Ndërlidhjet

“Almhofer: Kosovarët s’i bëjnë dot vetë zgjedhjet”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EPOKA E RE
Ardian Gjinin e ka zgjedhur Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për t’u dhënë përgjigje akuzave të zëvendësministrit Adem Grabovci, i cili, të dielën, nëpërmjet nj letre publike, ka akuzuar rëndë kryetarin e kësaj partie, Ramush Haradinaj. “Shumë shpejt do të merrni përgjigje në këto gjëra”, ka thënë Gjini, i cili në një konferencë për shtyp ka bërë me dije se një reagim i tillë nëpërmjet akuzave të tilla ka ardhur si rrjedhojë e goditjes së nervit. Megjithatë, Gjini këtë herë ka thënë se populli i Kosovës nuk ka nevojë të përjetojë ngritje tensionesh dhe personalizim të çështjes. “Konkluza e parë është se dikujt i është goditur nervi dhe reagimin e ka pasur tepër të madh. Tjetra është se vetëm sa po konfirmohen burimet e akuzave dhe shpifjeve në dhjetë vjetët e fundit...”, ka thënë Gjini...

LAJM
Serbia u ka bërë një ofertë goxha “joshëse” qytetarëve të Kosovës së fundmi – do t’u lëshojë pasaporta biometrike, e pastaj varet nga kosovarët se sa do të mund të përmbahen nga ky lloj “tundimi”, kur dihet se për nëntë vjet, shumë sish, me vetëdëshirë, janë pajisur me pasaportat e Qeverisë së Serbisë. Rreziku është më i madh, tash kur Serbia sapo është përfshirë në procesin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian, që nënkupton lëvizje pa viza në 25 vendet e “Zonës Shengen” prej 1 janarit të vitit të ardhshëm, ndërsa kusht për integrim është pajisja me pasaportë biometrike, dhe, së dyti, qytetarët e Kosovës kanë të drejtë për dyshtetësi, prandaj oferta e Qeverisë së Serbisë mund ta mashtrojë ndokënd. Ndonëse tash për tash Qeveria e Kosovës nuk ka ndonjë mekanizëm që parandalon pajisjen e kosovarëve me pasaportë biometrike të Serbisë, ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, këtë punë e lë në ndërgjegjen e vetë qytetarëve...

KOHA DITORE
Bashkimi Evropian është mësuar të jetojë me dallimet mes shteteve anëtare rreth statusit të Kosovës dhe me faktin se disa shtete anëtare të tij nuk e njohin Kosovën e as që duan të kenë kontakte me institucionet e saj shtetërore. Këtë e tha Karl Bildt, ministër i Jashtëm i Suedisë, vendi i të cilit do të marrë kryesimin e radhës së BE-së prej 1 korrikut, pra pas një jave. Bildt, të hënën, në Bruksel, ka folur për planet e Presidencës suedeze të BE-së gjatë këtyre gjashtë muajve sa do të jetë në krye të Bashkimit Evropian. Duke u përgjigjur në një pyetje të “Kohës Ditore” se si mendojnë të punojnë rreth Kosovës, pasi që Suedia presidencën do t’ia dorëzojë shtetit (Spanjës) që nuk do të ketë as kontakte formale me institucione të Kosovës, Bildt tha se “është fakt se disa shtete nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, por po jetojmë me këtë mënyrë pragmatike”...

INFOPRESS
Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit dhe Banka Botërore janë mobilizuar për të punuar edhe gjatë ditëve të vikendit, në mënyrë që të fillojë sa më shpejt së realizuari projekti për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdare. Kështu ka pohuar kryesuesi i komitetit ndërministror për këtë autostradë, ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, pas takimit të këtij komiteti, ku mori pjesë edhe përfaqësuesi i Bankës Botërore në Prishtinë, Ranxhit Najak. Në këtë takim po ashtu është bërë e ditur se Banka Botërore do të ofrojë ndihmë si në aspektin teknik, ashtu edhe eksperiencën e tyre, deri në përfundimin e autostradës. Ministri Limaj ka siguruar se me asistencën e Bankës Botërore do të garantohet një proces transparent dhe me standarde evropiane...

KOSOVA SOT
Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Verner Almhofer, ka thënë se misioni që ai drejton është duke e ndihmuar KQZ-në për përgatitjen e zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit. Në një intervistë për “Kosova sot”, ai tha se është vullnet i akterëve ndërkombëtarë që të mbështetet KQZ-ja në organizimin e zgjedhjeve... “Kosova sot”: A kanë kërkuar institucionet e Kosovës që OSBE-ja të monitorojë zgjedhjet lokale? Almhofer: Ka qenë çështje diskutimi kohëve të fundit se cili do të jetë roli i OSBE-së, por duhet thënë se OSBE-ja nuk i ka monitoruar zgjedhjet as në të kaluarën. Në vend të kësaj, ne po bisedojmë se si mund ta mbështesim KQZ-në në organizmin e zgjedhjeve...

EXPRESS
Janë fajtorë maturantët, që nuk po angazhohen sa duhet në procesin mësimor, apo prindërit, të cilëve u ka humbur kontrolli mbi fëmijët e tyre. Ndoshta, janë profesorët, të pamotivuar për punë, shumica të vjetër. Ose, mund të jenë plan-programet e ngarkuara dhe shpesh të paqarta. Një pjesë të fajit mbase e ka edhe menaxhmenti i shkollave, drejtoritë komunale për arsim, ose Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Në të gjitha këto dilema, Dukagjin Pupovci, ekspert i arsimit, ka një përgjigje. “Mendoj se nxënësit janë më së paku fajtorë”. Sipas tij, para se dikush të shpallet fajtor për kalueshmërinë e dobët të testit të maturës, është mirë të bëhet një analizë e hollësishme për faktorët e mundshëm që kanë ndikuar në këtë rezultat. “Problemet mund të jenë te programet mësimore edhe te tekstet mësimore, por mund të jenë të infrastruktura, mund të jenë të mësimdhënësit apo të menaxhmenti i shkollës”, shton ai...

ZËRI
Beogradi mund të bashkëpunojë, por jo edhe të marrë kompetenca në zbatimin e decentralizimit në Kosovë, thonë përfaqësues të qeverisë dhe ata të ICO-së në Prishtinë. Duke iu përgjigjur një kërkese të Qeverisë së Serbisë, e cila në media i atribuohet ministrit serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, sipas të cilës kërkohet caktimi i një përfaqësuesi neutral ndërkombëtar që të marrë rolin e një ndërmjetësi mes Serbisë dhe Kosovës në lidhje me zbatimin e decentralizimit, ministri i Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Sadri Ferati, thotë se asnjë kërkesë që ka të bëjë me ndryshimin e kompetencave të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e decentralizimit, nuk mund të diskutohet fare. Kurse roli i Beogradit, sipas tij, mund të jetë i pranueshëm vetëm në cilësinë e bashkëpunimit dhe marrjes së informacioneve...

BOTA SOT
Qytetarë nga Prishtina duket se nuk do të kënaqen as me kompensimin prej 200 euro për metër katrorë, përkatësisht 20 mijë euro për një ari. Disa nga banorët që jetojnë rrëzë hekurudhës së qytetit, për skaj së cilës po ndërtohet një pjesë e unazës së qytetit, kërkojnë kompensim edhe 600 euro për metër katror. Por, për t’u ndërtuar unaza duket të jetë e vështirë, pasi komuna nuk do të mund të bëjë marrëveshje me pronarët e patundshmërive, pasi ende Ministria e Ekonomisë dhe Financave nuk ka krijuar komisionin për vlerësimin e tyre. Drejtori i Drejtorisë së Pronave, Ujup Krasniqi, thotë se 200 euro për metër katror është çmimi për tokë, dhe se ai çmim është nxjerrë pasi Asambleja Komunale, ndërsa për pronat çmimi është bërë sipas tarifës së taksave mbi pronën, tarifat komunale janë miratuar nga Kuvendi Komunal, por pritet vlerësimi nga Ministria e Ekonomisë...
XS
SM
MD
LG