Ndërlidhjet

Serbia (s’) e do ndarjen e Kosovës


Kuvendi i Serbisë - foto arkiv
Kuvendi i Serbisë - foto arkiv
Deklarata e Borko Stefanoviqit për mundësinë e shqyrtimit të ndarjes së Kosovës është sinjali i parë zyrtar nga Beogradi për mundësinë që rreth kësaj çështjeje të bisedohet.

Por, sipas shefit të ekipit negociator të Beogradit, Borko Stefanoviq, kjo nënkupton se pala serbe është e hapur të bisedojë për të gjitha dhe nuk është propozim konkret.

“Ajo që ne kemi thënë sa i përket ndarjes së Kosovës, është vetëm një nga temat për të cilat ne jemi të gatshëm të bisedojmë. Edhe në rezolutën e fundit që e kemi miratuar në Parlament na mundësohet dhe ofrohet hapësirë e mjaftueshme për të - merreni e lexojeni atë! A do të thotë kjo që ne e njohim Kosovën si shtet të pavarur, absolutisht jo”, tha Stefanoviq.

Kryeministri serb, Mirko Cvetkoviq, ishte edhe më specifik, duke thënë se nuk ka kthim mbrapa në politikën e Beogradit.

“Nuk bëhet fjalë për asnjë politikë të re, me të cilën shteti po merret”, tha Cvetkoviq.

Duke pritur raundin e katërt të bisedimeve ku do të duhej të arrihej marrëveshja për kadastrën dhe librat e amzës, nga Prishtina është dhënë mesazhi i qartë se dialogu me Beogradin do të jetë i papranueshëm nëse në një moment bëhet temë edhe çështja politike e ndarjes së Kosovës.

Një gjë e tillë nuk mund të kalojë si temë e dialogut as për opozitën serbe.

Lubomir Kragoviq, kryetar i Komisionit Parlamentar për Kosovën nga Partia Radikale Serbe, e cila ka kërkuar që funksionarët e shtetit t’i japin llogari Parlamentit për politikën ndaj Kosovës, tha se në rezolutën që e ka miratuar Parlamenti serb, nuk përmendet askund mundësia e ndarjes së Kosovës.

“Mua më pyesin qytetarët e Kosovës qendrore: çfarë po bëjnë këta, çfarë do të ndajmë ne, kush ju dha mandat atyre? A po bëhet kjo me urdhër të Vuk Jeremiqit apo me urdhër të Boris Tadiqit? Ne emër të kujt po flet Borko Stefanoviq, kë dëshiron ta ndajë ai?”, deklaroi Kragoviq.

Të pranosh të bisedosh për ndarjen do të thotë se Beogradi po e shkel Rezolutën 1244, mbi të cilën zyrtarët serbë janë thirrur shpesh, tha Velimir Iliq, udhëheqësi i Partisë Serbia e Re.

“Më kujtohet kur unë, Boris Tadiq dhe Vojisllav Koshtunica jemi takuar me Putinin në Moskë, i cili iu drejtua presidentit me këto fjalë: ‘Unë nuk dua të bëhem më serb se ju, president Tadiq. Unë po mbroj rezolutën, e cila ju mbulon juve, ndërsa ju po e shkelni atë’”, kujtoi fjalët e Putinit Velimir Iliq.

Kryenegociatorët në bisedime
Për cilëndo zgjidhje që nuk e përfshin Kosovën në të, Serbia duhet ta ndryshojë Kushtetutën e saj, sepse preambula e saj thotë se Kosova është pjesë e Serbisë. Në favor të ndryshimit të kësaj preambule deri më tash janë vetëm Partia Liberale Serbe dhe Lëvizja e Ringjalljes Serbe.

Zyrtari i liberalëve, Ivan Andriq, tha se të gjitha temat në të cilat është e mundshme marrëveshja në mes të përfaqësuesve të popullit serb në Kosovë dhe popullit shqiptar, do të ishin të pranueshme për këtë parti. Sipas Andriqit, edhe Beogradi do të duhej të pajtohej me këtë gjë.

Ndërkaq, Dushan Janjiq, koordinator i Forumit për Marrëdhëniet Etnike, deklaroi se Qeveria aktuale serbe, pavarësisht deklarimeve publike, po përpiqet ta heqë qafe statusin e Kosovës.

“Që të jem i drejtpërdrejtë, ndarja është një metodë për të njohur Kosovën. Beogradit, për disa arsye që janë të ditura vetëm për autoritetet e larta qeveritare, por jo opinionin, po i ngutet që ta njohë Kosovën dhe prej kësaj ka dalë edhe tema e ndarjes”, vlerësoi Janjiq.

Ai shtoi se Beogradi publikisht nuk flet për ndarjen e Kosovës, por se kjo ide është e pranishme në Partinë Demokratike të Tadiqit dhe se për këtë gjë, Tadiq, gjatë vitit të kaluar, dy-tri herë ka lobuar në bashkësinë ndërkombëtare. Janjiq në këtë kontekst tha:

“Ndërlidhja e kësaj çështjeje me fazën e tashme të dialogut teknik është befasuese. Mbase, dikush në Beograd dëshiron që në këtë formë të heqë qafe çështjen e statusit. Ky është qëndrim i Partisë Demokratike dhe jo i opinionit të këtushëm”.

“Ndoshta është ide taktike që Prishtina të provokohet dhe të braktisë dialogun teknik”,
konkludoi Dushan Janjiq. (a.h.)
XS
SM
MD
LG