Ndërlidhjet

“Qeveria e re e Shqipërisë zyrtarizohet në shtator”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EPOKA E RE
Ali Berisha, kryetar i Komunës së Pejës, është shprehur i kënaqur me të arriturat zhvillimore të qytetit më perëndimor të Kosovës gjatë mandatit të tij. Ai konsideron se, pavarësisht “ndërskamcave” që i bëhen nga pushteti qendror, derisa ende shpërblehet me buxhet si komunë e “kategorisë së dytë”, ka arritur që në Pejë të bëjë ndryshime të dukshme zhvillimore në të gjitha fushat e jetës. Kritikat nga rivalët politikë (Agim Bërdyna, kryetar i degës së LDK-së në Pejë), ndonëse nuk dëshiron t’i komentojë, i sheh si “pjesë të fushatës parazgjedhore, që në këtë rast nuk e befasojnë”. Është i bindur se AAK-ja do të marrë “besimin e dytë” të qytetarit të Pejës, në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, si përforcim të bindjes së tij, se pushteti lokal i ka përmbushur të gjitha premtimet e dhëna deri më tash...

LAJM
Mospajisja e ish-kryeministrit Agim Çeku me pasaportë diplomatike, nga kryetari i Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, Bahri Hyseni, quhet gafë, e cila, sipas tij, mund të përmirësohet me një amendamentim të Ligjit për Dokumentet e Udhëtimit. Çeku tha se po të kishte pasaportë diplomatike, ajo që i ka ndodhur në Bullgari, mund të shmangej. Sipas tij, zyrtarët bullgarë dhe ata që e kanë ftuar atje, kanë qenë të befasuar kur e kanë kuptuar se ish-kryeministri kosovar nuk ka pasaportë diplomatike... “Unë kam shkuar në Bullgari jo vetëm në cilësinë e kryetarit të PSD-së, por edhe si ish-kryeministër i vendit dhe si kryetar i Bordit të Klubit Euro-Atlantik të Kosovës. Për në Bullgari kam udhëtuar me pasaportë normale të Kosovës, si çdo qytetar tjetër...”, tha Çeku për gazetën...

KOHA DITORE
Koalicioni i ri qeverisës në Shqipëri “Aleanca e ndryshimit”, të cilit tashmë i është bashkuar edhe LSI-ja, do të ketë kohë për të diskutuar mbi postet që aleatët do të mbajnë në kabinetin e ri, pasi qeveria e re e kryeministrit Sali Berisha pritet të zyrtarizohet më 3 shtator. Pikërisht në ditën kur nis nga puna dhe parlamenti i ri, kreu i qeverisë pritet të dërgojë për miratim te presidenti Bamir Topi emrat e ministrave, me të cilët do të drejtojë vendin në këto katër vjetët e ardhshëm. Mirëpo, edhe pse shtatori është më pak se dy muaj larg, Lëvizja Socialiste për Integrim ka nisur të shqyrtojë mirë postet që do t’i kërkojë shefit të ekzekutivit. Të njëjtën gjë po negociojnë me kryeministrin Berisha edhe aleatët e tjerë të tij, si PR, PDI dhe PBDNJ...

INFOPRESS
Në vazhdën e refuzimit dhe thirrjes për bojkot të zgjedhjeve lokale të Kosovës, të cilat do të mbahen më 15 nëntor të këtij viti, Qeveria e Serbisë në mënyrë definitive ka thirrur serbët lokalë për të bojkotuar këto zgjedhje. Qëndrimi i Qeverisë serbe vjen disa ditë pas ftesës së presidentit serb, Boris Tadiq, bërë serbëve për të mos marrë pjesë në zgjedhjet, të cilat organizohen nga institucionet e Kosovës. Ndërkohë që nga ana tjetër, institucionet e Kosovës dhe liderët e saj kanë ftuar serbët që të dalin në këto zgjedhje dhe të marrin të drejtat e tyre që u takojnë. I kontaktuar nga “Infopress”, sekretari i të ashtuquajturës ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, ka thënë për gazetën se edhe Qeveria e Serbisë, sikurse edhe presidenti Tadiq, kanë qëndrim unik për sa i përket thirrjes për bojkot të zgjedhjeve lokale nga ana e serbëve...

KOSOVA SOT
Diplomacia kosovare, javën e ardhshme, do t’ia dorëzojë deklaratën me shkrim Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe për këtë ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura. Deri më 17 korrik të këtij viti, palët duhet të paraqesin argumentet e tyre ndaj deklaratave të deponuara nga ana e shteteve të jashtme në GJND. Gjatë javës së kaluar, grupi i ekspertëve është mbledhur në Prishtinë, ku në fokus ka pasur deklaratën e dytë që do t’i procedohet GJND-së. Zëvendësministrja për politikë të jashtme, Vlora Çitaku, thotë se ministria ka ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura, në mënyrë shumë serioze, dhe deklaratën e dytë do ta deponojë gjatë javës së ardhshme në GJND, kur është edhe afati i fundit i dorëzimit. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur që më 1 dhjetor të fillojë seanca dëgjimore në rastin e Kosovës...

EXPRESS
Lidhur me mundësinë që Serbisë t’i hiqet regjimi i vizave për në BE në fund të këtij viti, kosovarë të shumtë kanë shfrytëzuar rastin që të marrin pasaporta biometrike të këtij shteti. Mirëpo, pas shumë debatesh të Komisionit Evropian lidhur me këtë çështje, tani është marrë vendimi që asnjë qytetari të Kosovës, pavarësisht nacionalitetit të tij shqiptar, serb apo rom, nuk do t’i vlejë pasaporta biometrike serbe për të udhëtuar pa viza në BE. Sipas gazetës serbe, Dnevnik, nëse në pasaportën e tyre, adresa e banimit nuk i përket territorit të Serbisë, atëherë ata nuk do të përfitojnë nga liberalizimi i vizave. “Propozimi ka të bëjë me liberalizimin e vizave për shtetasit me vendbanim në territorin e Serbisë, por jo edhe për qytetarët që jetojnë në territorin e Kosovës”, thuhet në propozimin e këtij komisioni...

ZËRI
Ndonëse më 15 qershor 2009 është bërë një vit që nga koha kur ka hyrë në fuqi Kushtetuta e Kosovës, kohë kjo e paraparë që të jetë funksionale edhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI), ky shërbim jo vetëm që pas një viti nuk është funksional, por vazhdon që të operojë me vetëm një drejtor dhe me një staf tepër të ngushtë. Partitë opozitare i kanë akuzuar ashpër liderët institucionalë të vendit për neglizhencë në funksionalizimin e AKI-së, ku, sipas tyre, shkaku kryesor për këtë vonesë ka të bëjë me mosmarrëveshjet politike në mes të kryeministrit dhe presidentit. Në anën tjetër, zyrtarë nga Presidenca dhe Kryeministria i kanë hedhur poshtë këto akuza të opozitës, duke thënë se nuk ka kurrfarë mosmarrëveshjesh politike në mes të partnerëve të koalicionit...

BOTA SOT
Partia Demokratike e Shqipërisë, e udhëhequr nga lideri demokrat, Sali Berisha, ka ofruar në krahun e vet qeverisës edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim të prirë nga Ilir Meta, për të vazhduar koalicionin qeverisës, siç vlerësohet “Qeverinë e Integrimeve Evropiane”. Ky koalicion udhëheq Shqipërinë gjatë katër vjetëve të ardhshëm (gjer më 2013). Me këtë rast vlerësohet se dy ministri dhe posti i kryetarit të Parlamentit, janë propozimet që kryeministri aktual Berisha i ka ofruar LSI-së, ndërkaq kryeparlamentarja Jozefina Topalli do të kalojë në Ministrinë Punëve të Jashtme (edhe pse jo marrëveshje zyrtare dhe definitive). Edhe pse Berisha fitoi zgjedhjet duke siguruar 71 deputetë në Kuvendin shqiptar, zgjerimi i koalicionit me LSI-në synon të ndërtojë krijimin e një klime të fortë e të qëndrueshme qeverisëse, duke përuruar vizion demokratik që udhëhiqet nga e djathta shqiptare...
XS
SM
MD
LG