Ndërlidhjet

Mungesa e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën


Qeveria e Maqedonisë
Qeveria e Maqedonisë

Analistët shqiptarë, duke komentuar mosftesën e presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, në inaugurimin e presidentit të ri maqedonas, Gjorgje Ivanov, vlerësojnë se ky veprim është në dëm të thellimit të marrëdhënieve dypalëshe me Kosovën. Ndërkaq, analistët maqedonas thonë se Maqedonia do të tentojë t’i balancojë raportet me Prishtinën dhe me Beogradin në një periudhë të gjatë.


Analisti politik, Sevdail Demiri, deklaroi për radion Evropa e Lirë se presidenti i ri i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, i cili ka legjitimitet të kontestuar tek shqiptarët, me mosftesën e presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka bërë një gafë të madhe.

“Presidenti Ivanov dhe, para së gjithash, diplomacia maqedonase është dashur të ketë konsideratë ndaj fqinjit të saj verior – Kosovës, dhe duke pasur parasysh se presidenti Ivanov nuk mori besimin e qytetarëve shqiptarë të Maqedonisë, është dashur që së paku në këtë rast të tregohet më i guximshëm në raport me shqiptarët”, tha Demiri.

Ndërsa, analisti politik, Bobi Hristov, tha se gjatë kësaj jave kishte, siç u shpreh ai, një cirkus të vërtetë rreth çështjes se kishte ftesë ose jo për Sejdiun, gjë që, sipas tij, krijon një imazh të keq për diplomacinë e Maqedonisë, edhe pse është e qartë se Maqedonia do të tentojë të krijojë raporte të balancuara si me Kosovën, po ashtu edhe me Serbinë, tha Hristov.

“Në një periudhë të caktuar, ndoshta gjatë vitit apo tre vjetëve të ardhshëm, ose ndoshta edhe më tepër, shumë vështirë se ndonjë shtet fqinj do të arrijë të ulë në një vend presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe atë të Serbisë, Boris Tadiq”, tha ai.

Ndërkohë, presidenti Fatmir Sejdiu ka marrë ftesë për të vizituar Shkupin më 28 maj dhe rrjedhimisht të jetë presidenti i parë i një shteti të huaj që do të takojë presidentin e ri të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

Sipas analistit Bobi Hristov, është absurd fakti që ftohet presidenti Sejdiu, ndërsa edhe më tej nuk janë vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën.

“Është absurde dhe e pakuptueshme që Sejdiu ftohet për vizitë zyrtare nga presidenti Ivanov, ndërsa ndërkohë nuk janë vendosur marrëdhëniet diplomatike. Nuk e di se cili protokoll do të zbatohet gjatë pritjes së Sejdiut. Nëse zbatohet protokolli standard me ngritjen e flamurit kosovar dhe me intonimin e himnit kosovar, absurditeti i mosvendosjes së marrëdhënieve diplomatike bëhet më i madh”, pohoi Hristov.

Edhe analisti politik, Sevdail Demiri, thotë se Maqedonia është vonuar sa i përket vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kosovën.

“Kjo vonesë e njohjes së shtetësisë së Kosovës, përkatësisht e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, shkon në dëm të Republikës së Maqedonisë. Maqedonisë aktualisht nuk i nevojitet ky prolongim”, deklaroi Demiri.

Maqedonia, 7 muaj pas njohjes së pavarësisë së Kosovës, nuk ka vendosur marrëdhënie diplomatike me të, ndërsa mban qëndrim neutral sa i përket procesit që zhvillohet në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë rreth çështjes së ngritur nga Serbia, se vallë shpallja e pavarësisë është ose jo në harmoni me normat e së drejtës ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG