Ndërlidhjet

“LDK me strategji të re”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
BOTA SOT
Lidhja Demokratike e Kosovës, pas dy dekadave, ka reformuar programin e saj, por jo edhe profilin. Vizioni i ri i LDK-së në Kosovën e pavarur, sipas programit të ri të saj, është një Kosovë evropiane, ku do të sundojë ligji, do të respektohen të drejtat e njeriut, do të promovohen mirëqenia e qytetarit dhe zhvillimi ekonomik etj. Kështu kanë bërë të ditur drejtuesit e LDK-së në konferencën e mbajtur në Prishtinë, ku kanë shprehur qëndrimet e partisë për një vizion të ri për të ardhmen. Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ramë Manaj, i cili edhe ka bërë hapjen e kësaj konference, në fillim ka kujtuar figurën e ish-presidentit dr. Ibrahim Rugova, si dhe brezin e intelektualëve, të cilët janë mbledhur rreth një koncepti nacional kulturor që e kanë krijuar bërthamën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e ishte shndërruar në bërthamë të lëvizjes për pavarësi e dinjitet kombëtar që ka udhëhequr ambiciet e qytetarit për liri, që u kanalizuan në programin nacional të LDK-së...

EPOKA E RE
Kryetari i Grupit Parlamentar të AKR-së në Kuvendin e Kosovës, Ibrahim Makolli, ka thënë se zhargitja e shpalljes së datës së zgjedhjeve nga ana e presidentit Sejdiu, është e paarsyeshme. Sipas tij, ky vendim duhet të merret në përputhje me atë që parasheh ligji dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e assesi nuk duhet të varet nga vullneti politik i individëve të caktuar. “Nuk ka arsye që të mendohet për shtyrje të zgjedhjeve, sepse ky është sinjal i keq për demokracinë, ky është sinjal para qytetarëve të Kosovës dhe para faktorit ndërkombëtar. Kjo do të tregonte se nuk funksionon demokracia dhe ligji, por funksionon vullneti politik i individëve”, ka thënë Makolli...

LAJM
Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, do t’i informojë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës në lidhje me vjedhjen në Dhomën e Dëshmive, në ndërtesën e policisë. Kryesia e Kuvendit ka vendosur të martën që në seancën e fundit të qershorit, ministri Pajaziti t’i informojë deputetët lidhur me këtë vjedhje, si dhe do të ketë debat në Parlament. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se informata lidhur me vjedhjen që ka ndodhur në polici, mund të jetë pak e vonuar, por, sipas tij, më mirë do të ishte që Kuvendi të mos përzihej fare në punët e drejtësisë... Por, Naim Maloku, anëtar i Kryesisë nga AAK-ja, tha se informata lidhur me vjedhjen nuk është e vonuar, ngase ende nuk ka asnjë rezultat sa i përket procedurës së hetimeve. Maloku ka kërkuar që Kuvendi të debatojë edhe për mosfunksionimin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës...

KOHA DITORE
Pikat doganore 1 dhe 31, në kufirin me Serbinë, janë bllokuar sërish të martën nga qindra serbë lokalë, të cilët kanë shprehur kundërshtimin ndaj pranisë dhe masave të marra nga misioni evropian për sundim të ligjit, EULEX. Gjatë bllokadës gjysmorëshe, përfaqësuesit e serbëve të veriut kanë kërkuar nga zyrtarët e EULEX-it që t’i ndërpresin planet për doganimin e mallrave, në pikëkalimet kufitare Jarinje afër Leposaviqit dhe Bërnjak në Zubin-Potok, me arsyetimin se nuk dëshirojnë që t’i paguajnë tatime “shtetit të panjohur – Kosovës”. Madje, serbët kanë kërkuar arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet pranisë ndërkombëtare dhe Qeverisë së Serbisë për mënyrën e pagesës së obligimeve doganore, në përputhje me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Në të kundërtën, ata kanë potencuar se do të vazhdojnë me bllokimin e rrugëve, derisa EULEX-i të heqë dorë nga tendencat për doganimin e mallrave...

INFOPRESS
Edhe 5 mijë trupa të KFOR-it mund të largohen nga Kosova. Kështu, Aleanca Veri-atlantike e NATO-s, në një takim me nivel ministrash, pritet të diskutojë edhe formalisht një tërheqje të tillë, që duket shumë e arsyeshme në këtë kohë. Madje, edhe vetë udhëheqësit e NATO-s dhe KFOR-it thonë se një prani prej 15 mijë trupash në Kosovë nuk është e nevojshme në këtë kohë, kur situata e sigurisë në Kosovë vlerësohet të jetë e qetë dhe kur nuk ka kërcënime për prishje të këtij rendi. Nga ana tjetër, zyrtarë të sigurisë në Kosovë presin që Forca e Sigurisë së Kosovës të dalë gradualisht në pah me kapacitetet e veta. Sipas zyrtarëve të NATO-s, deri në janar të vitit të ardhshëm, në Kosovë do të mjaftojnë rreth 10 mijë trupa. Burimet e NATO-s kanë konfirmuar gjithashtu se autoritetet ushtarake të NATO-s ia kanë dorëzuar raportin Këshillit të Aleancës për ta diskutuar në takimin e ministrave të Mbrojtjes, që do të mbahet të enjten dhe të premten në Bruksel...

KOSOVA SOT
Forcat opozitare kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve lokale në gjysmën e dytë të muajit tetor. Të mbledhur në një takim të përbashkët, me ftesë të Aleancës Kosova e Re, ata i kanë propozuar presidentit Fatmir Sejdiu, që zgjedhjet për pushtet lokal të mbahen në gjysmën e dytë të muajit tetor, duke e konsideruar si një afat optimal për mbajtjen e tyre. Ky propozim ka dalë nga tryeza e përbashkët e forcave kryesore opozitare, të cilat kanë hedhur dyshim për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve, për shkak të mosmarrjes së një vendimi nga presidenti. Ata kanë theksuar se vetëm në raste të jashtëzakonshme mund të ketë shtyrje, por jo edhe tani, pasi Kosova i ka tejkaluar ato. kjo kërkesë e firmosur nga gjashtë subjekte opozitare ...adreson kërkesën e marrjes së një vendimi, duke e konsideruar gjysmën e dytë të tetorit si kohë e përshtatshme...

EXPRESS
Shija e ëmbël e mposhtjes së Fatmir Limajt në betejën për prefekt të Prishtinës në nëntor 2007, duket se e ka bërë Lidhjen Demokratike të Kosovës të konsiderojë seriozisht aktivizimin e njërës prej figurave të saj më të pranueshme për elektoratin, Isa Mustafën - në një kontest edhe më serioz. Zoti Mustafa është ngjitur në skenë të martën në një konferencë të LDK-së, për t’ia propozuar lidershipit të partisë dokumentin e propozuar që do të shërbejë si ‘orientim strategjik’. A do t’i paraprijë leximi i këtij dokumenti ngjitjes drejt timonit të LDK-së për prefektin e Prishtinës? Vështirë që kjo lëvizje të jetë bërë pa taktin e provës së pranueshmërisë për Mustafën në krye të LDK-së. Një kohë të gjatë ai vetë e ka refuzuar këtë mundësi. Gjatë të njëjtës periudhë, një pjesë e madhe e Kryesisë aktuale të LDK-së e kanë parë atë me rezerva. Duket rrjedhojë logjike, megjithatë. Ai është pothuajse arma e fundit e paprovuar e kësaj partie...

ZËRI
Ndaj dy liderëve radikalë serbë nga veriu i Mitrovicës, Millan Ivanoviq e Marko Jakshiq, Policia Rajonale e Mitrovicës ka zhvilluar hetimet dhe prokurorit ndërkombëtar të EULEX-it i ka dorëzuar kallëzimin penal. Se a do të ngrejë prokurori aktakuzë, varet prej tij, ka thënë dje zëdhënësi rajonal i Policisë në Mitrovicë, toger Besim Hoti. Ai, megjithatë, ka mohuar se hetimi dhe kallëzimi penal ndaj tyre ka të bëjë me ngjarjet e vitit të kaluar, por lidhet me paraqitjet e tyre në një protestë të serbëve lokalë, më 10 shkurt të këtij viti. “Ka të bëjë me protestën e 10 shkurtit 2009 në Mitrovicë, kur, sipas medieve kosovare, ata dy kanë kërkuar nga serbët lokalë që, nëse vendoset kontrolli doganor, t’i djegin sërish dy kalimet kufitare”, ka thënë dje zëdhënësi rajonal i PK-së, Besim Hoti. Sipas tij, prokurorët kanë kërkuar nga policia që të hetohet rasti dhe të dëshmohet nëse thirrjet e tyre janë të vërteta...
XS
SM
MD
LG