për shkak të performacës së tyre jo të mirë, por kjo ishte e pamundur të bëhej, për shkak të dobësimit të koalicionit dhe humbjes së fuqisë në Parlament.

Afërsisht, në të njëjtën temë, gazeta “Lajm” shkruan se Qeveria aktuale, edhe pse ishte votuar me shumicë votash vitin e kaluar, tash po pëson rënie të besimit në Kuvend.

Përveç largimit të disa deputetëve nga LDK-ja, ka të tjerë që mbajnë krahun e kësaj partie, por që nuk janë të kënaqur me partnerin qeverisës, shkruan “Lajm”.

Ndërkaq, një lajm nga kultura ka të bëjë me shfaqjen premierë të filmit “Heshtja e Lornës” në Kosovë, ku rolet kryesore i luajnë aktorët kosovarë Arta Dobroshi dhe Alban Ukaj.

Gazeta “Koha Ditore” shkruan për interesimin e madh që kishte për këtë film. “Heshtja e Lornës” u prit me shumë zhurmë në Prishtinë, shkruan gazeta, duke dhënë disa përshkrime të atmosferës dhe interesimit tepër të madh që kishte dje në kryeqytet për të parë këtë film, bashkë me regjisorët dhe aktorët kryesorë, të cilët ndodheshin në sallën e kinemasë.
XS
SM
MD
LG