Ndërlidhjet

Ligjet e miratuara (s’) përfillen


Legjislativi kosovar ende vazhdon të miratojë ligje, por shumë prej tyre nuk gjejnë zbatim. Ekspertë të çështjeve juridike dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare në Kosovë mendojnë se moszbatimi i ligjeve vjen si pasojë e mungesës së vullnetit politik dhe moskrijimit të kushteve të duhura për organet shtetërore, si policia, gjyqësia, doganat dhe prokuroria.

Juristi kosovar, Riza Smaka, thotë se ka shumë akte ligjore që nuk përfillen. Si deputet i Kuvendit të Kosovës, ai thotë se ka kërkuar sqarime nga ministritë e caktuara për moszbatim të ligjeve, por që nuk ka marrë ndonjë përgjigje adekuate prej tyre.

“Ligji në forma të ndryshme nuk zbatohet, po e zëmë kur nuk përfillen dispozitat që do të aplikoheshin drejtpërdrejt. Një numër i madh i akteve ligjore do të mund të zbatoheshin nëpërmjet akteve nënligjore - ato janë rregullore, udhëzime administrative, instruksione profesionale etj.”,
thotë Smaka.

Funksioni i organeve kyçe shtetërore, sipas zotit Smaka, do të mundësojë zhvillimin e përgjithshëm në Kosovë, respektimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve, si dhe do të garantojë sigurinë e funksionimit të një shteti ligjor.

Ndërkohë, Alban Zogaj, nga Instituti “Riinvest”, thotë se zbatimi i ligjeve dhe i të drejtave pronësore është çështje kyçe që kërkohet për funksionimin e një shteti. Pa zbatim të ligjeve, zoti Zogaj thotë se nuk do të ketë zhvillim ekonomik, gjë që në Kosovë është i domosdoshëm.

Ligjet po miratohen shpejt. Kemi një numër të madh të ligjeve që po miratohen. Ky është një fakt që duhet ta përkrahim të gjithë. Por, përveç miratimit të tyre, Kosova ka nevojë për zbatim të tyre. Vërejtjet më të mëdha të bashkësisë ndërkombëtare lidhur me zbatimin e ligjeve janë tek zbatimi i kontratave, tek pronat”, thotë Zogaj.

Organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë vënë në pah se Kosova ka ligje të avancuara dhe që i respektojnë të drejtat e njeriut, por ato, siç thuhet, mbesin vetëm në letër.

Udhëheqësi i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, Behxhet Shala, shprehet:

“Përderisa në Kosovë kemi disa sovranitete, derisa në një pjesë janë institucionet e Kosovës, diku është UNMIK-u, diku është EULEX-i, diku janë strukturat serbe, është shumë problem të ketë zbatueshmëri të ligjeve”, thotë ai.

Zoti Shala për gjithë këtë fajëson mekanizmat ndërkombëtarë. Ai pohon se çdo përpjekje e institucioneve vendore për shtrirjen e autoritetit të tyre në tërë vendin, në mënyrë diskrete dhe haptas po kundërshtohet pikërisht nga ndërkombëtarët.

Aktualisht, në Kosovë ekzistojnë tri korniza ligjore: ligjet e aprovuara në Kuvendin e Kosovës së bashku me Kushtetutën e Kosovës si aktin më të lartë juridik të shtetit, disa ligje të ish-Jugosllavisë, si dhe disa rregullore të UNMIK-ut, të cilat ende nuk janë zëvendësuara me ligje të Kosovës.
XS
SM
MD
LG