Ndërlidhjet

Gratë në ballë të protestave


Një mbështetëse e Mir Hosein Musavit. Në duart e saj lexohet: Gratë = Burrat.
Një mbështetëse e Mir Hosein Musavit. Në duart e saj lexohet: Gratë = Burrat.

Gruaja e quajtur Neda është bërë ikonë e protestave anti-qeveritare në Iran. Miliona njerëz gjithandej botës kanë pasur rastin të shohin vdekjen e Nedës në rrugë, në qendër të Teheranit, në një video amatore. Ajo ishte qëlluar në kraharor gjatë protestës ku po merrte pjesë me të atin.

20 qershori, dita kur shpërtheu dhuna mbi protestuesit, duket të ketë qenë e fundit për Nedën. Disa kërkojnë që kjo datë, tash e tutje, të njihet si “Dita e Nedës”. Neda në persishte do të thotë “Zëri”.

Imazhet tragjike të Nedës kanë shërbyer për të kujtuar dhe rolin e mijëra grave, nga të gjitha sferat e jetës, në protestat kundër zgjedhjeve të fundit presidenciale në Iran.

* * * * * * * * * *

Realisht, ishte Efat Hashemi, gruaja e ish-presidentit iranian, Akbar Hashemi Rafsanjani, ndër të parat që bëri thirrje për protesta kundër mashtrimeve. Nuk dihet qartë nëse vetë Hashemi ka marrë pjesë në ndonjë protestë, por vajza e saj, Faezeh Hashemi, po. Ajo, madje, qe arrestuar për një kohë të shkurtër.

Në anën tjetër, 42 vjeçarja Jasaman nuk është figurë e njohur, por edhe ajo merr pjesë në protesta. Ajo thotë se nuk do të qëndrojë në shtëpi për të pritur kur do të arrestohet.

“Ata po vijnë për secilin, një nga një”, thotë Jasaman. Ajo qeshet dhe thotë se nuk frikohet.

Jasaman dhe shumë gra të tjera thonë se kanë votuar për Mir Hosein Musavin apo për reformistin tjetër, Mehdi Karubi, sepse ato kanë shpresuar për ndryshime. Të dy këta kandidatë presidencialë kanë adresuar çështjet e grave në fushatat e tyre dhe të njëjtit kishin premtuar më shumë të drejta për ta.

* * * * * * * * * *

Madje, në tubimet parazgjedhore, Musavi ishte shfaqur me gruan e tij, Zahra Rahnavard, ish-rektore universiteti si dhe këshilltare e ish-presidentit Mohamed Khatami.

Rahnavard ishte pjesëmarrëse aktive në fushatë përmes fjalimeve të ndryshme, intervistave si dhe artikujve të shkruar. Në dy javët e fundit, raportohet të ketë mbajtur dhe dy takime me studentët. Ajo u kishte thënë atyre se Musavi nuk do të dorëzohet nga mbrojtja e të drejtave të njerëzve.

Edhe vetë presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, ishte zotuar për më shumë të drejta për gratë. Ai thuhet të ketë pasur përkrahje dhe në mesin e grave. Një nga mbështetëset më besnike të tij vlerësohet të jetë Fatemeh Rajabi, një gazetare e linjës së fortë - gruaja e zëdhënësit të qeverisë.

Neda...
Por, megjithatë, të shumta janë ato gra që thonë se kanë hedhur votën e tyre më 12 qershor vetëm për t’i thënë “jo” Ahmadinexhadit, të cilin e përshkruajnë të jetë “anti-grave” dhe “anti-lirisë”.

Aktivistja e njohur për të drejtat e grave në Teheran, Nasrin Sotoudeh, shpreh besimin e saj se gratë kanë shumë arsye të mira për të protestuar kundër rizgjedhjes së Ahmadinexhadit.

“Në katër vjetët e kaluar, jo vetëm tubimet e grave kanë qenë nën sulme. Shumë gra, kohë pas kohe, thirreshin nga gjykatësit dhe hidheshin në gjyq. Ato përballeshin kohë të gjatë me burg, por edhe me probleme tjera serioze për shkak të paraqitjes së tyre dhe kështu vazhdimisht janë sulmuar dhe rrahur”, thotë Sotoudeh, për Radion Evropa e Lirë.

Gjatë demonstratave të javëve të fundit në Teheran dhe në qytetet e tjera, gra të të gjitha moshave dhe nga të gjitha segmentet e shoqërisë, janë parë në ballë të protestave. Disa mbanin flamuj, thërrisnin slogane, sfidonin policinë. Disa u rrahën nga policia, që i sulmonte protestuesit me shkopinj.

* * * * * * * * * *

Zahra Gholamipour, nga radhët e partive opozitare, thotë se gratë në Iran gjithmonë kanë luajtur një rol aktiv në shoqëri, me gjithë diskriminimin me të cilin ballafaqohen.

“Gratë iraniane nuk janë ai tip i grave që qëndrojnë të heshtura dhe e konsiderojnë veten e tyre më të ultë se burrat – edhe pse, fatkeqësisht, pas revolucionit, të drejtat e tyre janë shkelur. Sot, ne i shohim gratë të jenë para burrave në këto protesta të drejta”, thotë Gholamipour, duke shtuar se në shumë nga protestat e javëve të fundit gratë i kanë kaluar burrat në numër.

Gratë në Iran, në mënyrë të konsiderueshme, përballen me diskriminim ligjor. Për shembull, ato nuk kanë të drejta të barabarta në divorc dhe në kujdestarinë e fëmijëve. Po ashtu, ato nuk lejohen të udhëtojnë jashtë vendit pa lejen e baballarëve apo burrave të tyre.

Por, dëshmitarët okularë thonë se në momentin e sulmeve, forcat e sigurisë i kanë trajtuar të gjithë protestuesit njësoj.

Edhe gratë janë rrahur brutalisht në disa raste. Gra ka edhe në mesin e viktimave.

Gratë iraniane kanë treguar dhe një herë se sa të forta janë. Shumë herë ato janë rrahur me shkopinj elektrikë, por ato prapë janë rikthyer për të sfiduar policinë. Këto gra janë nëna, janë motra. Këto gra ndjejnë përgjegjësi”, thotë Gholamipour.

Pa marrë parasysh se çfarë do të rezultojë nga kriza e tanishme, edhe Gholamipour, edhe Sotoudeh, besojnë se femrat, të cilat përbëjnë 65 për qind të studentëve të universitetit në Iran, do të vazhdojnë të kërkojnë më shumë të drejta.

Disa tashmë kanë dalë me sloganin e ri: “Neda jonë, zëri ynë”.

* * * * * * * * * *

Vrasja e Nedës

XS
SM
MD
LG