Ndërlidhjet

Pritjet nga samiti SHBA - Rusi


Gjatë takimit në Londër. Prill, 2009.
Gjatë takimit në Londër. Prill, 2009.

Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama, më 6 korrik fillon vizitën e parë në Rusi. Raportet Uashington – Moskë, gjatë administratës Bush, kanë qenë të tensionuara dhe disa madje thoshin se ishin para kthimit te periudha e Luftës së Ftohtë. Tash shtrohet pyetja: çfarë mund të pritet nga samiti Obama - Medvedev?

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, është duke u përgatitur për vizitën e tij të parë, më 6 korrik, në Moskë, që shpresohet të hapë histori të re mes dy vendeve.

“Ne dëshirojmë t’i rivendosim marrëdhëniet tona”, ka deklaruar Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton. Por, palët ende janë duke u ballafaquar me ndarje të shumta: tensionet në rritje mes Rusisë dhe Gjeorgjisë, planet e zgjerimit të NATO-s dhe vendosja e mburojës raketore në Evropën Qendrore.

Robert Veksler, i cili kryeson Nënkomitetin për Punët e Jashtme me Evropën, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se të gjitha këto çështje mund të adresohen më mirë krahasuar me vitet e fundit.

Majkëll Mekfoull, drejtor i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Rusi dhe Euroazi, thotë se presidenti Obama nuk ka iluzione për pikat që ndajnë Uashingtonin dhe Moskën.

“Ne jemi duke shkuar për të folur shumë sinqerisht rreth çështjeve të hapura, pasi një gjë të tillë e bëmë edhe në prill, kur u takuam me presidentin Medvedev. Pastaj, ne jemi duke shkuar atje për të parë nëse janë mundësitë për të gjetur mënyrë, që Rusia të bashkëpunojë për gjërat që janë në interesat tona kombëtare”, thotë Mekfoull.

Sipas tij, presidenti Obama do të hapë diskutim jo vetëm me Medvedevin dhe kryeministrin Vladimir Putin, por edhe me shoqërinë ruse, duke marrë pjesë në takime me biznesin dhe shoqërinë civile.

Ndërkohë, Moska thotë se dëshiron marrëdhënie më të mira. Por, ata e kanë bërë të qartë se është në anën e Uashingtonit që të ndryshojë politikat e tij.

Sara Mendelson, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, thotë se nga ky takim, pritjet nuk mund të jenë të mëdha. Oferta e Uashingtonit për t’i riparuar marrëdhëniet me Moskën, siç thotë ajo, është një “bast”.

“Përqendrimi i Uashingtonit është të ofrojë platformë për qeverinë dhe popullin rus, në mënyrë që ata të jenë në gjendje të shohin nëse ekziston mundësia për një marrëdhënie të re dhe të ndryshme”, u shpreh Mendelson.

Çështje e nxehtë, e cila mund të jetë në qendër të diskutimeve, është edhe aspirata e Gjeorgjisë dhe Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO, që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa kundërshtohet nga Rusia.

Kremlini vazhdon të shkelë marrëveshjen e armëpushimit që nga përfundimi i luftës me Gjeorgjinë, duke mbajtur trajnime dhe mijëra trupa ushtarake ne rajonet e Abkhazisë dhe Osetisë Jugore, që Moska i njeh si shtete të pavarura.

Studiuesi i politikës së jashtme, Georgi Mirski, thotë se veprimet e tilla tregojnë se krerët e Rusisë nuk po ndërmarrin asnjë veprim, që mund të çojë drejt përmirësimit të marrëdhënieve me Uashingtonin.

“Unë nuk jam i sigurt nëse njerëzit si Putin dhe Medvedev dhe ata përreth tyre, në të vërtetë e kuptojnë sistemin politik amerikan ose sinqerisht besojnë në synimet e mira të presidentit Obama”, tha Mirski.

Por, ai shton se pavarësisht kësaj, Moska nuk dëshiron një ballafaqim real me Uashingtonin.

Ai rikujton se samiti i dy krerëve të shtetit, Obama dhe Medvedev, mund të shërbejë vetëm për të ndihmuar parandalimin e një kolapsi të plotë në marrëdhëniet Uashington – Moskë.
XS
SM
MD
LG