Ndërlidhjet

“Ambasadorët brenda dy javësh?”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
INFOPRESS
Ka gjasa që brenda dy javësh të dihen emrat e 18 ambasadorëve të Kosovës në 18 vendet e botës. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, është duke bërë konsultat e fundit me kryeministrin Thaçi dhe me ministrin e Jashtëm, Hyseni, për këtë çështje. Një zyrtar i lartë në këto institucione dhe i përfshirë në këto procese, i ka thënë gazetës të mërkurën se gjasat janë që në një nga këto javë të dihen emrat. “Mund të ndodhë që edhe brenda javës të dihen emrat, por nëse jo në këtë javë, atëherë javën tjetër gjasat janë më të mëdha. Konsultimet janë në fund”, ka thënë ky zyrtar. Në anën tjetër, zëdhënësi i Presidencës, Xhavit Beqiri, nuk ka folur për afat, por ka thënë se kjo punë do të kryhet shpejt...

KOSOVA SOT
Një nga sfidat kryesore, sipas partive, mbetet pastrimi i listave të votuesve. Nisur nga zgjedhjet e fundit, ku në shumë qendra të votimit listat kanë qenë të mangëta apo në të cilat figuronin edhe njerëz që nuk janë në jetë, partitë politike kanë kërkuar nga KQZ-ja që t’i bëjë përgatitjet e duhura dhe që mos të vihet në situatë kur qytetarët duhet të votojnë me kusht. Nuk kanë qenë të pakta qendrat me probleme me listat e zgjedhësve, të cilët nuk gjenin emrin se në cilën qendër do të votonin. Disa nga partitë kanë kërkuar që të hiqet votimi me kusht. Vetë kreu i KQZ-së, Nesrin Lushta, tha se listat do të publikohen me kohë, por që, sipas saj, një nga çështjet e hapura ka të bëjë me disa paqartësi të Ligjit për Zgjedhje, të cilat duhet të definohen...

EXPRESS
Partitë e mëdha tashmë kanë identifikuar partnerët, të cilët do t’i rreshtojnë krah tyre në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Në ditët e ardhshme, ato presin vetëm zyrtarizimin e koalicioneve. LDK është e hapur për të gjithë, përveç PDK-së. PDK është e hapur për koalicione me të gjitha subjektet në Kosovë, përveç AAK-së. E AAK synon të bashkëpunojë me të gjithë, përveç PDK-së. Këto janë skemat që aktualisht janë krijuar në kokat e lidershipit të partive kryesore në vend, por ato mund të ndryshojnë me kalimin e kohës, varësisht për cilat komuna bëhet fjalë. Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, ka thënë se kjo parti është koncentruar në organizimin e brendshëm. “Ajo çka dua të them është se të tjerët mund t’i bashkohen PDK-së, por PDK nuk i bashkohet asnjërës parti”, ka thënë Kuçi për Express, të mërkurën...

ZËRI
Dje, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, pas shqyrtimit të kërkesës së avokatëve mbrojtës për ndryshimin e aktakuzës ndaj anëtarëve të të ashtuquajturit “Grupi i Llapit”, përkatësisht ndaj tre ish-pjesëtarëve të UÇK-së: Rrustem Mustafa – Remi, Latif Gashi dhe Nazif Mehmeti, trupi gjykues doli me një vendim që anëtarët e “Grupit të Llapit” të akuzohen për trajtim jonjerëzor, për rrahje dhe për torturim të popullatës civile, ndërsa në mungesë të provave ata lirohen nga aktakuza për vrasje. Me vendimin e trupit gjykues, tre ish-pjesëtarët e UÇK-së do të gjykohen duke u bazuar në akuzën e vjetër të 30 qershorit të vitit 2003, me arsyetimin se ndryshimi i aktakuzës ka qenë i panevojshëm dhe këto ndryshime në të ardhmen mund të vijnë vetëm si rezultat i shfaqjes së provave të reja...

BOTA SOT

Kryetari i AKR-së dhe biznesmeni i njohur, Behgjet Pacolli, ndihet i anashkaluar dhe thuaja i fyer nga institucionet në angazhimin e tij për lobim, qoftë kur ato nuk i japin as përkrahje formale apo edhe më shumë, kur as nuk duan t’u japin përgjigje kërkesave që ai ua ka drejtuar me shkrim. Por, as sjellja si njerkë ndaj zotit Pacolli, nuk e thyen atë. Ai ka vendosur t’i shkojë gjer në fund asaj që i beson ai, misionit kombëtar. “Vendi duhet ndihmuar dhe dashur edhe atëherë kur të tjerët ju nxisin të mos e doni!”. Pa u deklaruar se për sa njohje të arritura deri më tash kontributi i tij ka qenë vendimtar, ai thotë se deri në fund të vitit, vendit do t’ia sjellë rreth 20 njohje të reja. Por, deri në fund të vitit vendi sigurisht se do t’i kishte arritur 130 njohje, sikur që nga fillimi e edhe tani të përkrahej z. Pacolli, kusht ky numerik për t’u bërë pjesë e Kombeve të Bashkuara. Për këtë mossukses, ai i bën përgjegjës pa përjashtim udhëheqësit e institucioneve të Kosovës...

EPOKA E RE
E mohon se në një takim larg opinionit është biseduar me zyrtarë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për kthimin e kompetencave të UNMIK-ut në gjykatat e Republikës së Kosovës. “Ata (zyrtarët e OKB-së) kur erdhën, nuk përmenden fare çështjen e kompetencave, por në mënyrë indirekte, nga ajo që u tha më herët (gjatë një bisede telefonike), ne edhe u përgatitëm. Unë u thash kolegëve që nëse është fjala për kthim të kompetencave, të jeni më të zëshëm dhe themi atë që duhet ta themi. Vetëm për dy vjetët e parë kemi thënë se UNMIK-u na ka ndihmuar, por më vonë puna e tij ka qenë krejtësisht pasive, mund të them dështuese”. Ka treguar se në takimin e shumëpërfolur në opinion është biseduar për punën nëntëvjeçare të UNMIK-ut... Flet për “Epokën e re”, Anton Nokaj...

LAJM
I vetëdijshëm për të kaluarën rreth gjysmë shekulli të Universitetit të vetëm publik në vend, me rëniet dhe ngritjet e tij, pasojat dhe shumë probleme të trashëguara, rektori i porsazgjedhur i Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova, nuk heziton të thotë se ky universitet, pas tre vjetësh, nën udhëheqjen e tij, do të fitojë në vend të respektuar në mesin e shumë universiteteve perëndimore. “I inkuadruar tashmë në programin e Bolonjës, Universiteti i Prishtinës do të ecë në hap me zhvillimet evropiane dhe amerikane në arsimin e lartë”. Ky është premtim që Rugova ka dhënë një ditë pas zgjedhjes në postin e rektorit. Në një bisedë për “Lajm”, Rugova, të mërkurën, tha se plani i tij për rigjallërimin e jetës akademike shkencore në UP do të jetë në shërbim të studentit dhe gjithë shoqërisë, ashtu siç e ka pasur gjithnjë për mision ky institucion...

KOHA DITORE

Njohja e Republikës së Kosovës nga Mbretëria e Jordanisë është ekskluzivisht meritë e Arabisë Saudite, i kanë thënë “Kohës Ditore” burime të besueshme brenda institucioneve të Kosovës. Vendimi i nxjerrë të martën nga Qeveria e Jordanisë i është komunikuar të mërkurën edhe zyrtarisht Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës. Me të dëgjuar lajmin në mediat jordaneze, në Kosovë ka filluar gara për përvetësimin e meritave për këtë njohje. I pari që ka pretenduar t’i ketë meritat kryesore për këtë njohje ka qenë kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli. Pretendime të njëllojta kanë shfaqur edhe institucionet e Kosovës, si dhe subjekte politike dhe individë të ndryshëm të skenës politike vendore...
XS
SM
MD
LG