Ndërlidhjet

Sejdiu dekretoi gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese


Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dekretoi sot gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Dekretimi erdhi pasi që Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (ICR), Piter Feith, emëroi tre gjykatësit ndërkombëtarë: Snezhana Botusharova-Doichevan nga Bullgaria, Robert Karolan nga SHBA dhe Almiro Simoes Rodrigues nga Portugalia.

“Emërimi i këtyre gjykatësve është bërë në konsultim të ngushtë me Zyrën e Kryetarit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Secili nga këta të emëruar është jurist i dalluar me një sfond të shkëlqyeshëm profesional. Kam besim se ata do të japin kontribut të çmueshëm në këtë institucion gjyqësor të sapoformuar në Kosovë”, ka thënë Piter Feith.

Ai ka shprehur bindjen se, së bashku me homologët e tyre vendorë, gjykatësit ndërkombëtarë do ta përbëjnë një ekip të vetëm dhe, para së gjithash, do të jenë roje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Ndërsa, në një njoftim për media të kabinetit të presidentit, bëhet e ditur se ceremonia e betimit të gjyqtarëve do të bëhet në një të ardhme të afërt, në koordinim me gjyqtarët dhe Zyrën Civile Ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG