Ndërlidhjet

Ivanoviq: Regjistrimi të jetë rajonal


Oliver Ivanoviq
Oliver Ivanoviq

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë sërish vihet në dyshim, për shkak të hezitimit të serbëve për të marrë pjesë në këtë proces. Qeveria e Kosovës thotë se pa këtë pjesëmarrje, regjistrimi nuk do të paraqiste gjendjen reale. Një qëndrim nga politikanët serbë është që për të pasqyruar realitetin, regjistrimi të jetë i përbashkët për rajonin.


Politikani serb i Kosovës, i cili tashmë është bërë pjesë e Qeverisë së Serbisë, Oliver Ivanoviq, propozon që regjistrimi i popullsisë të mbahet në të gjitha vendet e rajonit.

“Mendoj se ekziston vetëm një mundësi - është ky qëndrim imi personal, që të mbahet regjistrim në tërë rajonin. Këtu do të përfshihej edhe Shqipëria, edhe Maqedonia, edhe pse janë shtete të pavarura, pastaj Kosova, Serbia e Bosnja, pra si një regjistrim i përbashkët”, pohon Oliver Ivanoviq.

Ky qëndrim vjen në kohën kur regjistrimi i popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare ka ngecur për shkak të hezitimit të serbëve për të marrë pjesë në këtë proces.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, thotë se regjistrimi do të mbahet ashtu si parashihet me legjislacionin kosovar.

“Procesi i regjistrimit në pajtueshmëri me legjislacionin aktual të Republikës së Kosovës”,
thotë Krasniqi.

Përgatitjet për mbajtjen e regjistrimit, proces ky që për herë të fundit në Kosovë është mbajtur në vitin 1981, kanë nisur vite me parë. Por, ende nuk është saktësuar data e mbajtjes së tij.

Duket që edhe pse është thënë, as 2009-ta nuk do jetë vit i regjistrimit. Sërish Memli Krasniqi:

“Siç e dini, kjo çështje parashihet me Pakon e Ahtisaarit dhe në këtë drejtim ka disa ndërlidhje që duhet bërë me ICO-në, një formë e koordinimit, sepse për të pasur një regjistrim të suksesshëm, duhet të kemi pjesëmarrjen e minoriteteve, në këtë rast të pakicës serbe, e cila është hezituese”.

“Ne po punojmë në atë drejtim, që të bëhen sqarimet e duhura, të shpjegohet se ky nuk është proces politik, por administrativ, qe i ka munguar Kosovës për vite”,
tha Krasniqi.

Por, në anën tjetër, Ivanoviq e quan proces të politizuar. Kjo, sipas tij, bën që serbët të mos marrin pjesë.

“Procesi i regjistrimit të popullsisë është një proces shumë i komplikuar politik. Deri më tani, ky proces gjithnjë është keqpërdorur, edhe më 1981, edhe më 1991. Edhe tash nëse nuk merremi vesh, do të jetë politik”.

“Në Bosnjë, Marrëveshja e Dejtonit ka përfunduar më 1995 - deri më sot nuk kanë pasur regjistrim, sepse është konsideruar se një lloj i tillë i regjistrimit, ku ka një numër të madh të të zhvendosurve, do të legjitimonte gjendjen aktuale. Kundërshtimi ynë ka të bëjë pikërisht me këtë”,
thotë Ivanoviq.

Ai thotë se Qeveria serbe, nga vendimet e së cilës varen edhe veprimet e serbëve të Kosovës, nuk ka marrë ende qëndrim përfundimtar për regjistrimin.

“Për këtë çështje, Qeveria e Serbisë ende nuk ka marrë qëndrim, por në parim kundërshton regjistrimin nën këto kushte, kur kemi më shumë se 200 mijë të zhvendosur. Kjo do të thoshte legjitimim i spastrimit etnik”, shprehet Ivanoviq.

Qëndrimi aktual i Beogradit zyrtar është që serbët në Kosovë nuk duhet të marrin pjesë në proceset që kryhen nga institucionet e Kosovës së pavarur dhe që janë në përputhje me Planin e Martti Ahtisaarit. Proces që del nga ky plan, është edhe regjistrimi i popullsisë.
XS
SM
MD
LG