Ndërlidhjet

E vërteta e raporteve Kosovë- Maqedoni


Nuk ka çështje të madhe mes Kosovës e Maqedonisë që pengon këtë të fundit të vendosë marrëdhënie diplomatike me Prishtinën; e tëra ka të bëjë me pazaret e brendshme politike, thotë Gordan Georgiev, nga opozita maqedonase.


As demarkacioni i kufirit dhe as çështje të tjera nuk pengojnë ngritjen e marrëdhënieve diplomatike mes Maqedonisë dhe Kosovës. Për këtë është i bindur nënkryetari i Lidhjes Social-demokrate të Maqedonisë, Gordan Georgiev.

Opozitari maqedonas, në një debat të organizuar nga Instituti KIPRED, në lidhje me raportet mes dy vendeve, ka dhënë disa arsye, që, sipas tij, bëjnë që të ketë ngecje në raportet mes dy kryeqyteteve.

“Mendoj se çështjet mes dy vendeve, tensionet potenciale, janë triviale, të parëndësishme dhe bëhen për arsye të brendshme politike. Raportet e mira mes dy vendeve janë dëmtuar në disa raste dhe nëse analizojmë, nuk ka çështje të mëdha mes dy palëve; përkundrazi, ka potencial të madh për raporte të mira”, u shpreh Georgiev.

Maqedonia ka njohur Kosovën në muajin tetor të vitit të kaluar. Por, edhe pse janë dhënë premtime, deri më sot vendet nuk kanë vendosur marrëdhënie diplomatike. Arsyeja, sipas opozitarit Georgiev, duhet kërkuar te kryeministri Nikolla Gruevski.

“Në mënyrë që opinioni kosovar të kuptojë qëndrimin e qeverisë karshi Kosovës, duhet të kthehemi sërish te çështjet e brendshme politike. Pothuaj të gjitha ngatërresat në lidhje me Kosovën rezultojnë nga betejat politike dhe pazaret në Maqedoni”.

“Kryeministri ynë po i përdor partitë politike shqiptare dhe qytetarët shqiptarë të Maqedonisë si pjesë të kësaj loje, pazari politik, të cilin po e luan me shumë efikasitet, por edhe brutalisht. Edhe në politikën e jashtme ka shumë pikëpyetje për shkak të kësaj politike të brendshme”,
tha Georgiev.

Raportet mes Prishtinës dhe Shkupit shënuan një ftohje pas inaugurimit të presidentit maqedonas, Gjorgje Ivanov, ku nga vendet e rajonit ishte i vetmi presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ai që nuk u ftua të merrte pjesë.

Kulmi arriti kur kabineti i presidentit Ivanov ndryshoi karakterin e vizitës së Sejdiut në Shkup, nga zyrtare në vizitë pune. Sejdiu anuloi tërësisht vizitën. Edhe për këtë, Georgiev jep një përgjigje.

Kuvendi i Maqedonisë
“Mendoj se kanë qene dy skenarë: ose kabineti i presidentit ka qenë i papërgatitur për t’u marrë me një çështje kaq delikate, ose ka qenë një bashkëpunim i heshtur mes presidentit dhe kryeministrit për të bllokuar procesin dhe për t’i evituar dëmet në relacionet mes Serbisë dhe Maqedonisë”,
tha Georgiev.


Në anën tjetër, përfaqësuesi i opozitës kosovare, Ardian Gjini, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, mendon se gabime janë bërë nga të dyja palët. Vetë Gjini ka qenë shumë kritik ndaj veprimeve të Shkupit zyrtar. Ai pati thënë se ky vend ka fyer Kosovën.

“Mendoj se ka qenë gabim i dyanshëm, mund të përmend se ka pasur gabim nga të dyja palët. Është një fjalë e bukur e urtë anglisht: ‘Mos gjuaj gurë nëse e ke shtëpinë prej qelqit’. Dikush duhet pasur kujdes se të dy vendet e kanë shtëpinë nga qelqi dhe nuk guxojnë të gabojnë, të gjuajnë me gurë njëri-tjetrin”, tha Gjini.

Ndërkohë, takimi i presidentëve të rajonit në Vlorë, përfshirë këtu edhe takimin e Sejdiut me Ivanovin, thuhet se ka relaksuar marrëdhëniet.

Sidoqoftë, në mesin e opozitës maqedonase mbizotëron mendimi se është Shkupi zyrtar ai që duhet më tepër t’i kultivojë raportet me Prishtinën dhe këtë ta bëjë për interes të tij. Georgiev e lidh këtë edhe me rolin e SHBA-ve, apo, siç thotë, rëndësinë që ka Kosova për shtetin amerikan.

“Për ne si opozitë, apo edhe si qytetarë, trekëndëshi Maqedoni, Kosovë, SHBA është shumë i rëndësishëm. Pikësëpari, është i rëndësishëm për vendin tonë, nëse duam të zgjidhim çështjet tjera. Enigma është e qartë - ne duhet ta mbështesim Kosovën, nëse duam që të sigurojmë mbështetje të plotë amerikane në lidhje me çështjen e emrit me Greqinë”, tha Georgiev.
XS
SM
MD
LG